E shtunë, 19 Prill, 2025

TRAGJEDI NË KOÇANË: TË PAKTËN 51 TË VDEKUR DHE MBI 100 TË PLAGOSUR NGA ZJARRI NË NJË DISKOTEKË

Të paktën 51 persona kanë humbur jetën dhe mbi 100 janë shtruar në spital pas një zjarri shkatërrues që shpërtheu në orët e para të së dielës në diskotekën “Puls” në Kumanovë, njoftoi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.

Sipas Toshkovskit, zjarri u shkaktua nga shkëndijat e fishekzjarreve të përdorura për efektet e dritës.

“Shkëndijat me shumë gjasë kanë përfshirë tavanin, i cili ishte i përbërë nga material lehtësisht i djegshëm. Flakët u përhapën me shpejtësi, duke krijuar një tym të dendur,” shpjegoi Toshkovski.

Ministria e Brendshme informoi se të gjithë personat e lidhur me organizimin e ngjarjes janë arrestuar, ndërsa hetimet mbi shkaqet e tragjedisë janë në vazhdim. Po merren në pyetje dëshmitarët dhe personat përgjegjës.

“Me dhimbje të thellë e informoj publikun se deri tani kemi humbur 51 jetë, ndërsa mbi 100 persona po marrin trajtim mjekësor. Ministria e Brendshme po ndërmerr të gjitha masat e nevojshme për të përcaktuar përgjegjësinë,” deklaroi Toshkovski, duke paralajmëruar konferenca të rregullta për shtyp për të informuar publikun mbi ecurinë e hetimeve.

Reagimi i institucioneve

Në vendngjarje ndodhen ministri i Brendshëm Pançe Toshkovski, drejtori i Qendrës për Menaxhimin e Krizave, Stojançe Angelov dhe drejtori i Byrosë për Siguri Publike, Aleksandar Janev, të cilët po mbledhin informacione para se të japin një deklaratë zyrtare. Është njoftuar edhe mbërritja e kryeministrit Hristijan Mickoski.

Sipas Prokurorisë Publike, të gjitha shërbimet përkatëse janë në terren, duke përfshirë një prokuror nga Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës. Në vijim janë veprimet hetimore për të përcaktuar numrin e viktimave dhe të plagosurve, si dhe shkaqet e tragjedisë.

Thirrje për ndihmë dhe mungesë materialesh mjekësore

Televizioni Telma raportoi se një numër i madh prindërish po kërkojnë informacion mbi vendndodhjen e fëmijëve të tyre, ndërsa shumica e të plagosurve janë transportuar në spitalet e Kumanovës dhe të Shtipit, dhe disa të tjerë janë transferuar në klinikat e Shkupit.

Të afërmit dhe miqtë e të plagosurve po publikojnë fotografi në rrjetet sociale, duke bërë thirrje për informacione mbi gjendjen dhe vendndodhjen e të dashurve të tyre. Ndërkohë, po përhapen thirrje urgjente për ndihmë mjekësore, për shkak të mungesës së batanijeve fiziologjike, bombolave të oksigjenit dhe ujit në spitalin e Kumanovës. Para spitalit në Shtip, qytetarë të shumtë janë mbledhur, të tronditur dhe në lot.

Kryeministri Mickoski shpreh ngushëllime dhe premton mbështetje

Kryeministri Hristijan Mickoski shprehu dhimbje të thellë për tragjedinë, duke e cilësuar ditën e sotme si një “ditë të rëndë dhe shumë të trishtë” për vendin.

“Me dhimbje të madhe e mora lajmin për këtë tragjedi të tmerrshme në Kumanovë. Kjo është një ditë e rëndë dhe shumë e trishtuar për Maqedoninë e Veriut. Humbja e kaq shumë jetëve të reja është e pazëvendësueshme, ndërsa dhimbja e familjeve, të afërmve dhe miqve është e paimagjinueshme,” deklaroi Mickoski.

Ai u bëri thirrje të gjitha institucioneve përkatëse — shërbimeve shëndetësore, policisë dhe autoriteteve lokale — të marrin masa urgjente për të ndihmuar të plagosurit dhe për të mbështetur familjet e prekura.

Anulohen udhëtimet dhe samitet

Për shkak të tragjedisë, kryeministri Mickoski anuloi udhëtimin për në Podgoricë, ku do të merrte pjesë në samitin e Partisë Popullore Evropiane (EPP), të planifikuar për nesër. Kabineti i tij njoftoi gjithashtu se ai do të kërkojë shtyrjen e samitit për Ballkanin Perëndimor, i cili ishte planifikuar për të mërkurën dhe të enjten.

Organet hetimore po vazhdojnë mbledhjen e provave, ndërsa publiku pret me padurim rezultatet zyrtare mbi shkaqet dhe përgjegjësinë për këtë tragjedi.

Të fundit