E martë, 25 Mars, 2025

KUJDES: PO SHKRIHET “KONFLIKTI I NGRIRË” I KOSOVËS

Shkruan: Denko Maleski

Sërish, këto janë kohë të rrezikshme për shtetet e vogla ballkanike. Po shkrihet konflikti i ngrirë mes shqiptarëve dhe serbëve në Kosovë.

Çfarë na pret?

A do të na përfshijë të gjithëve?

Kjo varet, para së gjithash, nga politikat e ardhshme të Amerikës, por disi edhe nga politikat tona të brendshme dhe të jashtme.

Duke ndjekur interesat e saj shtetërore, fuqia amerikane po tërhiqet nga Evropa, përfshirë edhe Ballkanin. Prioriteti i saj është të “mbyllë” luftën me Rusinë. Pas kësaj, synimi i SHBA-së është t’u kalojë shteteve evropiane përgjegjësinë për sigurinë e Evropës, përfshirë atë në Ukrainë dhe në Ballkan. Përdorimi i fuqisë nga një rival i fortë si Kina e detyron Amerikën të fokusohet në Azi. Çfarë do të ndodhë me shtetet e vogla gjatë këtij zhvendosjeje drejt kërcënimit kryesor për sigurinë amerikane është me rëndësi dytësore për fuqitë e mëdha.

“Po e lexoj librin tuaj Diplomacia,” i thotë, në një kohë të shkuar, ambasadori maqedonas në Berlin Henry Kissinger-it, në margjinat e Konferencës së Sigurisë në Mynih.

“Ndalo së lexuari, ai libër është për fuqitë e mëdha, jo për ju. Në fakt, ai mund të jetë edhe kundër jush, shteteve të vogla si Maqedonia,” i përgjigjet Kissinger-i.

Çfarë do të sjellin për Ballkanin marrëdhëniet e reja të bashkëpunimit mes Amerikës dhe Rusisë nëse lufta në Ukrainë zgjidhet? Nëse mbani mend fjalët e Julius Nyerere-s, që “barin e shkelin elefantët si kur luftojnë, ashtu edhe kur bëjnë dashuri”, atëherë ia vlen të mendojmë seriozisht për të ardhmen tonë.

Si ta parashikojmë të ardhmen e Ballkanit dhe sjelljen e Amerikës? Nëse dëshiron të kuptosh sjelljen e ardhshme të dikujt, shikoje atë në të kaluarën. Në pushtet është kthyer administrata e Donald Trump-it, e cila, gjatë mandatit të parë, në një fazë të planit të saj, propozoi ndarjen e Kosovës. Pas rastit të Ukrainës dhe politikës së gabuar të administratës së Biden-it për të projektuar fuqinë e saj ushtarake dhe të NATO-s në Ukrainë, në kufijtë e Rusisë, dhe pas gabimeve të Zelensky-it, duhet të mendojmë në mënyrë të pavarur – me kokën tonë. Duhet, por nuk mundemi. Nuk ekziston ai potencial në institucionet shkencore dhe politike, të cilat janë “të okupuara” për më shumë se tre dekada nga njerëz që refuzojnë të punojnë për interesin e popullit të tyre. Meqenëse është kështu, do të presim që të mëdhenjtë të “marrin vendimin”. Dhe mos u ankoni më vonë se “vendosën” gabim, kur vetë u dorëzuat dhe refuzuat të lëvizni qoftë edhe gishtin e vogël.

Nëse gjithçka në politikën e presidentit të ri amerikan reduktohet në kosto, nuk jemi larg një vendimi të ri të administratës amerikane për t’u tërhequr nga projekti i shtrenjtë me BE-në për pajtimin mes popujve të Ballkanit brenda shteteve multietnike dhe mes tyre. Alternativa, atëherë, mund të jetë një version i planit të Richard Grenell-it, ish-emisarit të posaçëm të Trump-it për Ballkanin, i cili mund të rikthehet në të njëjtën rol. Po flas për planin e tij për ndarjen e Kosovës. Marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën sot janë të tensionuara. Në përgjigje të deklaratës së Kurtit se nën udhëheqjen e tij Kosova ka përmirësuar marrëdhëniet me SHBA-në, Grenell u përgjigj se Kurti është “i mashtruar”, se atij “nuk mund t’i besohet” dhe se “marrëdhëniet kurrë nuk kanë qenë në një nivel më të ulët”.

Në këto rrethana, të gjithë ata që kanë paqen në zemër do të pajtohen se, në bashkëpunim me administratën e Biden-it, do të kishte qenë më mirë që Kosova ta kishte zgjidhur çështjen e autonomisë së komunave serbe dhe Maqedonia çështjen historike me Bullgarinë. Në këtë mënyrë, do të presim të shohim se ku do të “presë” administrata e re e presidentit Trump. Në fakt, mjafton që, në përputhje me doktrinën “nuk ka më mbrojtje falas”, Trump të mbyllë bazën ushtarake “Bondsteel”.

Dhe këtu nuk është fundi i historisë. Pas kësaj, ka shumë mundësi që të dalë në sipërfaqe një plan tjetër. Plani që, në formën e një “non-paper”-i, doli gjatë presidencës sllovene të Janez Janša-s. Sipas atij plani, dominot etnike të homogjenizuara nga luftërat në ish-Jugosllavi duhet të lihen të bien në një Serbi të Madhe, një Shqipëri të Madhe dhe një Kroaci të Madhe, për të shuar arsyet e konflikteve etnike në Ballkan. Pa këtë, sipas hartuesve të planit, nuk ka paqe të vërtetë dhe as integrim evropian për rajonin tonë. Natyrisht, ata që hartojnë këto plane nuk shqetësohen për faktin se rënia e dominove mund të shoqërohet me luftëra. Dhe për më të vegjlit dhe më të dobëtit, shqetësimi është edhe më i vogël.

Sido që të jetë, nëse Amerika e udhëheq këtë proces, fati i dy komuniteteve etnike – myslimanëve boshnjakë dhe maqedonasve – mbetet më i pasigurt se kurrë.
/Librertas.mk

Të fundit