E martë, 25 Mars, 2025

FESTIVALI I TANËSISË LETRARE SHQIPTARE

Festivali Poetik i Prishtinës i organizuar nga ObserverKult, është një ngjarje e jashtëzakonshme, gjithëpërfshirëse dhe diverse në përmbajtjet letrare që ofron para publikut. Në ditë e parë të këtij festivali u prezantua denjësisht poezia shqipe që krijohet në Maqedoninë e Veriut si pjesë integrale e letërsisë shqipe. Me përmbajtjet që ofron, kreativitetin në organizim, Festivali Poetik i Prishtinës është një shembull i mbrothësisë kulturore dhe letrare, vektor i nxitjes, promovimit dhe konsolidimit të vlerave dhe tanësisë letrare

Shkruan: Bardhyl Zaimi

Festivali Poetik i Prishtinës i organizuar nga ObserverKult, është një ngjarje e jashtëzakonshme, gjithëpërfshirëse dhe diverse në përmbajtjet letrare që ofron para publikut. Në ditë e parë të këtij festivali u prezantua denjësisht poezia shqipe që krijohet në Maqedoninë e Veriut si pjesë integrale e letërsisë shqipe.

Një punë me shumë vlera në funksion të dialogut letrar brenda hapësirës letrare shqiptare, brenda tanësisë së universit letrar shqiptar.

Festivali Poetik i Prishtinës u hap me një Homazh artistik kushtuar krujueses Lindita Ahmeti.

Poetja Naime Beqiraj përmes leximit të disa poezive solli artistikisht  frymën krijuese të Linditës,  ndërsa poetët Vjollcë Berisha dhe Lulëzim Haziri shpalosën kujtime prej miqsh për Lindën, ndërsa akademik Ali Aliu foli për veprën e saj letrare.

Një përjetim i veçantë kur për disa minuta në formatin e video-poezive, realizuar kohë më parë nga ObserverKult, risolli në ekranin e madh Lindën duke lexuar disa nga lirikat e saj. Homazhi poetik u pasurua me një pikë të jashtëzakonshme instrumentale performuar nga artistët Astrit Stafai dhe Artan Rexhepi duke u përmbyllur me në fjalë rasti nga babai i poetes, shkrimtari Xhabir Ahmeti.

Programi i Festivalit Poetik të Prishtinës, i cili iu kushtua në tërësi  Letërsisë Shqipe në Maqedoni vazhdoi me  kumtesën ” Letërsia shqipe në Maqedoni ndërmjet shtetit dhe atdheut nga prof. Agim Vinca.

Artistja Fitnete Tuda solli para publikut këngën “Rrugë” për të vazhduar me  pjesën e tretë të programit ku poezi të zgjedhura prej krijimtarisë së tyre lexuan poetët: Nehas Sopaj, Puntorie Muça Ziba, Lulzim Haziri, Shaip Emerllahu, Vjollcë Berisha, Ahmet Selmani, Salajdin Salihu, Bardhyl Zaimi, Nurie Emrullai , Arlind Farizi, Fatos Rushiti, Valdeta Dulahi.

Festivali pritet të vazhdojë për pesë ditë me radhe me krijues të ftuar nga gjithë hapësira letrare shqiptare, ndërkohë që brenda vetes ngërthen përmbajtje të shumta kreative. Festivali Poetik i Prishtinës në formë origjinale ofron një horizontin tjetër komunikimi letrar dhe kulturor brenda shqiptar, një festival që shemb muret banalë brenda qenësisë shqiptare. Me përmbajtjet që ofron para publikut, kreativitetin në organizim, Festivali Poetik i Prishtinës është një shembull i mbrothësisë kulturore dhe letrare, vektor i nxitjes, promovimit dhe konsolidimit të tanësisë letrare.

Të fundit