Në një intervistë të vitit 2021 me BBC në serbisht, Albin Kurti i vendosi marrëdhëniet me Serbinë vetëm të katërtin vend në listën e prioriteteve.Do të rezultonte se, në mandatin që pasoi, kjo ishte një temë që kryeministri i Kosovës e ka trajtuar shumë shpesh: nga takimet me Aleksandar Vuçiqin, presidentin e Serbisë, deri te ballafaqimi me barrikadat dhe bojkotimet e serbëve të Kosovës, – përcjell kdp.mk shkrimin analitik të BBC në serbisht.
Nga “djaloshi i çapkën” i politikës kosovare, në vendin e dytë në listën e kryeministrave më jetëgjatë të Kosovës së pasluftës.
Albin Kurtit, liderit të Vetëvendosjes, iu deshën vetëm katër vite për ta bërë këtë rrugë.
“Për herë të parë nga Deklarata e Pavarësisë në vitin 2008, një qeveri e Kosovës ka arritur të përfundojë mandatin e saj pa zgjedhje të parakohshme, pa protesta të mëdha apo kërkesa të zakonshme për dorëheqje të ministrave… E gjithë kjo flet për mbështetje dhe stabilitet të madh, por jo në kurriz të demokracisë apo lirisë së medias, si në vendet fqinje”, thotë për BBC Arbër Zaimi, anëtar i Presidiumit të partisë që nga viti 2010.
Vetë ekzistenca e Presidiumit, si organi më i lartë i përbërë nga 23 anëtarë dhe që formalisht merr vendime, pasqyron historinë e Vetëvendosjes, e cila u themelua 20 vjet më parë si një lëvizje qytetare.
“Kurti edhe më tej është më shumë aktivist sesa dikush që qeveris; ai vazhdon të sillet sikur është në opozitë: kërkon më shumë pushtet, fajëson mediat, fajëson prokurorinë”, – konsideron Agon Maliqi, analist politik nga Prishtina.
Në Kosovë më 9 shkurt do të mbehen zgjedhjet parlamentare, ku do të zgjidhen 120 deputetë, dhjetë prej të cilëve i përkasin komunitetit serb, kurse dhjetë minoriteteve.
Në zgjedhjet e katër viteve, Vetëvendosje fitoi mandate të mjaftueshme për të formuar qeverinë e vetme, ndërsa grupime më të mëdha në opozitë u bënë Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).
Punë dhe drejtësi
Kur në marsin e vitit 2021 u bë kryeministër për herë të dytë, pasi më 2020-tën në këtë post kaloi vetëm katër muaj, Albin Kurti e përmblodhi programin e tij me dy fjalë: Punë dhe drejtësi.
Paga minimale sot në Kosovë është 350 euro krahasuar me 180 euro para katër viteve dhe këtë Arbër Zaimi do ta vendosë lart në listën e të arriturave të Vetëvendosjes.
Ai përmend se ekonomia e Kosovës është rritur mesatarisht për gjashtë për qind në vit, se eksportet janë dyfishuar, se investimet e huaja janë dyfishi i mesatares për periudhën 2007-2020, ndërsa borxhi publik është ndër më të ulëtit në Evropë.
“Në ekonomi, pushteti i ka ngjyrosur gjërat rozë, kurse reformat janë të ngadalta, nuk ka projekte të mëdha infrastrukturore, edhe pse ekziston vetëdija se shumë presione kanë ardhur nga jashtë, si inflacioni apo lufta në Ukrainë”, – thotë Agon Maliqi, analist politik, i cili vë në dukje se opozita në fushatën aktuale dëshiron të shfrytëzojë këtë pikë të dobët të pushtetit.
Lufta kundër korrupsionit nuk ka qenë gjithmonë e thjeshtë: një përpjekje për të miratuar dy ligje në fushën e drejtësisë nuk përfundoi me sukses.
“Mediat kanë raportuar për raste të korrupsionit, disa prej të cilave janë duke u hetuar dhe janë ngritur edhe aktakuza kundër personave të caktuar të cilët kryeministri i mbështet në fushën e elektroekonomisë dhe rezervave të mallrave”, – thekson Visar Imeri, paraardhësi i Kurtit në krye të Vetëvendosjes, tashmë jashtë partisë dhe në krye të Institutit për Politika Sociale. Ish-bashkëpartiaku i tij Arbër Zaimi pohon se gjërat janë krejtësisht të kundërta.
“Kryeministri dhe ministrat jo vetëm që nuk janë të korruptuar, por pikërisht po udhëheqin luftën kundër korrupsionit, nga nga kjo përfitojnë kuletat e ekonomisë dhe të qytetarëve”.
Megjithatë, një nga problemet më të mëdha të Kosovës, të cilin e ndanë me të tjerët në rajon, mbetet dhe më tej largimi i njerëzve jashtë vendit.
Të dhënat nga regjistrimi i fundit tregojnë se numri i popullsisë është në rënie, kurse Ministria e Punëve të Brendshme regjistron një numër të madh të atyre të cilët e braktisin Kosovën.
Si u ngjit marrëdhënia me Serbinë në listën e prioriteteve
Në një intervistë të vitit 2021 me BBC në serbisht, Albin Kurti i vendosi marrëdhëniet me Serbinë vetëm të katërtin vend në listën e prioriteteve.
Do të rezultonte se, në mandatin që pasoi, kjo ishte një temë që kryeministri i Kosovës e ka trajtuar shumë shpesh: nga takimet me Aleksandar Vuçiqin, presidentin e Serbisë, deri te ballafaqimi me barrikadat dhe bojkotimet e serbëve të Kosovës.
Ndonëse zbatimi i Marrëveshjes së Brukselit dhe asaj të Ohrit, për të cilat është rënë dakord gjatë mandatit të kësaj qeverie, zyrtarisht nuk po shkon lehtë, situata në terren po ndryshon në përputhje me atë që shkruhet në to.
Në komunat e banuara me shumicë serbe, përveç shkollave dhe spitaleve, nuk ka më asnjë institucion të drejtuar nga Serbia: posta, banka, shërbime sociale.
Nuk ka më targa të makinave për komunat në Kosovë të lëshuara nga policia serbe, nuk ka më as pagesa në dinarë dhe nuk ka as themelim të asociacionit të komunave me shumicë serbe të popullsisë.
Automjetet me targa të Kosovës mund të kalojnë lirisht në Serbi, ndërsa udhëtarëve me dokumente të Kosovës nuk u jepen më letra shtesë të udhëtimit.
Linjën e qartë të vendosjes së pushtetit të fortë të Prishtinës nuk e ndali as sulmi i armatosur në Banjskë, në veri të Kosovës, për të cilin u akuzua një grup serbësh të prirë nga Milan Radoiçiq – krejt e kundërta, punët u përshpejtuan edhe më pas shtatorit 2023.
“Një nga sukseset më të mëdha të kësaj qeverie është vendosja e sundimit të ligjit në çdo cep të Republikës, duke aplikuar një qasje të butë dhe inkluzive ndaj qytetarëve të të gjitha komuniteteve… Ne kemi treguar zero tolerancë ndaj atyre që merren me veprimtari të ilegale, pa dallim kombësie”, – thotë Arbër Zaimi.
Ardhjen e Kurtit në postin e kryeministrit të Kosovës, pas viteve të qeverisjes nga partitë tradicionale të shqiptarëve të Kosovës të lidhura shpesh me luftrat e viteve ‘90-ta të shekullit të kaluar, Rada Trajkoviq e ka shikuar me njëfarë shprese:
“Unë, prej tij si njeri që ka pësuar hakmarrje të padrejtë dhe që ishte në burgun serb në kohën e Slobodan Milosheviqit, kam pritur të vijë në pushtet me dëshirën që t’i mësojë qytetarët e Kosovës se hakmarrja dhe revanshizmi nuk janë mënyrë jetese… Megjithatë, me retorikën dhe mënyrën e tij të punës, ai ia doli të ndikojë në largimin e serbëve dhe të shqiptarëve, dhe këtë me ndihmën e kuadrove të tij, shqiptarëve të rinj që nuk i mbajnë mend ngjarjet e luftës”, – thotë politikania shumëvjeçare nga Kosova, duke tërhequr vërejtjen edhe për ekstremizmin fetar në rritje.
Kurti në qeveri, nga radhët e bashkësisë serbe kishte një ministër, Nenad Rashiqin, të cilin e zgjodhi, në kundërshtim me traditën, në vend të Listës Serbe, parti kjo që në zgjedhjet e mëparshme fitoi të dhjetë mandatet e garantuara për serbët.
Ndërkohë, Lista Serbe u distancua nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa policët dhe punonjësit serbë në sistemin e drejtësisë braktisën institucionet kosovare.
“Është fakt se disa institucione paralele u suprimuan, por edhe serbët që kanë qenë në institucionet e Kosovës nuk janë më në to.
“Është ky një status që nuk është i qartë, kështu që nuk mund të themi se ka pasur progres – duhet të vendosim institucionet lokale që përfaqësojnë njerëzit, veçanërisht në veri”, – thotë deputeti opozitar Haki Abazi.
Edhe besimi minimal, i dëmtuar nga veprimet e policisë në veri, që i kanë lënë serbët e Kosovës pa zgjidhje praktike për çështjet e jetës, do të jetë vështirë të rikthehet.
“Është shumë e vështirë të gjesh dikë në komunitetin serb që është i gatshëm t’i japë Kurtit një shans të ri… Prapëseprapë, unë ende nuk mendoj se ai i urren serbët, ndonëse bëri disa veprime të pariparueshme ndaj serbëve”, – përfundon Rada Trajkoviq.
Në vend të opozitës, sfida partiake
Kur më 2005-tën u themelua Lëvizja Vetëvendosje, ajo fitoi vëmendjen e publikut me veprime radikale që kërkonte përfundimin e protektoratit ndërkombëtar mbi Kosovën, të vendosur në vitin 1999, bashkimin me Shqipërinë, një revolucion social dhe barazi më të madhe.
Me shndërrimin në parti dhe pjesëmarrjen në zgjedhje që nga viti 2010, gradualisht u forcua mbështetja për forcën e re në skenën politike.
Qeveria e dështuar e koalicionit në 2020 ishte vetëm një këndellje për një fitore bindëse në zgjedhjet e një viti më vonë dhe një supershumicë deputetësh.
Nuk pati ndonjë sfidë më serioze opozitëre: ministrat nuk u zëvendësuan nën presione, nuk pati protesta antiqeveritare në rrugë.
Visar Imeri, lider i Vetëvendosjes nga viti 2015 deri më 2018, thotë se partia gjatë viteve në pushtet ndryshoi imazhin e saj.
“Partia po shndërrohet në një parti të gjithanshme, një parti që kërkon të përfshijë të gjitha idetë – nga konservatorët, madje edhe konservatorët religjiozë, socialdemokratët, neoliberalët”, – thotë ai.
Ai që mbeti në parti thotë se ndryshimet nuk janë thelbësore.
„Vetëvendosje tani është më e madhe dhe synon mbështetjen e më shumë se 50 për qind të votuesve, dhe kjo sigurisht nënkupton lënien anash përkohësisht të disa ideve radikale dhe polarizuese…Por është ende lëvizje e pjesës së qendrës dhe të së majtës e spektrit politik, që kultivon inkluzivitetin shoqëror dhe barazinë, së bashku me sovranitetin demokratik, si ideale kyçe”, – thotë Arbër Zaimi, anëtar i udhëheqjes më të ngushtë tash e 15 vite.
Përderisa nuk u përball me sfidat e jashtme, Vetëvendosje luftoi me vlimet e brendshme.
Madje pesë deputetë braktisën klubin e partisë në pushtet, që sigurisht nuk është një praktikë e zakonshme në politikën ballkanike, e cila kryesisht është mësuar me kalime në drejtim të kundërt.
“Liderët partiakë në terren nuk mund të gjejnë gjuhë të përbashkët me votuesit, kështu që parti u bë një njeri – Kurti… Pa të, ajo nuk do të ekzistonte, si Syriza dhe Tsiprasi në Greqi: njerëzit votuan për të, sepse ishin të lodhur nga partitë e tjera”, – thotë Haki Abazi, dikur anëtar i Vetëvendosjes dhe më pas deputet i pavarur që iu bashkua grupit të Ramush Haradinajt.
Në mesin e anëtarëve që më herët nuk është as Visar Imeri, i cili udhëhoqi Vetëvendosjen në një periudhë kur në krye të saj nuk ishte Albin Kurti.
“Madje edhe gjatë veprimtarisë opozitare, në parti ka pasur më shumë mendime të ndryshme, njerëz të ndryshëm me autoritet, kurse tani është vetëm Kurti me një ekip teknokratësh që nuk kanë peshë të madhe politike”, – thotë analisti Agon Maliqi.
“Nxënësi i përjetshëm” dhe zhgënjimi nga pritshmëritë
Albin Kurti paralajmëroi aftësi prej lideri që në vitin 1997, kur udhëhoqi protestat studentore të shqiptarëve të Kosovës.
Atëherë edhe u arrestua për herë të parë dhe kaloi më shumë se tre vjet në burgjet serbe, me akuza për terrorizëm.
Pas daljes nga burgu, mbaroi Fakultetin e Elektroteknikës dhe për disa vite nuk qe politikisht aktiv, por kjo nuk zgjati shumë.
Ithtarët e Kurtit në vitin 2005, në ndërtesën e misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë “Jo negociata, vetëvendosje!” dhe pas kësaj u themelua lëvizja me këtë emër.
Pasuan vite protestash, bllokadash, gazi lotsjellës nëpër rrugë dhe në parlament, madje edhe arrestime dhe gjykime të Kurtit në Kosovë.
Visar Imeri është i zhgënjyer sepse konsideron se “Kosova po e humb rastin për ndryshim përmes një lëvizjeje që doli nga shoqëria”.
Nga kolltuku i kryeministrit, me kostum dhe kravatë, Kurti sot po udhëheq fushatën zgjedhore në të cilën ai është figura qendrore e Vetëvendosjes.
Me shumë emocione, në mitingjet anembanë Kosovës ai brohorit emrin e partisë që ka themeluar, ndërsa mbështetësit e quajnë “baba”.
Ai flet me mburrje për sukseset në vendosjen e pushtetit në veri të Kosovës, ndërsa në të njëjtën kohë paralajmëron rritje të pagave dhe pensioneve, transport publik në mbarë Kosovën për 10 euro në muaj, themelimin e Bankës Zhvillimore dhe kredi për ekonominë, rrugë të reja, hekurudha, dhe themelimin e Prokurorisë për Krimin e Organizuar.
Megjithatë, për opozitën, Kurti është një njeri që më shumë merret me të shkuarën sesa me të ardhmen.
“Sot njerëzit e shohin atë vetëm si një nga politikanët që nuk i solli Kosovës rezultatet e premtuara”, – thotë opozitari Haki Abazi.
Për shokët e tij partiak, Albin Kurti ka gjithçka që është e domosdoshme për jetëgjatësi politike.
“Kurti është një person që mëson shumë, në një farë mënyre është nxënës i përjetshëm, kurse mësimi sjell gjithmonë ndryshime… Situata ndërkombëtare e shtyn individin të mësojë çdo ditë diçka të re, ndaj mendoj se tani strategjia e tij është më e sofistikuar”, – thotë bashkëluftëtari politik i Kurtit, Arbër Zaimi./BBC/Përktheu: kdp.mk