E shtunë, 19 Prill, 2025

PARATË NGA BILETAT E NDESHJES MAQEDONI E VERIUT – UELLS DO T’U NDAHEN FAMILJARËVE TË VIKTIMAVE NË KOÇAN

Të martën, në kuadër të kualifikimeve për Botërorin 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë, Maqedonia e Veriut do të përballet me Uellsin. Federata e Futbollit të Maqedonisë (FFM) ka vendosur që të ardhurat nga biletat t’u dhurohen familjarëve të viktimave të tragjedisë në Koçan, transmeton KDP.MK.

Ndeshja do të zhvillohet të martën në Arenën Nacionale “Todor Proeski”, me fillim nga ora 20:45. Ky është takimi i dytë i Maqedonisë së Veriut në kualifikimet për Botërorin, ku bën pjesë në një grup me Uellsin, Belgjikën, Kazakistanin dhe Lihtenshtajnin.

Çmimi i biletave është caktuar në 300 dhe 400 denarë.

“Si shenjë mbështetjeje dhe solidariteti, dua të paralajmëroj se të ardhurat nga biletat e ndeshjes sonë të ardhshme kundër Uellsit, do të dhurohen për të lënduarit dhe familjarët e ndjerëve. Ky është momenti kur futbolli tregon se është më shumë se lojë – futbolli dhe përfaqësuesja bashkohen dhe ndihmojnë”, tha kryetari i FFM-së, Masar Omeragiç.

Në zjarrin tragjik që kaploi një lokal nate në Koçan më 16 mars, humbën jetën 59 persona, ndërsa 196 të tjerë u plagosën dhe po trajtohen brenda dhe jashtë vendit. Varrimi i viktimave u krye më 20 mars.

Sipas raportit të autopsisë, të gjitha viktimat vdiqën nga asfiksia, që u shkaktua drejtpërdrejt nga zjarri.

Drejtori i mjekësisë ligjore në Maqedoninë e Veriut, Aleksandar Stankov, tha se ekspertët e mjekësisë ligjore, patologjisë dhe ekipe nga Ministria e Brendshme morën pjesë në kryerjen e autopsisë për 59 viktimat.

“Disa nga viktimat kishin djegie të shkallës së parë dhe të dytë, por tre persona kishin edhe djegie të shkallës së katërt. Katër persona kishin pësuar thyerje të brinjëve dhe u asfiksuan teksa po tentonin të iknin”, tha Stankov.

Ai tha se janë përdorur dy metoda për të identifikuar viktimat, përmes ADN-së dhe analizimit të shenjave të gishtërinjve. Megjithatë, Stankov tha se ishte e pamundur që të analizonin shenjat e gishtërinjve të katër viktimave, prandaj ata u identifikuan përmes ADN-së.

“Aktualisht po kryhen analiza toksikologjike për të përcaktuar se çfarë gjendej në gjakun e viktimave, edhe pse sipas gjetjeve mikroskopike gjatë kryerjes së autopsive, shumica e tyre kishin monoksid karboni”, tha Stankov.

Hetimet e deritanishme kanë zbuluar shkelje të rënda në funksionimin e diskotekës: mungesë të rrjetit të hidrantëve dhe pajisjeve të mjaftueshme kundër zjarrit, përdorim të paligjshëm të materialeve piroteknike, mungesë të një leje të rregullt pune dhe mungesë kontrate të shkruar mes organizatorit dhe grupit muzikor.

 

Të fundit