Në Koçan, situata është tensionuar gjatë protestës së organizuar nga familjarët dhe qytetarët, të cilët dolën të hënën për të nderuar 59 viktimat që humbën jetën në mëngjesin e 16 marsit, pas shpërthimit të një zjarri në diskotekën “Pulse”, njofton KDP.MK.
Lotët e dhimbjes po shndërrohen në revoltë në Koçan, me kërkesa për përgjegjësi për tragjedinë që mori jetën e 59 të rinjve dhe la 20 të tjerë në gjendje të rëndë.
Protesta e qytetarëve të Koçanit, e cila filloi në heshtje dhe me trishtim, shpejt u tensionua.
Protestuesit u drejtuan përpara Komunës, duke hedhur gurë dhe vezë, dhe duke thirrur “Vrasës, dilni jashtë”.
Protesta u intensifikua kur turma nisi të kërkonte përgjegjësi nga kryetari i Komunës, i cili nuk u shfaq në vendin e tragjedisë, nuk shprehu ngushëllime publike dhe nuk vizitoi të plagosurit në spital. Vetëm mëngjesin e sotëm ai shkroi në Facebook se po jep dorëheqje dhe kërkoi hetime mbi zjarrin.
Shiko edhe këtë:
Protestuesit më pas shkuan në kafenenë “Klasik”, në pronësi të pronarit të diskotekës “Pulse”, dhe shkatërruan objektin, duke thyer tarracën e xhamtë, karriget dhe tavolinat.
Institucionet hetimore kanë arrestuar 23 persona dhe paralajmërojnë arrestime të tjera, por ende nuk ka persona të dyshuar nga autoritetet lokale. Prokuroria ka njoftuar se po vazhdonë seancat për caktimin e paraburgimit për të dyshuarit.
Kryeministri Hristijan Mickoski ka akuzuar partitë opozitare, Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI) dhe LSDM-në, “për dhënien e licencave të falsifikuara”.
“Nuk do të kemi mëshirë, nga shtëpitë do t’i nxjerrim për veshi! Nëse mendojnë se do të luajnë në kartën etnike dhe politike që mbrëmë u përpoqën përmes konferencave të mesnatës. Të gjithë nga shtëpitë do t’i tërheqim për veshi”, tha Hristijan Mickoski.
Mickoski iu referua nënkryetarit të BDI-së, Arbër Ademi, i cili në orët e vona të mbrëmjes, para stacionit policor, tha se pushteti po tenton t’i hedhë fajin strukturave të mëparshme të integristëve, duke përmendur edhe ish-Ministrin e Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili po mbahet në paraburgim për 48 orë.
Ademi mbajti një konferencë për media edhe sot, ku theksoi se tragjedia nuk duhet shfrytëzuar për përfitime politike.
“Mendojmë se nuk është koha për politikë, por për llogaridhënie… Në Koçan, me 31,602 banorë dhe vetëm dy objekte që operojnë si klube nate apo kabare, Papazov dhe autoritetet e komunës e dinin dhe e kishin obligim ta dinin se kompania MMMM-Kafe Doel Koçani nuk kishte licencë dhe nuk i plotësonte kushtet,” deklaroi Arbër Ademi.
Hetimet tregojnë se diskoteka nuk kishte rrjet hidranti, aparate PP të mjaftueshëm, përdorte material piroteknik të paligjshëm, dhe nuk kishte as leje pune të ligjshme. Po ashtu, nuk ishte lidhur ndonjë kontratë me shkrim mes organizatorëve dhe grupeve muzikore.