E shtunë, 19 Prill, 2025

AGON MALIQI: BALLKANI PERËNDIMOR PO HUMB BUSULLËN DREJT INTEGRIMEVE EUROPIANE

Rajoni i Ballkanit mbetet kryesisht në nivelin e regjimeve hibride apo të ashtuquajturave demokraci elektorale, thotë Agon Maliqi, ekspert i Këshillit Atlantik (Atlantic Council) në një intervistë ekskluzive për KDP.

Ai nënvizon se pushtetet ndoshta zgjidhen me votë, por pa një garë krejtësisht të barabartë. Situata nuk është e njëjtë në të gjitha vendet — diku është më mirë, diku më keq — por trajektorja më shqetësuese, sipas tij, është në Serbi, ku “efektivisht kemi një shtet të kapur.” Në anën tjetër, vende si Kosova kanë shënuar përparim, megjithëse këto arritje mbeten të brishta përballë rreziqeve të regresit dhe prirjeve autoritare të liderëve. “Ajo që vazhdon të mungojë,” thotë Maliqi, “është kultura e institucioneve të pavarura dhe sundimi i ligjit.”

 

Intervistoi: Lorik Idrizi

KDP: Ku po shkon Ballkani Perëndimore ideologjikisht, a i ka hijezuar popullizmi orientimet ideologjike?

Agon Maliqi: Ballkanit Perëndimor i është dobësuar busulla e jashtme e integrimeve. Procesi i integrimit në BE ka shërbyer si udhërrëfyes për shtet-ndërtim e shteteve tona brenda parimeve të demokracisë liberale dhe të drejtave të njeriut. Ky magnet i jashtëm ka shumë vite që është dobësuar dhe e ka ekspozuar brishtësinë e rajonit dhe kulturën e mangët demokratike. Gjithsesi, formalisht vendet tona mbeten të orientuara drejt integrimit në BE por rezonancë gjithnjë e më të madhe kanë ideologjitë alternative populliste, sovraniste, etnocentrike, Sidomos në këtë moment kur në vetë shtetet perëndimore që dikur shërbenin si frymëzim për demokracinë liberale, këto vlera janë duke u kontestuar. Pasojë e gjithë kësaj është jo vetëm brishtësia më e madhe e demokracisë në rajon por rreziku të cilin popullizmi e sjell për marrëdhëniet ndëretnike dhe rajonale.

KDP: Çfarë impakti mendoni se mund të ketë zgjedhja Trump-it në Ballkanin Perëndimor?

Agon Maliqi:  Ndikimi tashmë ka filluar të ndihet. Deri më tani nuk ka fokus të SHBA në rajonin tonë sepse prioritet janë zona të tjera, por mund të pritet se si rajon do të kthehemi në arenë më shumë të garës sesa të komplementaritetit mes SHBA dhe BE. Kjo mund ta fragmentojë rajonin duke i shtyrë vendet në orientime të ndryshme. Fokusi i SHBA gjithashtu do të jetë më i madh te marrëdhëniet ekonomike ndërkohë që hiqen nga agjenda çështjet që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Efektet anësore të ndalesës së ndihmave amerikane po vërehen edhe në Ballkan. Në parim nga kjo frymë mund të shkaktohen shumë probleme, por krizat edhe mund të kthehen në mundësi. Trump mund t’ia japë një shkundje dhe presion produktiv BE-së për të ecur më shpejt me integrimet evropiane dhe për të luajtur rol më dinamik. Gjithashtu, dialogu SHBA-Rusi i cili po merr më shumë vëmendje për Ukrainën duket se është dialog më i gjerë për shumë vatra të ndryshme të krizës dhe këtu ndoshta do të ndikohet edhe Ballkani. Nga ky dialog mund të ketë pasoja edhe në çështjen e kontestit mes Kosovës dhe Serbisë.

KDP: A po bëhet e djathta më e djathtë në shumë vende të Europës Perëndimore?

Agon Maliqi:  Besoj se në përgjithësi po forcohen ekstremet kundërshtare të konsensusit liberal, të vlerave liberale dhe të institucioneve si BE dhe NATO, e në shumicën e vendeve po kapitalizon më shumë e djathta. Rebelimi kundër normave dominuese e ka shtyrë gjithë spektrin drejt ekstremeve, siç tregoi edhe rezultati i zgjedhjeve në Gjermani ku partitë tradicionale humbën vota drejt ekstremit të majtë dhe të djathtë. Megjithatë, e rëndësishme për Evropën nga pikëpamja e sigurisë është ka dallime në ngjyrimet e së djathtës. Ndërkohë që duket sikur ka konsensus për çështjen e migracionit, ka dallime thelbësore në politikat e sigurisë dhe asaj të jashtme në raport me Rusinë. Për shembull, Meloni në Itali nuk është e ngjashme me të djathtën ekstreme në Austri në këtë pikë. Pjesa më e brishtë e Evropës dhe NATO-s për momentin duket të jetë Evropa Lindore, nga ish-Gjermania Lindore e deri në Rumani, ku po formësohet një bosht konservator me simpati për Rusinë.

KDP: A ka ndikuar rritja e popullizmit në esencat e demokracisë në Evropë?

Agon Maliqi:  Nuk do të kufizohesha vetëm në Evropë por edhe në SHBA dhe në perëndimin në përgjithësi. Popullizmi është përgjithësisht shpërfillës ndaj institucioneve të pavarura dhe organizmave ndërkombëtarë, duke synuar që t’ia “rikthejë popullit” sovranitetin prej institucioneve si gjykatat apo traktatet ndërkombëtare që shihen si jolegjitime. Në këtë kuptim popullizmi vërtet e ka cenuar shumë demokracinë liberale dhe rendin liberal ndërkombëtar.

KDP: Si e vlerësoni nivelin e demokracisë në vendet e Ballkanit Perëndimor?

Agon Maliqi:  Mbetemi si rajon kryesisht në nivelin e regjimeve hibride, apo demokracive elektorale ku pushtetet ndoshta zgjidhen me votë por pa garë krejt të barabartë. Gjithsesi jo të gjitha shtetet janë njëlloj dhe diku është më mirë e diku më keq. Trajektorja më negative është në Serbi ku efektivisth kemi shtet të kapur. Në disa shtete si Kosova ka përparim, por gjithmonë përparimet janë të brishta ndaj regresit dhe dehjeve autoritare të liderëve, sepse vazhdon të mungojë kultura e institucioneve të pavarura dhe e sundimit të ligjit.

 

 

Të fundit