Kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, nuk u paraqit menjëherë në publik pas ngjarjes, nuk mbajti konferencë për shtyp dhe nuk shprehu ngushëllime për viktimat. Të nesërmen, ai dha dorëheqje përmes rrjeteve sociale. Ky veprim e rriti edhe më tej zemërimin e qytetarëve, që protestuan para Komunës duke kërkuar përgjigje, shkruajnë mediat në gjuhën maqedonase, përcjell KDP.
Tragjedia në diskotekën “Puls” në Koçan, ku humbën jetën 59 të rinj dhe mbi 150 të tjerë u plagosën, ngriti shumë pyetje mbi përgjegjësinë e institucioneve të ndryshme, përshirë edhe vetëqeverisjen lokale.
Ndonëse Papazovi u thirr për marrje në pyetje, përgjegjësia e tij ende nuk është vërtetuar formalisht. Kryeministri Hristijan Mickoski deklaroi se ai nuk ka faj në funksionimin e diskotekës së paligjshme. Megjithatë, pyetja mbetet: A është me të vërtetë i pafajshëm pushteti lokal?
Sipas dispozitave ligjore, kryetari i komunës dhe inspektorët komunalë kanë detyrime të drejtpërdrejta për mbikëqyrjen e objekteve hotelerike. Ligji për veprimtarinë hotelerike parasheh qartë se kryetari i komunës është i përgjegjshëm për regjistrimin dhe kategorizimin e objekteve, si dhe për dërgimin e raporteve tek organet shtetërore kompetente (nenet 8, 25 dhe 47).
Neni 8 detyron kryetarin të mbajë regjistër të hotelierëve që nisin punë në territorin e komunës. Sipas nenit 25, objekti hotelierik duhet të njoftojë kryetarin dhe Inspektoratin Shtetëror të Punës mbi orarin e punës së objektit, tetë ditë para fillimit të veprimtarisë ose ndryshimit të orarit. Neni 47 e obligon kryetarin të dorëzojë raporte gjashtëmujore pranë autoriteteve shtetërore për ndryshimet në regjistër.
Kjo nënkupton se, në rast se kishte parregullsi në punën e diskotekës “Puls”, vetëqeverisja lokale kishte mundësi dhe detyrim ligjor për të reaguar.
Papazovi u zgjodh kryetar i Komunës së Koçanit më 8 nëntor 2021, si pjesë e VMRO-DPMNE-së. Banorët lokalë thonë se festa për fitoren e tij dhe të partisë u mbajt pikërisht në objekte në pronësi të të njëjtit pronar.
Sikur institucionet komunale të funksiononin siç duhet, objekte të tilla nuk do të mund të operonin pa dokumentacion dhe kontroll të duhur. Dilema që lind është: A po kërkohet drejtësi e vërtetë, apo po kërkohet vetëm të gjenden “peshqit e vegjël” për të mbuluar dështimet sistemike?
Përhapja e zërave se kjo situatë po përdoret për lojëra politike dhe se persona të caktuar do të ndëshkohen vetëm për të mbrojtur strukturat udhëheqëse, po rrit shqetësimin publik. Vetëqeverisja lokale, me kompetencat e saj, ka rol kyç në rregullimin dhe kontrollin e objekteve hotelerike. Mungesa e reagimit në rastin e diskotekës “Puls” tregon për dështime të mundshme në zbatimin e ligjeve.
Nevojitet një hetim i thelluar që nuk do të kufizohet vetëm në ndëshkimin e niveleve më të ulëta, por do të mbulojë gjithë strukturën e përgjegjësisë – nga niveli komunal deri tek institucionet më të larta shtetërore.