E martë, 25 Mars, 2025

THE GUARDIAN PËR REZULTATIN E ZGJEDHJEVE NË KOSOVË: NJË PORTË DREJT AFRIMIT ME BE-në

Një qeveri e re koalicioni mund të kërkojë të rindërtojë urat me partnerët perëndimorë, në një moment gjeopolitik të rrezikshëm.

Editorial i The Guardian

Shtatëmbëdhjetë vjet pas shpalljes së pavarësisë nga Serbia, e ardhmja e Kosovës mbetet e errësuar dhe e komprometuar nga marrëdhëniet me Beogradin. Më shumë se një dekadë bisedimesh për normalizim nuk kanë çuar askund, të penguara kryesisht nga refuzimi i Serbisë për të njohur të drejtën e ish-territorit të saj për atributet e një shteti sovran. Në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit, ngërçi ka degjeneruar herë pas here në dhunë, teksa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është përpjekur të ushtrojë sovranitetin, përballë rezistencës së rebelëve të mbështetur nga Beogradi.

Ka shenja të kujdesshme shprese se rezultati i zgjedhjeve të fundit në Kosovë të dielën, ku partia e zotit Kurti doli e para, por humbi shumicën, mund të hapë një rrugëdalje nga ky ngërç. Veprimet e tij, ndonëse të kuptueshme, por ndonjëherë të ashpra, për të demonstruar kontrollin e Prishtinës mbi veriun – si vendosja e kryetarëve shqiptarë të komunave pas bojkotit masiv të zgjedhjeve nga serbët etnikë – janë kritikuar ashpër nga Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Në prag të zgjedhjeve, Richard Grenell, i sapoemëruar si i dërguari i posaçëm i SHBA-së për misione të veçanta, deklaroi se marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Prishtinës “nuk kanë qenë kurrë më të ulëta”.

Ndërkohë, BE-ja ka vendosur sanksione që deri më tani i kanë kushtuar njërës prej kombeve më të varfra dhe më të vogla në Evropë rreth 150 milionë euro (125 milionë paund). Perspektiva e një qeverie të re koalicioni në Prishtinë hap mundësinë për një qasje më pak të ngurtë dhe më pragmatike. Dy partitë kryesore opozitare e zhvilluan fushatën e tyre mbi nevojën për të përmirësuar marrëdhëniet me partnerët perëndimorë, dhe shqetësimi për izolimin e Kosovës në një moment gjeopolitik të rrezikshëm ishte një nga temat kryesore të zgjedhjeve. Nëse administrata e re e Kurtit mund të tejkalojë retorikën e tij shpeshherë të ashpër nacionaliste dhe të rifitojë mbështetjen e Brukselit dhe Uashingtonit, kjo do të jetë në interesin absolut të Kosovës.

Qëllimi duhet të jetë zbatimi i vonuar i marrëveshjes së normalizimit të vitit 2023, e cila teorikisht e detyronte presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, të njihte shtetësinë e Kosovës, në këmbim të një autonomie të pjesshme për serbët etnikë në veri. Por për të arritur atje do të kërkohet që Vuçiç, i cili ka nxitur vazhdimisht tensionet etnike, të ndalojë lojën e tij me elektoratin nacionalist dhe më në fund të nënshkruajë marrëveshjen.

Brukseli duhet t’i përgjigjet çdo hapi pajtues nga Prishtina me shpejtësi dhe bujari. Për të krijuar një ngërç duhen dy palë, por ndërsa një nga vendet më të vogla dhe më të pambrojtura në Evropë është ndëshkuar me sanksione, fqinja e saj e madhe, agresive dhe armiqësore nuk është ndëshkuar, për arsye të realpolitikës rajonale. Duke pasur parasysh precedentët e qartë dhe ogurzi të Ukrainës, shqetësimet e zotit Kurti mbi axhendën përfundimtare të Beogradit në veriun e Kosovës janë plotësisht të kuptueshme. Ato përforcohen nga kujtimi i mbështetjes së mëparshme të Donald Trump për një plan që në një moment përfshinte ndarjen e Kosovës.

BE-ja tani ka një shefe të re të politikës së jashtme, ish-kryeministren estoneze Kaja Kallas, dhe një të dërguar të ri të posaçëm për normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë, diplomatin danez Peter Sørensen – një ekspert i rajonit. I dërguari i ri britanik për Ballkanin, Karen Pierce, ka qenë ambasadore në SHBA për pesë vjet. Kjo krijon mundësinë për një qasje të re ndaj një vendi që ka ndërtuar një demokraci funksionale në kushtet më sfiduese.

Qeveria e ardhshme e Kosovës duhet të jetë më pragmatike dhe më pak e drejtuar nga qasja e zotit Kurti “ose me ne, ose kundër nesh” në nacionalizëm. Por Perëndimi duhet të bëjë më shumë sesa thjesht ta takojë atë në gjysmë të rrugës.

Përktheu:m KDP

Të fundit