E shtunë, 19 Prill, 2025

GARA SIPAS RREGULLAVE TË REALISTËVE TË PAMËSHIRSHËM

Shkruan: Denko Maleski

Dikush duhet t’i thotë popullit se i kemi humbur të gjitha trenat dhe se politika e re e Presidentit Trump shënon edhe fundin e epokës amerikane në politikën botërore, ashtu siç e kemi njohur deri tani. Politika sipas së cilës, paratë e taksapaguesve amerikanë ndaheshin për projekte që do të nxisnin proceset demokratike në Maqedoni, ashtu si edhe në të gjitha vendet e Evropës Lindore, një kohë kur: u krijuan organizatat e para joqeveritare të udhëhequra nga “demokratë të paguar” vendas; financoheshin qëndrime studimore për gjyqtarë dhe prokurorë që shpesh i përjetonin si udhëtime të këndshme turistike; investohej në pajisje dhe ndihmë profesionale për institucionet përgjegjëse për sundimin e ligjit; Amerikanët ndërmjetësonin në konfliktet e brendshme dhe të jashtme të këtyre shteteve për të stabilizuar demokracitë e tyre të brishta; ndaheshin para për projekte të ndryshme infrastrukturore; jepeshin grante dhe bursa… Kjo ishte pjesë e “fuqisë së butë” të vetë fuqisë së madhe të kohës, me të cilën synohej të fitoheshin zemrat dhe mendjet e popujve të Evropës Lindore. Pjesë përbërëse e asaj politike globale të Amerikës në atë “moment unipolar” ishin edhe aktivitetet e George Soros dhe rrjetit të “shoqërive të hapura” që u hapën në demokracitë e reja.

Ato ishin kohë multilateralizmi, aleancash të shteteve demokratike kundrejt atyre autokratike, mbështetje nga Amerika për projektin e quajtur BE, që vetë ajo e nisi pas Luftës së Dytë Botërore me mbështetje masive financiare përmes Planit Marshall. Është e vërtetë, politika e Amerikës ndaj pjesës tjetër të botës, për gati 35 vjet, mund të barazohet me një lloj “imperializmi liberal” përmes së cilit Amerika donte të impononte ideologjinë e saj liberale në pjesën tjetër të botës, por shtetet e vogla si Maqedonia do ta vajtojnë atë kohë. Është e vërtetë, ishte një “paqë hegjemonike” ku dihej kush ishte kryesori, por ishte paqë. Shtetet e Evropës Lindore që zgjidhën shpejt problemet e tyre fillestare demokratike dhe u pozicionuan me sukses në politikën botërore, e shfrytëzuan këtë “epokë të artë” për prosperitetin e shoqërive të tyre dhe për forcimin e pozicioneve të tyre ndërkombëtare në BE, e cila tani po përballet me probleme të rënda sigurie dhe ekonomike. Sepse, tërheqja e Amerikës nga Evropa e vuri BE-në para sfidave të mëdha, në mos edhe shpërbërjes. Dhe shihni tani ironinë tonë: nëse sot i pyesni “patriotët” e partive të ndryshme pse nuk i morën seriozisht paralajmërimet e emisarëve të BE-së që, duke treguar me gisht në orën e tyre, na paralajmëronin të mos humbnim kohë, ndërsa ne qeshnim me ta, “të zvarriturit” do t’ju përgjigjen se BE-ja gjithsesi po shpërbëhet. Por, gjërat nuk janë më për të qeshur.

Autoritetet në ekonomi pajtohen se ky është fundi i Evropës si një nga lojtarët kryesorë në ekonominë botërore, diçka që nuk ka ndodhur për shekuj. Sot, Evropa nuk ka asnjë rol inovativ në ekonominë botërore, e cila është në SHBA dhe, mbi të gjitha, në Kinë. Do të thotë, baza ekonomike e kontinentit është e dëshpëruar. Dhe nuk duhet të jesh marksist për të ditur se gjendja në ekonomi nuk mund të mos ketë pasoja politike. Sepse, nëse kësaj i shtohet lufta e humbur në Ukrainë, fundi i NATO-s, qoftë literal apo ashtu siç e njohim me udhëheqjen e fortë amerikane, dhe turbulencat në skenën politike të brendshme me rritjen e nacionalizmit në BE, e gjithë kjo na çon drejt një të ardhmeje traumatike dhe të pasigurt. Nëse është e vërtetë se “këputet atje ku është më e hollë”, ne në Ballkan jemi në telashe edhe më të mëdha. Lexova kohët e fundit se Kroacia, Shqipëria dhe Kosova po bashkohen në një lloj bashkëpunimi ushtarak, dihet kundër kujt. Bosnja mund të shpërthejë përsëri, si edhe Kosova. Edhe sa kohë do të zgjasë vullneti i Perëndimit për të financuar projektin e shtrenjtë të ruajtjes së kufijve në rajonin tonë dhe a nuk do të heqin dorë në një moment, të vetëdijshëm se në Ballkan nuk funksionojnë zgjidhjet evropiane, por vetëm ato ballkanike? Dhe çfarë ndodh me Maqedoninë?

Në vitet e pavarësisë sonë, presidenti Kiro Gligorov më tha se duhet të mendojmë për t’u dhënë amerikanëve poligonin ushtarak “Krivolak”. Kështu, thoshte ai, NATO do të zgjerohej për 200 kilometra. Iu përgjigja se ideja nuk ishte e keqe, vetëm se problemi ishte se oferta nga vendet e Evropës Lindore ishte shumë e madhe, ndërsa kërkesa për shtete të vogla si Maqedonia, me marrëdhënie problematike me fqinjët, ishte e vogël. Dhe vërtet, ngecëm për 25 vjet me partnerin e tyre Greqinë rreth “emrit”. Sot, në këtë pazar politik ndërkombëtar, ku është Maqedonia? Për fat të keq, në një pozitë të keqe për ne. Në këto tronditje të paparë në gjeopolitikën botërore, kujt i intereson ende për Maqedoninë dhe nëse ajo do të vazhdojë negociatat për anëtarësim në një bashkim, e ardhmja e të cilit është gjithsesi e pasigurt? Dhe çfarë të bëjmë? Të ruajmë paqen dhe të përshtatemi me gjeopolitikën e re, sepse kjo garë sapo ka filluar – një garë me rregullat e realistëve të pamëshirshëm. /Libertas.mk

 

 

Të fundit