Kur flasim për dorëheqjen dhe shërbimin, ne kemi parasysh një vend normal demokratik. A është Maqedonia e Veriut e tillë?
Shkruan: Xhelal Neziri
Çdo politikan ambicioz duhet ta dijë se kur e merr një funksion, e merr një detyrë. Ajo detyrë është t’i shërbesh vendit, popullit tënd pasi ti dhe njerëzit që të rrethojnë kanë vlerësuar se mund të jesh një shërbetor i mirë i qytetarëve. Nëse nuk arrin t’i shërbesh si duhet, largohesh, japësh dorëheqje pa menduar dy herë. Mund të kesh qëllimin e mirë, mund të mos kesh fare faj, por kur ndodh një tragjedi si ajo në Koçan, ku humbën jetën 59 persona e mbi 150 u lënduan, dorëheqja e ministrit apo ministrave të emëruar që shërbejnë është akti i parë që duhet të ndodhë.
Kur flasim për dorëheqjen dhe shërbimin, ne kemi parasysh një vend normal demokratik. A është Maqedonia e Veriut e tillë?
Në vitin 2018 në Laskarcë të Shkupit vdiqën 13 shtetas në një aksident autobusi. Në vitin 2021 një autobus u dogj në rrugët e Bullgarisë me 45 udhëtarë brenda teksa udhëtonte nga Turqia. Në po të njëjtin vit në Tetovë u dogjën të gjallë 14 njerëz, që mjekoheshin nga koronavirusi në spitalin modular në Tetovë. Këto ditë në Koçan vdesin 59 të rinj shkaku i diskotekës pa asnjë standard sigurie, që organizon koncert pa asnjë protokoll sigurie, por që askush nuk ia vë drynin.
Cili ministër dha dorëheqje pas këtyre tragjedive? Në tragjeditë e vitit 2018 dhe 2021 ministrat e koalicionit LSDM-BDI u shpëtuan me marifete mediatike. Tani nuk kanë se si të kërkojnë nga ministrat e VMRO-DPMNE-së të japin dorëheqje për këtë tragjedi. Pas disa viteve, një qeveri tjetër nuk do të “sakrifikojë” asnjë ministër në tragjedinë e radhës, pasi tashmë është bërë praktikë. Praktika në demokraci ndonjëherë është më e fuqishme se ligji dhe kushtetuta. Praktika që po i përsërit e ripësërit tragjeditë, ku të gjithë janë fajtorë përveç fajorëve të vërtetë.
Si funksionon bota normale? Ja 10-të shembuj se si kanë reaguar qeveritë:
- Këtë vit në Serbi dorëheqje dha kryeministri Milosh Vuçeviq. Arsyeja – shembja e një çatie në stacionin hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona.
- Drejtoresha e Shërbimit Sekret të SHBA-së, Kimberly Cheatle, në vitin 2024 dha dorëheqjen pas një atentati ndaj Donald Trump. Në dëshminë e saj para Kongresit, Cheatle e cilësoi ngjarjen si “dështimin më të madh operacional” të agjencisë në dekada.
- Në vitin 2023 në Spanjë, pas përmbytjeve fatale në Valencia, Mbreti Felipe VI u përball me zemërimin e banorëve, të cilët kërkuan dorëheqjen e kryeministrit Pedro Sançez, duke e akuzuar për menaxhim të dobët të krizës.
- Ministri i Transportit, Kostas Karamanlis, më 28 shkurt 2023 dha dorëheqje pas një përplasje fatale mes dy trenave në Larisë, Greqi, që shkaktoi vdekjen e 57 personave.
- Kryeministri rumun, Viktor Ponta, dha dorëheqjen së bashku me disa anëtarë të kabinetit të tij pasi më 30 tetor 2015, një zjarr në klubin e natës “Colectiv” në Bukuresht u mori jetën 64 personave dhe plagosi qindra të tjerë
- Ministri i Transportit në Japoni, Toshihiro Nikai në vitin 2005 dha dorëheqjen pas daljes nga shinat të një treni në Amagasaki, ku humbën jetën mbi 100 persona.
- Kryeministrja daneze, Helle Thorning-Schmidt, në vitin 2015 dha dorëheqjen pas të shtënave në Kopenhagë.
- Kryeministri japonez, Eisaku Sato në vitin 1964 ka dhënë dorëheqje pas tërmetit në Niigata, duke marrë përgjegjësi morale.
- Kryeministri izraelit, Ehud Olmert, në vitin 2008 dha dorëheqjen pas kritikave për menaxhimin e Luftës së Dytë të Libanit.
- Presidentja e Shri Lankës, Chandrika Kumaratunga, në vitin 1999 dha dorëheqjen si Presidente pas një incidenti me bombë që ngriti pyetje mbi masat e sigurisë.
Nëntë muaj pas marrjes së pushtetit, kryeministri Hristijan Mickoski, kërkon përgjegjësit gjithandej, por jo në kabinetin qeverisës. Dorëheqjet si akt moral jepen për të ruajtur besimin e qytetarëve në institucione, në rastin konkret të qeverisë. Nëse kjo nuk do të ndodhë, besimi i qytetarëve në pushtetin ekzekutiv do të barazohet me atë të gjyqësorit. Kurse ministrat, ndërkaq, do të kenë një imunitet absolut të ngritur mbi tragjeditë e njëpasnjëshme.