Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier mori pjesë në një iftar në Berlin, një gjest që vjen në një kohë kur debati mbi diversitetin dhe integrimin është i ndezur.
Presidenti i Gjermanisë, Frank-Walter Steinmeier, mori pjesë në një iftar me besimtarët myslimanë në një xhami në Berlin. Vizita u zhvillua gjatë muajit të Ramazanit, një periudhë ku myslimanët agjërojnë nga agimi deri në perëndim të diellit.
Presidenti Steinmeier theksoi rëndësinë e respektit ndërfetar: “Le të tregojmë se respektojmë edhe rrugët e tjera të besimit dhe përfytyrimit për hyjnoren, përveç atyre që ndjekim vetë”, tha ai në fjalën përshëndetëse.
Sinjal mbështetës kundër islamofobisë në rritje
Imami i xhamisë, Amir Aziz, vlerësoi vizitën si një sinjal mbështetjeje për myslimanët në Gjermani: Pjesëmarrja e Presidentit është një mesazh i fortë për myslimanët në Gjermani – se ata janë pjesë e këtij vendi dhe e këtij kombi.
Xhamia Wilmersdorf në Berlin është një nga xhamitë më të vjetra në Gjermani, dhe shënon këtë vit 100 vjet nga themelimi i saj
Vizita e Presidentit vjen në një periudhë kur, sipas organizatës monitoruese CLAIM, islamofobia ësht ë në rritje në Gjermani. Por edhe rritja e partisë së djathtë së skajshme, AfD, e njohur për qëndrimet e saj ndaj Islamit, përbën shqetësim për organizatat që merren me dialogun ndërfetar. Ato kërkojnë që të ndërmerren hapa konkrete për të rritur tolerancën ndërfetare. Roland Stolte, Drejtor i Concept House of One, i tha DW se simbolet kanë rëndësinë e tyre, sepse tregojnë se këto janë tema me peshë. “Por dialogu ndërfetar nuk duhet të mbetet një diskutim i kufizuar për një grup të vogël, por duhet të bëhet pjesë e shoqërisë dhe kulturës.”/DW/