E martë, 25 Mars, 2025

JEHONA E FITORES SË KURTIT NË RAJON DHE PËRTEJ

Kurti është kumbari i koalicionit VLEN, i cili është i përbërë nga katër subjekte politike shqiptare, që bëjnë pjesë në qeverinë e djathtë të drejtuar nga kryeministri Hristian Mickoski i VMRO-DPMNE-së. Humbja e tij në Prishtinë do të nënkuptonte fillimin e fundit të VLEN-it në Shkup, e kjo do t’ia komplikonte planet Mickoskit.

Shkruan: Xhelal Neziri

Kryeministri i Kosovës dhe lider i partisë Vetëvendosje, Albin Kurti, kori edhe një fitore zgjedhore. Me një rënie jo aq sa pritej, Kurti paralajmëroi qeverinë e tij të tretë. Ai arrit të fitojë 42 për qind të votave, pa numëruar votat e diasporës të cilat mund ta çojnë në mbi 45 për qind. Me këtë ai do të ketë diku 46-48 deputetë në Parlamentin 120 anëtarësh, numër ky i pamjaftueshëm për të formuar qeveri pa bërë koalicion me ndonjë parti tjetër.

Në tavolinë ka tri opsione: i pari është të përfshijë në shumicën parlamentare 10 deputetët e pakicave dhe 10 deputetët etnikë serbë, ulëse këto të garantuara me Kushtetutë; i dyti – të bëjë koalicion me ndonjërën nga partitë opozitare PDK, LDK apo AAK/NISMA; dhe i treti – të mos formojë qeveri fare, duke lënë mundësinë e një kabineti teknik, i cili do ta dërgonte vendin në zgjedhje të reja vitin e ardhshëm.

Opsioni i koalicionit me Listën Serbe, që fitoi pjesën më të madhe të mandateve të garantuara, është pak i mundshëm. Përfshirja e 10 deputetëve nga pakicat tjera nuk garanton shumicën parlamentare. Kështu që Kurti ka para vetes vetëm opsionin e koalicionimit me njërën nga tri partitë opozitare. Pasi lideri i LDK-së, Lumit Abdixhiku, paralajmëroi se nuk do të futet në negociata për t’u bërë pjesë e qeverisë, opsioni ngushtohet te PDK e Memli Krasniqit dhe AAK/NISMA e Ramush Haradinajt dhe Fatmir Limajt. Duke marrë parasysh retorikën e ashpër parazgjedhore dhe përjashtimin publik të koalicionit paszgjedhor, formimi i qeverisë me dyshen Haradinaj-Limaj bëhet gati i pamundur.

Si koalicion më i mundshëm që shihet në horizont është ai me PDK-në. Kjo e fundit kishte nxjerrë si kandidat për kryeministër 61-vjeçarin Bedri Hamza, një figurë e shquar me sfond eksperti ekonomik. Ai ka një imazh të një politikani me aftësi të mëdha menaxhimi në dy mandate si ministër i financave (2011-2013, 2017-2019), si guvernator i Bankës Popullore (2013-2017) dhe së fundmi si kryetar i Komunës së Mitrovicës. LVV dhe PDK nuk kanë përdorur gjuhë të ashpër gjatë fushatës në adresë të njëra-tjetrës, e cila do të pamundësonte një koalicion qeverisës. Megjithatë, formimi i një qeverie me PDK-në do të ishte goditëse për Kurtin, i cili ka ndërtuar imazhin e tij si një politikan që ka luftuar krerët “e korruptuar” të kësaj partie Hashim Thaçin dhe kadri Veselin, të cilët nga viti 2020 gjenden në gjykim për krime lufte në Tribunalin e Hagës. Nëse zgjedhja ngushtohet midis Listës Serbe dhe PDK-së, Kurti ka më shumë gjasa të zgjedhë të dytën. Por, kushtet e të dyjave pritet të jenë të mëdha: nëse Lista Serbe do të kërkoj qasje më të madhe në institucionet e shtetit, duke kontrolluar institucione me rëndësi, PDK do të kërkojë postin e kryeministrit.

Opsioni i tretë është më pak i mundshëm, por edhe i rrezikshëm për Kosovën. Nëse vendoset të shkohet sërish në zgjedhje, atëherë Kosova ka rrezik të futet në një vorbull krize politike të njëjtë si në Bullgari, ku në 5 vitet e fundit janë mbajtur shtatë cikle zgjedhjesh të parakohshme parlamentare.

Rezultati zgjedhor por edhe epilogu i formimit të Qeverisë po ndiqet me interes të madh në Shkup, Beograd, Tiranë, Bruksel dhe Washington. Kurti është kumbari i koalicionit VLEN, i cili është i përbërë nga katër subjekte politike shqiptare, që bëjnë pjesë në qeverinë e djathtë të drejtuar nga kryeministri Hristian Mickoski i VMRO-DPMNE-së. Humbja e tij në Prishtinë do të nënkuptonte fillimin e fundit të VLEN-it në Shkup, e kjo do t’ia komplikonte planet Mickoskit. Në Tiranë ai shihet si një konkurrent, e jo si një bashkëpunëtor, i kryeministrit shqiptar Edi Rama, kështu që një qeveri e drejtuar sërish nga Kurti do të thotë largim edhe më shumë nga Shqipëria. Në Beograd Kurti portretizohet si bashkëbisedues i rëndë, jofleksibil dhe kokëfortë, që ia komplikon Serbisë procesin e integrimit në BE. Ndërsa në Bruksel, e sidomos në Washington, fitorja e Kurtit është një paralajmërim se problemi Prishtinë-Beograd nuk do të zgjidhet aq shpejtë e aq kollaj.

Sidoqoftë, vullneti i shumicës së qytetarëve të Kosovës është ky që është. LVV dhe Kurti vazhdon të shihet si përfaqësues më i denjë i interesit të tyre, edhe pse partitë opozitare shënuan një ngritje të konsiderueshme në raport me zgjedhjet e vitit 2021.

 

 

Të fundit