Gati tetë vjet më pas, Gjykata Themelore Penale e Shkupit vendosi të enjten, më 23 janar 2025, të lirojë nga ndjekja penale organizatorët e dhunës në mjediset e Kuvendit të Maqedonisë: ish-kryetarin e Kuvendit, Trajko Veljanovski, ish-ministrat Spiro Ristovski dhe Mile Janakievski, si dhe ish-drejtorin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Vladimir Atanasovski, të cilët ishin akuzuar si “organizatorë të ngjarjeve të dhunshme” të 27 prillit 2017. Rikujtojmë: Atëbotë gjithçka nisi nga VMRO-DPMNE-ja dhe ithtarët e saj. Sot në pushtet është koalicioni VMRO-DPMNE-VLEN-ZNAM. Kryeministri Hristijan Mickoski jo pa zhurmë ka siguruar publikun se qeverisja -pushteti i tij – angazhohet për vendosjen e shtetit të së drejtës, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për integrimin e vendit në familjen evropiane. Verdikti i djeshëm flet më së miri për gjasat që këto zotime të vëhen në jetë…
Përgatiti: Seladin Xhezairi
Filmi për të enjten e përgjakshme në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë, rikthehet në vëmendje duke shfletuar arkivat e kohës: Diçka pas orës 18 Talat Xhaferi qe zgjedhur kryetar i Parlamentit, i kundërshtuar zëshëm nga VMRO-DPMNE-ja që po largohej nga qeverisja shumëvjeçare, duke ia lëshuar vendin LSDM-së. Zëri i Amerikës në maqedonisht ka shënuar se ka qenë deputeti i VMRO-së, Krsto Mukoski ai që i ka hapur dyert e Kuvendit, duke i mundësuar turmës së egërsuar të depërtonte në mjediset e parlamentit:
“Fillon ‘e enjtja e përgjakshme’. Dita kur ra dhoma ligjvënëse, për herë të parë në historinë e Maqedonisë së Pavarur, kur publiku ishte dëshmitar i dhunës deri tani të paparë. Deputetë, gazetarë dhe kameramanë u sulmuan dhe u rrahën brutalisht nga dhunuesit të maskuar në turmën e qytetarëve që depërtuan në Kuvend. Ata u mbajtën si pengje për disa orë, duke pritur ndërhyrjen e vonuar të policisë”.
Më së keqi e pësoi deputeti Ziadin Sela, kurse i përgjakur doli edhe Zoran Zaev, ish-kryeministër. Ambasadori i atëhershëm i Kosovës, Ylber Hysa, për disa orë kishte ‘kujdestaruar’ në mjediset e Spitalit të Shkupit ku qe shtruar kryetari i Aleancës për Shqiptarët, ndërsa gjendjen në të cilën e gjeta atë gjatë një vizite në spitalin e Tetovës – nuk kam për ta harruar kurrë!
Ambasada e SHBA-së në Maqedoni e dënoi menjëherë dhunën dhe theksoi se do të bashkëpunojë me Kryetarin e ri të Kuvendit, Talat Xhaferi.
“Dënojmë me forcë dhunën në Kuvend. Kjo nuk është në pajtim me demokracinë dhe është një mënyrë e papranueshme për të zgjidhur dallimet. Është thelbësore që të gjitha palët të respektojnë proceset demokratike dhe ligjin dhe të përmbahen nga veprime të dhunshme që mund ta përkeqësojnë situatën. Shumica e deputetëve e zgjodhën Talat Xhaferin si kryetar të Kuvendit, brenda një seance të rregullt dhe të vazhdueshme, ku ishin të pranishëm publiku dhe media. Ne do të punojmë me të për të mbështetur demokracinë dhe për të avancuar interesat e Maqedonisë,”- qe thënë në reagimin e ambasadës amerikane.
Disa ambasadorë të vendeve anëtare të BE-së, të cilët ndodheshin në hotelin Marriott, vetëm disa qindra metra larg Kuvendit, të kapur nga zhvillimi i dhunshëm dhe i papritur i ngjarjeve, kërkuan nga policia që të ndërhynte menjëherë dhe të garantonte sigurinë e deputetëve. Kjo ndodhi dy orë para se drejtori i Byrosë për Sigurinë Publike të jepte komandën për ndërhyrje.
Në të njëjtën kohë, u deklaruan edhe përfaqësuesit e BE-së, Johannes Hahn dhe Federica Mogherini, me një qëndrim dhe kërkesa të ngjashme, por edhe duke miratuar zgjedhjen e Xhaferit.
“Ministria e Brendshme dhe policia duhet të sigurojnë patjetër sigurinë e Kuvendit dhe të anëtarëve të tij. Demokracia duhet të mbijetojë. Bashkimi Evropian është i bindur se dialogu politik nëpër institucione është mënyra e vetme për të shkuar përpara dhe iu bëjmë thirrje të gjithë aktorëve politikë që të respektojnë Kushtetutën e shtetit dhe të sillen në frymën e parimeve demokratike, edukatës dhe arsyes së shëndoshë,”- thuhej në deklaratën e tyre të përbashkët.
Ndërkaq, pas arrestimeve, ambasada britanike kërkonte që drejtësia ta thotë fjalën e vet:
“Ngjarjet në Kuvend më 27 prill ishin të dhunshme dhe meritojnë një hetim të thelluar, me procedura përkatëse përmes proceseve gjyqësore nëse është e nevojshme. Është e rëndësishme që të respektohen procedurat institucionale dhe procedurat përkatëse juridike, me transparencë maksimale, për të qenë e qartë se ligji aplikohet në mënyrë të paanshme,”- kishte reaguar ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Shkup.
Dhe, gati tetë vjet më pas, Gjykata Themelore Penale e Shkupit vendosi të enjten, më 23 janar 2025, të lirojë nga ndjekja penale organizatorët e dhunës: ish-kryetarin e Kuvendit, Trajko Veljanovski, ish-ministrat Spiro Ristovski dhe Mile Janakievski, si dhe ish-drejtorin e Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK), Vladimir Atanasovski, të cilët ishin akuzuar si “organizatorë të ngjarjeve të dhunshme” të 27 prillit 2017.
Dje, gjykatësi Ilija Trpkov, në fund të seancës iu drejtua të sipërpërmendurve: “Shqyrtimi kryesor përfundoi, mund të shkoni, jeni të lirë”! – tha Trpkov duke nënvizuar:
“Kërkesa për aplikimin e amnistisë e paraqitur nga të akuzuarit Trajko Veljanovski, Spiro Risteski, Mile Janakieski dhe Vladimir Atanasovski pranohet. Ndërpritet procedura penale e ngritur me aktakuzën e Prokurorisë Themelore Publike për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit më 31.05.2019 për veprën penale ‘rrezikim terrorist i rendit kushtetues dhe të sigurisë’ nga neni 313 i Kodit Penal”, – arsyetoi vendimin gjykatësi Ilija Trpkov.
Rikujtojmë: Aktualisht në pushtet është koalicioni VMRO-DPMNE-VLEN-ZNAM. Kryeministri Hristijan Mickoski jo pa zhurmë ka siguruar publikun se qeverisja -pushteti i tij – angazhohet për vendosjen e shtetit të së drejtës, luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe për integrimin e vendit në familjen evropiane.
Verdikti i djeshëm në Shkup flet më së miri për gjasat që këto zotime të vëhen në jetë. Të presim e të shohim se si do të komentohet nga kancelaritë euro-amerikane në Shkup!