Kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela i ftuar në emisionin Klan Debat në televizionin Klan demantoi aludimet e Arben Taravarit nga VLEN se Aleanca për Shqiptarët do të shkrihet në BDI.
“Arben Taravari është dobiq politik, ai provokoi vetë me deklaratë se Ali Ahmeti duhet të japë dorëheqje. Kush është ai të kërkojë dorëheqje nga Ahmeti? A është i BDI-së? Jo. Pra, ishte provokim, sepse me qëllim e bëri atë deklaratë që pas humbjes së vulave, të referohet në atë se pse BDI u gëzua që ASH-së ia morën vulat. Unë i them që nuk kam qenë kurrë dhe nuk do të shkrihemi në BDI. Unë s’kam qenë BDI, kurse Taravari po. Ai le të tregojë se prej kujt e bleu shtëpinë në Shkup për të cilët u akuzua dhe nga partnerët e koalicionit. Taravari vetëm se po i reciklon gënjeshtrat e veta dhe vetëm po i afatizon…”, tha Sela.
Reagimi i tij vjen pas akuzave që kohë më parë i bëri Taravari, i cili në një intervistë për Radion Evropa e Lirë tha se “Sela më parë bëhet BDI sesa t’i bashkëngjitet koalicionit qeverisës”.
Lidhur me vulat e partisë, për të cilat Gjykata e Tetovës vendosi qe t’i takojnë Ziadin Selës, ai tha se është një vendim i drejtë.
“Kur e ndërtova ASH-në, dhash gjithçka. Kohë, mund e përkushtim, që shqiptarët të ndihen më të barabartë. Nuk ja vlen të humb kohë më deklaratat e krahut të Taravarit. Taravari para disa kohe tha se jemi rehat sepse vendimi i gjykatës do të jetë pa ndikim dhe tani del e thotë ndryshe. Taravari iku si qyqar nga përballja me anëtarësinë dhe kuvendin e ASH-së. Në bazë të botës së vlerave dhe virtyteve, dihet në cilin taborr janë themeluesit e ASH-së”, tha Sela.
Ai tha se tashmë me këto lëvizjet politike të manifestuara nga Arben Taravari, dikush nga faktorët politik në vend, po tentojnë t’i shkelin shqiptarët.
Sela drejtoi akuza të ashpra edhe në adresë të drejtuesve tjerë të VLEN-it, duke thënë se janë njerëz pa parime që dëshirojnë vetëm të jenë në pushtet.