E martë, 29 Prill, 2025

FQINJËT VAJTOJNË ME NE

Shkruan: Denko Maleski

Zgjohem herët për t’iu përgjigjur ftesës dhe për t’u kyçur në emisionin e mëngjesit në “Euronews-Bulgaria”. Arsyeja: tragjedia në Koçan.

Në Bullgari sot është ditë zie për viktimat në vendin tonë. Prezantuesja më thotë se kjo është hera e parë që shteti shpall një ditë zie për një ngjarje tragjike në një vend tjetër. Flamujt janë në gjysmë shtizë dhe radhë qytetarësh bullgarë presin për të dhuruar gjak për të plagosurit nga diskoteka, të cilët janë transferuar në spitalet e tyre, më thotë ajo. Pse, pyet më shumë retorikisht, kur ka kaq ndjenja të bukura reciproke mes njerëzve, marrëdhëniet tona ndërshtetërore nuk janë të mira?

A janë fajtorë vetëm politikanët? Dhashë një përgjigje si munda, por kjo pyetje më mbeti në mendje gjatë gjithë ditës. Mendimi se sot fqinjët vajtojnë me ne.

Sepse, ditë zie shpallën edhe Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Populli maqedonas është i dashur dhe i respektuar nga fqinjët e tij, mendova. Kjo duhet të kultivohet sepse është diçka e rrallë në marrëdhëniet ndërkombëtare, ku interesat përcaktojnë sjelljen e shteteve.

Është e rrallë që fqinjët të kenë ndjenja kaq të bukura si ato ndaj nesh. Në fakt, Maqedonia, si të gjitha shtetet e vogla, nuk ka një status të vërtetë gjeopolitik: nuk ndikon në politikën e jashtme apo ekonominë e shteteve të tjera, por ndikohet prej tyre.

Megjithatë, edhe pse një shtet i vogël që nuk ka fuqinë të ndikojë, Maqedonia ka fuqinë të bashkojë. Jo vetëm në dhimbje, si tani, por nesër edhe në gëzim. Këto marrëdhënie të mira fqinjësore duhen kultivuar përmes diplomacisë. Por edhe me ndjenja të bukura ndaj të gjithëve, veçanërisht ndaj atyre që na shtrinë dorën e solidaritetit në këto çaste të vështira për kombin dhe shtetin tonë.

Të fundit