E shtunë, 19 Prill, 2025

TREGJET TURKE NË RËNIE MË TË MADHE QË NGA VITI 2008

Aksionet turke janë në rrugë për të shënuar rënien më të madhe javore që nga kriza financiare globale e vitit 2008, pasi shqetësimet lidhur me arrestimin e rivalit kryesor politik të Presidentit Rexhep Tajip Erdogan nuk po qetësohen, raporton Reuters, përcjell KDP.

Lira turke ra me 4% këtë javë, pavarësisht masave agresive nga banka qendrore, ndërsa shitja më e fundit e aksioneve shkaktoi dy ndërprerje të tregtimit në Bursën e Stambollit.

Kriza politike dhe tronditjet ekonomike

Arrestimi i kryetarit të bashkisë së Stambollit, Ekrem Imamoglu, që opozita e quajti “tentativë për grusht shteti”, duket se është kulmi i një ofensive ligjore disamujore kundër figurave opozitare, e cila është dënuar ashpër si një përpjekje politike për të heshtur mospajtimet.

Pas arrestimit, në mbarë vendin shpërthyen protesta dhe mijëra qytetarë marshuan në rrugë.

Deri në orën 14:50 sipas Griniçit, indeksi BIST-100 (.XU100) ra me 7,82%, ndërsa indeksi bankar humbi 9,37% pas rihapjes së tregtimit në orën 08:57. BIST-100 është në rrugë për të shënuar një rënie javore prej 15% — më e madhja që nga tetori i vitit 2008.

Obligacionet shtetërore turke në dollarë ranë për të tretën ditë radhazi, me emetimet afatgjata që humbën 2 centë, ndërsa humbjet javore tejkaluan 3 centë — rënia më e madhe që nga janari i vitit 2024.

Ndërkohë, kostoja e sigurimit të borxhit turk kundër mospagesës u rrit me 18 pikë bazë, duke arritur në 322 pikë — niveli më i lartë që nga marsi i vitit 2024, treguan të dhënat nga S&P Global Market Intelligence.

Ndërhyrjet e Bankës Qendrore

Banka Qendrore, në përpjekje për të frenuar rënien, shiti rreth 10 miliardë dollarë pas nivelit rekord të ulët të lirës të mërkurën, sipas llogaritjeve të ekonomistëve. Ajo ndërmori gjithashtu masa likuiditeti për të kufizuar paqëndrueshmërinë dhe kërkesën për valutë të huaj.

Për më tepër, banka pezulloi ankandin njëjavor të repo-s dhe rriti normën e huadhënies brenda natës në 46%, gjë që ekonomistët e vlerësuan si një shtrëngim të politikës monetare me 350-400 pikë bazë.

Këto masa pritet të rrisin kostot e financimit, çka mund të ndikojë negativisht në bilancet e bankave, të rrisë normat e interesit për kreditë dhe të ulë volumin e kreditimit.

Reagimet dhe pritshmëritë

Ministri i Financave, Mehmet Simsek, të premten i quajti luhatjet e tregut “të përkohshme” dhe tha se po merren masat e nevojshme.

Simsek, i cili u takua me anëtarët e bordit të Shoqatës së Bankave të Turqisë (TBB) në një iftar pas agjërimit, theksoi se programi ekonomik i Turqisë vazhdon të zbatohet me vendosmëri dhe se qeveria ka instrumentet e nevojshme.

Ndërkohë, Banka Qendrore premtoi shtrëngim të mëtejshëm të politikës “në rast se parashikohet një përkeqësim i konsiderueshëm dhe i qëndrueshëm i inflacionit”.

Me këto zhvillime, pritshmëritë për një ulje të normës së interesit në takimin e ardhshëm të Bankës Qendrore, të planifikuar për 17 prill, janë zbehur.

Deri më tani, Banka Qendrore e ka ulur normën bazë të interesit me 750 pikë bazë që nga dhjetori, në 42,5%, pas një cikli shtrëngimi 18-mujor që përmbysi vite të tëra të një politike joortodokse.

“Kjo i dha fund pritshmërive për një ulje të normës në prill dhe shkaktoi një shitje masive të aksioneve bankare”, tha Serhat Baskurt, Shefi i Tregtimit Algoritimik në ALB Yatırım, duke shtuar se lëvizjet e fundit të Bankës Qendrore tregojnë për një kërkesë më të lartë nga sa pritej për valutë të huaj.

JPMorgan, pas rritjes së normës brenda natës të enjten, parashikoi se banka do ta mbajë normën bazë të pandryshuar në 42,5% në prill dhe do të rifillojë ciklin e uljes vetëm nga 19 qershori.

“Këto masa monetare janë joortodokse; megjithatë, është inkurajuese të shihet që Banka Qendrore e Turqisë po merr hapa për të kufizuar rrezikun e dollarizimit mes qytetarëve turq”, thuhet në një raport të JPMorgan.

 

 

Të fundit