Ministri i Shëndetësisë dhe lideri i njërit prej fraksioneve të Aliancës për Shqiptarët, Arben Taravari, deklaroi se partia e tij vazhdon të funksionojë pavarësisht vendimit të Gjykatës Themelore në Tetovë, e cila njohu Ziadin Selën si kryetar të partisë. Taravari theksoi se procesi ligjor është ende në apel dhe se shumica e anëtarësisë vazhdon të jetë në anën e tij.
“Partia funksionon normalisht, mbi 80% e anëtarësisë është me ne. Nuk është e rëndësishme se si quhet partia apo kush e drejton, por kush ka mbështetjen e anëtarëve,” tha Taravari për Radio Evropa e Lirë.
Në lidhje me mundësinë që fraksioni i Selës të bashkohet me qeverinë, Taravari mohoi çdo negociatë dhe tha se ish-kryetari i partisë është më afër me Bashkimin Demokratik për Integrim (BDI).
“Ziadin Sela është shumë pranë Ali Ahmetit. Ka më shumë gjasa që ai dhe grupi i tij të bashkohen me BDI-në sesa të bëhen pjesë e qeverisë aktuale,” theksoi Taravari.
Taravari u shpreh se nuk ka gjasa për një bashkim të partive të koalicionit opozitar “Vlen” para zgjedhjeve lokale, por nuk e përjashtoi mundësinë pas tyre.
“Pas zgjedhjeve lokale mund të diskutojmë për bashkimin e katër partive në një të vetme, por kjo nuk ka lidhje me Ziadin Selën,” tha ai.
Duke folur për zgjedhjet lokale të ardhshme, Taravari konfirmoi se tashmë po kryhen anketime për të identifikuar kandidatët e mundshëm në komunat me shumicë shqiptare.
“Në qytetet më të mëdha, shpresojmë të kemi kandidatë të përbashkët. Në zonat rurale, nëse ka më shumë kandidatë të fortë, mund të shkojmë me opsione të ndryshme. Ende po analizojmë strategjinë për listat e këshilltarëve,” shpjegoi ai.
Lidhur me kërkesën për shtyrjen e ndryshimeve kushtetuese për një vit tjetër, Taravari tha se procesi varet nga gatishmëria e opozitës maqedonase, veçanërisht e VMRO-DPMNE-së.
“Pa VMRO-në, nuk mund të ndodhin ndryshimet kushtetuese. Kryeministri Hristijan Mickoski është i hapur për negociata, por kërkon garanci nga Brukseli, Sofja ose Uashingtoni se ky është kushti i fundit për Maqedoninë e Veriut,” tha Taravari.
Ai gjithashtu paralajmëroi për pasojat e ngecjes së procesit të integrimit evropian, duke theksuar se nuk është në interesin e vendit të mbetet në një grup me Bosnjën dhe Kosovën si shtete të Ballkanit Perëndimor që ende nuk kanë nisur negociatat me BE-në.
“Si pjesë e qeverisë, ne do të përpiqemi ta përshpejtojmë këtë proces dhe të dalim nga kjo situatë status quo,” përfundoi ai.