E martë, 29 Prill, 2025

TARAVARI THYEN HESHTJEN: KA KOMUNIKIM ME AHMETIN

Ministri i Shëndetësisë, Arben Taravari, të martën hodhi poshtë spekulimet për dorëheqjen e tij, duke theksuar se mbetet i përkushtuar ndaj detyrave të tij në Ministrinë e Shëndetësisë.

“U zgjova sot në mëngjes me 50 mesazhe që më pyesnin nëse do të jap dorëheqjen, por unë jam i fokusuar në punën në Ministrinë e Shëndetësisë”, deklaroi Taravari në një konferencë për shtyp.

Ai shtoi se marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit janë “të mira dhe të qëndrueshme” dhe se ai vazhdon të ushtrojë funksionin e tij.

“Jam më shumë i fokusuar në çështjet që janë të rëndësishme për pacientët. Para së gjithash, për mua si ministër i Shëndetësisë është e rëndësishme gjendja e mirë e pacientëve nga Koçani, por edhe në përgjithësi e të gjithë pacientëve në shtet”, tha Taravari.

Sipas tij, sa i përket raporteve të fundit mediatike për takimin e supozuar të tij me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, nuk bëhet fjalë për një takim personal, por për komunikim mes partive.

“Për bashkëpunime dhe koalicione ka kohë për të biseduar. Asgjë nuk është urgjente. Për dorëheqje nuk e kam në plan. Marrëdhëniet mes partnerëve të koalicionit janë shumë të mira, kështu që unë vazhdoj të kryej detyrën time si ministër i Shëndetësisë”, shtoi Taravari.

Ndërkohë, sekretari organizativ i Aleancës për Shqiptarët (ASH), Gadaf Uzairi, përmes një postimi në rrjetet sociale, tha se “Aleanca për Shqiptarët dhe Arben Taravari janë gjithmonë në rrugën e drejtë dhe në përputhje me kërkesat e shqiptarëve.”

Spekulimet për një tërheqje të mundshme nga koalicioni qeveritar u intensifikuan pasi gazetari Zoran Bozhinovski publikoi në profilin e tij në Facebook se Taravari do të largohej nga detyra më 2 prill.

 

 

 

 

Të fundit