Ne që e kemi ndjekur në çdo hap pulsin e Prishtinës, të gjithë Kosovës, vibrimet e lirisë, gjëmën e madhe, të kënduar dhimbshëm nga Xhevdet Bajraj, dhe nga poetë të tjerë, kemi një marrëdhënie idealiteti, një përulësi primordiale për atë që ndodh atje, sepse shpirti jonë është i ushqyer me idealitetin e kohës së studimeve, me idealitetin e njëshmërisë që prante në urtësinë e popullit të Kosovës. Ne e dimë se përtej stërkeqjeve të përkohshme, Kosova ka një substancë të përhershme urtësie, ka një puls intelektualizmi kombtarist që strukturon brenda vetes sinapsat e lirisë dhe progresit të përhershëm. Ne besojmë thellësisht në këtë urtësi dhe vazhdojmë ta duam, të frymëzohemi me po të njëjtin idealitet, duke përgjuar çdo frymëmarrje të saj, duke i kënduar bukur, Prishtinës sonë, njashtu siç i këndon poeti-rokeri i anëve tona, Lulzim Haziri. Për ne, Prishtina, Kosova, nuk është aktualitet, cikël zgjedhor, përplasje politike, përkundrazi është idealitet, zgjim i përhershëm, fluturim, një kategori e pandryshuar estetike, topos bukurie dhe gjallnie!
Shkruan: Bardhyl Zaimi
Ne që kemi studiuar në Prishtinë, në Prishtinën e rrethuar anembanë me xhandarë serb, në Prishtinën e rezistencës, të jetës kulturore nën masa të rrepta policie, kemi një ndjeshmëri tjetër, kemi dritën e përhershme të rilindjes, të formësimit intelektual, që Prishtina na ofronte zemërgjerë me vetëdije supreme, duke njohur thellësisht realitetin e hidhur të shqiptarëve të Maqedonisë. Qyteti pa lum, siç e pagëzon rokeri dhe shkrimtari Migjen Kelmendi, na shitoi utopie, na ofroi gjithë lirinë tê munguar këndej gardhit banalë historik. Prishtina, Kosova e Podrimjes, Shkrelit, e Rugovës, e bohemit të fundit, Mirko Gashi që i këndonte Arbor Vitaes, është përhershmëria shqiptare, e ngjizur thellë në vetëdijen tonë, në zemrat tona të djalërisë.
Ne që e kemi ndjekur në çdo hap pulsin e Prishtinës, të gjithë Kosovës, vibrimet e lirisë, gjëmën e madhe, të kënduar dhimbshëm nga Xhevdet Bajraj, dhe nga poetë të tjerë, kemi një marrëdhënie idealiteti, një përulësi primordiale për atë që ndodh atje, sepse shpirti jonë është i ushqyer me idealitetin e kohës së studimeve, me idealitetin e njëshmërisë që prante në urtësinë e popullit të Kosovës, ëndrrës së lirisë përballë një fataliteti historik, përballë një makinerie vrastare të kasapit ballkanik, Millosheviqit.
Ne që kemi njohur elitën intelektuale të asaj kohe, atë kundërvënie urtake historike, e kemi vështirë të flasim për realitetet e sotshme politike atje, sepse kemi frikë se mund ta lëndojmë ideakitetin tonë, idealitetin e asaj kohe, në të cilën ngjizëm gjithë dashurinë tonë. Ne i besojmë urtësisë së popullit të Kosovës në zgjedhjet që bën pa hyrë në analiza tjera realitetesh tjera, pa prekur lëkurën e butë të këtij idealiteti, me një droje të përhershme se mund ta grithim. Për ne mjafton që Kosova si shtet i pavarur mban zgjedhje shembullore demokratike në lartësinë e asaj urtësie të dikurshme, në lartësinë e pritjeve dhe ëndrrës së popullit të Kosovës. Ne jemi të sigurt që ky popull i dramave biblike, e di çfarë bën, e di se prej nga vjen dhe ku shkon. Ne jemi të sigurt në pjekurinë e tij historike, në mençurinë proverbiale, në potencën e tij, në evoliumin demokratik, që nganjëherë mund të shfaqet me përplasje pak më të forta brenda politike. Ne e dimë se përtej stërkeqjeve të përkohshme, Kosova ka një substancë të përhershme urtësie, ka një puls intelektualizmi kombtarist që strukturon brenda vetes sinapsat e lirisë dhe progresit të përhershëm.
Ne besojmë thellësisht në këtë urtësi dhe vazhdojmë ta duam, të frymëzohemi me po të njëjtin idealitet, duke përgjuar çdo frymëmarrje të saj, duke i kënduar bukur, Prishtinës sonë, njashtu siç i këndon poeti-rokeri i anëve tona, Lulzim Haziri. Për ne, Prishtina, Kosova, nuk është aktualitet, cikël zgjedhor, përplasje politike, përkundrazi është idealitet, zgjim i përhershëm, fluturim, një kategori e pandryshuar estetike, topos bukurie dhe gjallnie!