Hetimet për zjarrin në diskotekën “Puls” në Koçan, që la pas 59 viktima, zbuluan se pranë lokalit ndodhej një depo nafte. Rezervuari ishte pjesë e një pike karburanti dhe u gjet nga ekipet e kriminalistikës, tha të martën Ministria e Punëve të Brendshme.
“Gjatë kontrollit, u konstatua prania e një depoje nafte pranë objektit, por të gjitha rrethanat e tjera janë ende në hetim”, tha Prokuroria.
Sipas shërbimit zjarrfikës lokal, rezervuari ndodhej në një objekt tjetër, rreth 50 metra larg diskotekës, dhe në momentin e incidentit ishte bosh, deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Tragjedia ndodhi të dielën në orën 2:30 të mëngjesit, kur rreth 500 të rinj po ndiqnin një koncert. Zjarri, i shkaktuar nga efektet piroteknike, shkaktoi panik dhe viktimat humbën jetën si pasojë e zjarrit, tymit dhe shtypjes nga turma.
Të paktën 196 persona u plagosën, përfshirë 20 fëmijë. Autoritetet vendosën arrestimin e përkohshëm për 16 persona, mes tyre ish-ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, dhe ish-drejtori i Inspektoratit të Tregut, Goran Trajkovski. Ata akuzohen për vepra të rënda për shkaktim të rrezikut publik dhe neglizhencë.
Tragjedia nxori në pah mangësitë sistemike dhe shkeljet e ligjeve. Diskoteka, që funksiononte në një ambient të destinuar për industrinë e lehtë, nuk kishte licencë dhe nuk respektonte rregullat bazë të sigurisë. Kryeministri Hristijan Mickoski premtoi ndryshime ligjore për të rritur kontrollet mbi licencat e lokaleve të natës dhe ngritjen e një grupi pune për mbikëqyrjen e tyre.
“Asnjë objekt që nuk i përmbush kushtet minimale teknike nuk do të lejohet të funksionojë”, tha Mickoski.
Sipas tij, ligji aktual i vitit 2007 lejon subjektet e biznesit të vetëdeklarojnë se përmbushin kushtet, duke shmangur inspektimet rregullta.
Funerali i viktimave pritet të mbahet të enjten në Koçan.