E hënë, 28 Prill, 2025

NDIZET RETORIKA POLITIKE: TARAVARI DHE KASAMI KËRKOJNË DORËHEQJEN E AHMETIT, BDI NIS VETINGUN

“Ali Ahmeti e ka tejkaluar kufirin! Është koha për dorëheqje!”, shkroi në Facebook një nga liderët e koalicionit VLEN, Arben Taravari, përcjell KDP.

Në një postim në rrjetet sociale, Taravari kërkoi dorëheqjen e liderit të BDI-së, duke përmendur disa arsye kryesore. Sipas tij, Ahmeti ka abuzuar me pushtetin për pasurim personal dhe familjar, ka mbajtur shqiptarët peng për dekada me formulën “me ne – i punësuar, kundër nesh – i shkatërruar,” dhe udhëheq një grup politik të akuzuar për korrupsion të rëndë. Ai gjithashtu e akuzoi për lidhje me persona të shpallur në kërkim ndërkombëtar dhe për dëme të mëdha në jetën e qytetarëve, veçanërisht të shqiptarëve. Taravari gjithashtu kritikoi deklaratat e Ahmetit për zgjedhjet në Kosovë, ku ai u bëri thirrje votuesve të votojnë kundër kryeministrit Albin Kurti, raporton DW.

Lufta e vulave në ASH

Pas Taravarit, edhe kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami, kërkoi ndryshime në BDI. Sipas mediave në gjuhën shqipe, Kasami theksoi se “garda e vjetër” e drejtuar nga Ahmeti duhet të tërhiqet dhe t’i hapë rrugë gjeneratave të reja.

Përfaqësues të BDI-së e konsideruan deklaratën e Taravarit një përpjekje për të larguar vëmendjen nga vendimi i Gjykatës Themelore në Tetovë, e cila njohu zyrtarisht Ziadin Selën si kryetar të Aleancës për Shqiptarët, pas ndarjes së partisë në dy fraksione – një të udhëhequr nga Sela dhe tjetrën nga Taravari.

Nënkryetari i BDI-së, Arbër Ademi, akuzoi Taravarin për shndërrimin e një fraksioni partiak në një degë të VMRO-DPMNE-së.

“Pasi humbi vulën dhe legjitimitetin për t’u quajtur kryetar, tani kërkon dorëheqjen e Ali Ahmetit – liderit legjitim të zgjedhur nga organet partiake dhe përfaqësuesit e shqiptarëve. Nuk mund ta defokusoni opinionin publik!”, shkroi Ademi.

Nga fraksioni i Taravarit e cilësuan vendimin e gjykatës si një “akt të pastër të drejtësisë së kapur, që po manipulon vullnetin e qytetarëve për ta shndërruar një parti politike në pronë të Ali Ahmetit.”

Në një deklaratë të fortë, ata i dërguan një mesazh gjyqtarit Ilir Rexhepi dhe fraksionit të Selës: “Përpjekja juaj për të kontrabanduar Aleancën për Shqiptarët do të dështojë! AA u takon qytetarëve dhe njerëzve me dinjitet, që nuk shiten për një grusht privilegjesh. Që nga themelimi, ideali i Aleancës ishte rrëzimi i regjimit kriminal të Ahmetit, i cili për motive korruptive dëmtoi rëndë interesat e shqiptarëve. Vendimi skandaloz i gjyqtarit Rexhepi do të apelohet.”

Duke iu referuar raportit të fundit të Transparency International, fraksioni i Taravarit akuzoi gjyqësorin për mungesë besueshmërie dhe theksoi nevojën për reforma të thella. Ata njoftuan se do të ndërmarrin hapa për shkarkimin e kryeprokurorit dhe pesë anëtarëve të Këshillit Gjyqësor.

“Drejtësia nuk do të mbetet peng i pazareve politike!”, thuhet në deklaratën e Aleancës për Shqiptarët të udhëhequr nga Taravari.

Tensionet midis opozitës dhe BDI-së janë rritur ndjeshëm në javët e fundit, veçanërisht pas shqetësimeve të shprehura nga BDI për atë që e quajti “margjinalizim sistematik të shqiptarëve nga pozitat kyçe shtetërore”.

BDI akuzoi qeverinë për zëvendësimin e shqiptarëve nga postet drejtuese, duke vënë në dyshim respektimin e Marrëveshjes së Ohrit. Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm i ARM-së i hodhën poshtë këto pretendime, duke theksuar se përfaqësimi i shqiptarëve nuk është zvogëluar dhe se askush nuk është shkarkuar apo degraduar.

Pavarësisht këtyre mohimeve, BDI njoftoi se ka informuar Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara, Mbretërinë e Bashkuar dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë për atë që e quan “përjashtim sistematik të shqiptarëve nga institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut.”

VLEN reagoi ndaj akuzave të BDI-së, duke thënë se partia e drejtuar nga Artan Grubi, Ramiz Merko dhe figura të tjera të diskredituara, “nuk ka kredibilitet për të folur për interesat kombëtare.”

“Një parti e zhytur në skandale korruptive dhe me përfaqësues në listën e zezë të SHBA-së nuk mund të pretendojë se po informon faktorin ndërkombëtar. Ata mund t’i raportojnë Kremlinit, por jo SHBA-së dhe partnerëve tanë strategjikë, të cilët e dinë për keqpërdorimet dhe menaxhimin e keq të BDI-së,” thanë nga VLEN.

VLEN theksoi se roli i opozitës në një demokraci është të mbajë pushtetin përgjegjës, por BDI nuk mund të konsiderohet një parti politike në kuptimin e vërtetë të fjalës.

“Ajo është një klub i vjetruar, që ka shërbyer vetëm për pasurimin e familjeve të tyre dhe për një jetë luksoze për nipërit e mbesat e tyre, ndërsa populli vuan nga padrejtësia dhe varfëria ekstreme. Ne jemi në pushtet për të mos bërë të njëjtat gabime dhe për të bërë më të mirën për shqiptarët, theksuan nga VLEN.

Sipas analistëve politikë, përplasjet mes dy blloqeve pritet të vazhdojnë, sidomos me zgjedhjet lokale në horizont. Pyetja mbetet nëse BDI do të arrijë të pastrojë radhët e saj nga elementët e korruptuar, përfshirë ata në listën e zezë të SHBA-së, pasi deri më tani nuk është parë ndonjë ndryshim i dukshëm.

BDI nis reformën gjithëpërfshirëse dhe procesin e vetingut

BDI njoftoi të martën fillimin e një procesi reformash dhe vetingu brenda partisë, një nismë e udhëhequr nga kryetari Ali Ahmeti dhe kryesia e partisë.

Reformat synojnë të forcojnë transparencën dhe llogaridhënien, duke vendosur një standard të ri për partitë politike në rajon, tha BDI në një deklaratë.

Deputetët e partisë i janë nënshtruar një vlerësimi të rrezikut të korrupsionit dhe kanë nënshkruar Kodin e Praktikës së Mirë dhe Integritetit të BDI-së, i cili përputhet me udhëzimet e Komisionit të Venecias dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës.

BDI synon të zgjerojë vetingun përtej nivelit parlamentar, duke përfshirë të gjithë zyrtarët e lartë të partisë, anëtarët e kryesisë dhe drejtuesit lokalë.

“BDI është e përkushtuar për ndërtimin e integritetit institucional dhe personal,” tha Ahmeti. “Qasja jonë është gjithëpërfshirëse dhe e mirëplanifikuar, duke u fokusuar te individët me integritet të fortë, të cilët do të mbrojnë axhendën kundër korrupsionit.”

Partia tha se iniciativa e saj përforcon angazhimin për sundimin e ligjit dhe vendos një precedent për partitë e tjera politike në rajon.

Të fundit