Shkruan: Denko Maleski
Më qartë se kaq nuk mund të thuhet. Ministri i ri i Mbrojtjes së Amerikës, Pete Hegseth, kandidati kontrovers i Trump-it, i cili duhej të premtonte para Kongresit se nuk do të pijë më, i zbuloi kartat para ministrave të mbrojtjes të vendeve anëtare të NATO-s në Bruksel dje. Për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore, fokusi kryesor i SHBA-së nuk do të jetë më Evropa. Ai deklaroi se Amerika po zhvendoset në Azi për t’u përballur me ndikimin në rritje të Kinës, që shihet si një hegjemoni i mundshëm në politikën botërore.
“Zemra e interesit tonë kombëtar është në Indo-Paqësor,” theksoi Hegseth. Në kushtet e reja, do të fillojë të zbatohet ndaj Kinës e njëjta politikë e kufizimit (containment) që dikur u përdor ndaj fuqisë sovjetike.
Në fakt, bëhet fjalë për një rregull të pashmangshëm. Struktura anarkike e shoqërisë ndërkombëtare, në të cilën mungon një pushtet qendror, nxit një luftë për pushtet mes fuqive të mëdha rivale. Amerika është e gatshme të bëjë gjithçka për të ruajtur primatin global dhe për të mos lejuar që rivali më i madh i sotëm, Kina, të zërë vendin e saj në hierarkinë e fuqive të mëdha. Fakti që asnjë fuqi e madhe nuk ka qëndruar përgjithmonë në pozitën e parë dhe se, gjatë historisë, perandoritë janë ngritur dhe kanë rënë, nuk e pengon Amerikën të japë gjithçka për të mbetur shteti më i fuqishëm në botë. Në strategjinë e saj të sigurisë, SHBA ka përcaktuar qartë se nuk do të lejojë të “kapërcehet” nga ndonjë fuqi tjetër e madhe.
A është e mundur të anulohet ky ligj i “fizikës politike”, i cili tregon për ngritjen dhe rënien e fuqive të mëdha? Me shumë gjasë jo. Megjithatë, edhe pse janë shkruar shumë libra për temën “Fund i epokës amerikane” ose “Rënia e Perandorisë Amerikane”, kjo nuk i pengon politikanët aktualë amerikanë të përpiqen ta shtyjnë të pashmangshmen.
Lamtumirë, Evropë!
Evropa është në panik. E mbrojtur nga ombrella bërthamore amerikane për dekada me radhë pas Luftës së Dytë Botërore, shtetet evropiane u përkushtuan në një projekt fantastik: transformimin e kontinentit të mbushur me luftëra në një zonë paqeje, demokracie dhe prosperiteti të paparë. Ndërsa shtetet evropiane punonin për ndërtimin e botës së Kantit, ku demokracitë nuk luftojnë mes tyre, Amerika, në rolin e një gladiatori me shpatën e ngritur ndaj BRSS-së, jetonte në botën e Hobbes-it, ku paqja është vetëm një pushim i përkohshëm nga lufta permanente mes shteteve.
Nën mbrojtjen e Amerikës, duke u përkushtuar në ndërtimin e demokracisë dhe prosperitetit të tyre, shtetet evropiane krijuan vendin më të mirë për të jetuar në planetin Tokë – jo vetëm sot, por ndoshta në të gjithë historinë e njerëzimit. Votuesit evropianë, gjatë gjithë periudhës pas luftës, kanë zgjedhur “bukën dhe gjalpin”, dhe jo armatimin. Kjo epokë ka marrë fund dhe tani do të duhet të përshtaten me realitetet e reja.
Mesazhi nga Uashingtoni është kristalisht i qartë: “Nuk ka më drekë falas”. Duke pasur parasysh jopopullaritetin e politikave të armatimit dhe procesin e vështirë të marrjes së vendimeve të përbashkëta në BE, askush nuk mund të parashikojë të ardhmen. Për një gjë pajtohen të gjithë: Trump po mbjell kaos me politikat e tij, por, siç thotë ai vetë, për këtë e kanë zgjedhur amerikanët.
Pika e dobët e Evropës? Ballkani.
Çfarë do të ndodhë pas tërheqjes së fuqisë amerikane? Henry Kissinger dikur shkroi se roli i Amerikës në Ballkan është i njëjtë me atë të Perandorisë Osmane dikur: të mbajë nën kontroll shtetet e vogla ballkanike, që zakonisht janë të përçara mes tyre.
Dhe, në të vërtetë, me anëtarësimin në NATO, u zgjidh dilema e sigurisë për atë se “çfarë po planifikon fqinji im”, një dilemë që shpesh ka përfunduar në luftë në të kaluarën. Kështu u ndal procesi i mëtejshëm i “balkanizimit” (fragmentimit) që filloi me luftërat e Jugosllavisë, një term me konotacion negativ në botë.
Në Kartën e Organizatës për Unitetin Afrikan, të nënshkruar në Addis Abeba në fillim të viteve ’60, shtetet afrikane deklaruan se nuk do të lejojnë balkanizimin e kontinentit të tyre.
Kaq për krahasimet tona të shpeshta me Afrikën.
Burimi: Libertas