E martë, 29 Prill, 2025

NËN GËRMADHAT E NJË SHTETI TË KALBUR

Mbi 30 vite Maqedonia e Veriut improvizon me idenë e të qenit shtet. Dhe, ja ku jemi sot, në këtë gërmadhë absurde të quajtur shtet, në këtë djerrinë, në të cilën secili bën sikur, ndërsa tragjeditë ripërsëriten. Akomodimi i injorancës në sistemin institucional, i njerëzve jokompetentë, pa dinjitet dhe ndërgjegje profesionale ka prodhura djerrinën e madhe të substandardeve, potencialitetet fatale mbi jetët e njerëzve.  Koha është për kthesë rënjësore, për përgjegjësi, për të gjitha rastet tragjike të deritashme, por edhe për një katarzis mental për një shndërrim shoqëror, për ndërrim të modelit shoqëror, nga ai feudal me premisa kriminale në modelin e dijes dhe pëgjegjësisë.

Bardhyl Zaimi

Mbi 30 vite Maqedonia e Veriut improvizon me idenë e të qenit shtet. Mbi 30 vite injoranca dhe krimi politik është etabluar në institucionet vendimmarrëse nëpërmjet rekrutimeve partiake dhe në bashkëveprim me oligarkitë kriminale. Një shtet i kapur që nga fillimi me metastaza fatale në të gjitha institucionet. Me këto metastaza injorance dhe krimi institucional, secili nga ne mund të jetë viktimë potenciale, çdo qytetar pa dallim. Fatkeqësisht gjatë tërë kohës është ushqyer mendësia e relativizimit, ose e mbulimit të kësaj logjike kriminale me tema tjera mobilizuese. Logjika ” e njoh njërin” na ka sjellë tragjedi të njëpasnjëshme, sikundër është edhe tragjedia më e fundit e Koçanit.

Dhe, gjithë kjo mendësi për tridhjetë vite ka krijuar kënetën e madhe institucionale, kalbjen e sistemit dhe ngritjen mbi këtë kalbje të një tipologjie politikanësh, që kanë abuzuar me politikën si art i qeverisjes së mire, duke metastazuar si mendësi në gjithë poret e shoqërisë. Me polarizime përfituese permes temave “të rënda”, që në kushte dhe në shtet normal mund të zgjidhen pa ndonjë siklet të madh, është mbuluar në fakt korrupsioni, krimi si kancer i shoqërisë.

Tridhjetë vite në Maqedoninë e Veriut, elitat e vetëshpallura politike të lidhura me njëmijë fije me krimin dhe korrupsionin, kanë rrënuar çdo normalitet të funksionimit të institucioneve. Gjatë tërë kohës ka mbretëruar logjika e njerëzve të “sukseshëm”, që mund të definohen me vargun e Shekspirit “ i zoti për nga shumica e poshtërësive”. Çdo vullnet i qytetarëve për ndryshim është skematizuar fatalisht vetëm me ndërrim pushteti të partive, pa arritur të prek në esencën e gjërave, në atë që nënkupton sistem, në atë që nënkupton logjik tjetër qeverisjeje.

Fatkeqësisht, gjatë tërë kohës kemi pasur një farsë të madhe ndryshimi, ndërkohë që aktorë të njëjtë, grupime me po të njëjten logjikë, janë instaluar në emër të ndryshimit dhe progresit. Kjo ka prodhuar kulturën e përgjithshme të relativizimit, kulturën e harresës dhe të përshtatjes fatale me mendësinë të instaluar si elitë politike dhe ekonomike në Maqedoninë e Veriut.

Politika gjithnjë ka mbetur një korridor i pështjelluar dhe i pashpresë njëjtë si te “Procesi” i Kafkës. Me vite në Maqedoni, politika ka funksionuar korridoreve me “pëshpëritje” të lehta, duke ia zënë frymën jetës institucionale, gjegjësisht funksionimit normal të institucioneve. Nga majat e “Olimpit politik” është dirigjuar çdo gjë në jetën publike dhe në të shumtën e rasteve janë servuar zgjidhje për qytetarët pa ndonjë debat të qenësishëm dhe pa dijen e nevojshme mbi situatat, të cilat vazhdimisht kanë prodhuar ngërçe institucionale dhe substandarde. Gjatë kohë në Maqedoni e Veriut ka një perceptim grotesk mbi politikën si një “lojë” që luhet diku prapa perdeve të opinionit. Në librin e tij, “Fundi i pasionit politik” eseisti nga Barcelona, Josep Ramoneda, paralajmëron fundin fatal të politikës, duke iu bërë autopsinë gjithë keqkuptimeve që shfaqen mbi nocionin “politikë”, por edhe duke rikthyer në vëmendjen e opinionit kuptimin autentik të politikës si një hapësirë jetike të lirisë dhe vetërealizimit qytetar. Mes tjerash, ky autor, me shumë inteligjencë vë në dukje se është krijuar një perceptim i mbrapshtë që prapa perdeve të politikës ndodhen do super-njerëz, të vetmit të denjë që të merren me fatet e njerëzve të tjerë. Pikërisht, ky perceptim autoritar krijon nga politika një zonë të errët të paprekshme ku realisht ndodhin të gjitha fatalitet që ndërlidhen me jetën e qytetarëve.

Dhe, ja ku jemi sot, në këtë gërmadhë absurde të quajtur shtet, në këtë djerrinë, në të cilën secili bën sikur, ndërsa tragjeditë ripërsëriten. Akomodimi i injorancës në sistemin institucional, i njerëzve jokompetentë, pa dinjitet dhe ndërgjegje profesionale ka prodhura djerrinën e madhe të substandardeve, potencialitetet fatale mbi jetët e njerëzve.

Koha është për kthesë rënjësore, për përgjegjësi, për të gjitha rastet tragjike të deritashme, por edhe për një katarzis mental për një shndërrim shoqëror, për ndërrim të modelit shoqëror, nga ai feudal me premisa kriminale në modelin e dijes dhe pëgjegjësisë.

Të fundit