Një fakt që nuk mund të mohohet për TikTok-un është se ky rrjet social e arriti kulmin e afirmimit gjatë periudhës së izolimit. Njerëzit, në atë situatë të tmerrshme pandemie, përveçse eksploronin instinktivisht lajme alternative dhe konspiracione që dëshironin t’i dëgjonin (edhe pse e dinin se shkenca thoshte tjetër gjë), e përdornin këtë platformë si një “escape” me videot që relativizonin kohën. Ishte periudha kur njerëzit iu dorëzuan instinktit dhe në atë realitet, projeksionet e zhvillimeve të qëndrueshme dhe strategjive afatgjata u dukeshin si klishe.
Shkruan: Lorik Idrizi
Duke parë nismën e fundit të SHBA-ve dhe Shqipërisë për mbylljen e TikTok-ut, ka shumë dilema rreth kësaj çështjeje. Në njërën anë qëndron një grup më konvencional që beson se ky rrjet social shpërfaq mediokritetin, dhe në anën tjetër, një “starter pack” që beson në lirinë e fjalës pa kushte, edhe atëherë kur cënohet një liri “tjetër”.
Duke analizuar përmbajtjen dhe rrethanat që e bënë këtë aplikacion të merrte përmasa kaq të frikshme, shfaqen shumë dilema. Në aspektin e inxhinierisë sociale, shpjegimet tregojnë se, përveç adrenalinës që shkaktojnë videot e shkurtra (të njohura ndryshe si “reels”), ato nxisin një ndjenjë të madhe kureshtjeje për atë që do të vijë më pas. Shumë inxhinierë socialë e krahasojnë këtë fenomen me një kombinim të kureshtjes dhe epshit që shfaqet gjatë lojërave të bixhozit.
Një fakt që nuk mund të mohohet për TikTok-un është se ky rrjet social e arriti kulmin e afirmimit gjatë periudhës së izolimit. Njerëzit, në atë situatë të tmerrshme pandemie, përveçse eksploronin instinktivisht lajme alternative dhe konspiracione që dëshironin t’i dëgjonin (edhe pse e dinin se shkenca thoshte tjetër gjë), e përdornin këtë platformë si një “escape” me videot që relativizonin kohën. Ishte periudha kur njerëzit iu dorëzuan instinktit dhe në atë realitet, projeksionet e zhvillimeve të qëndrueshme dhe strategjive afatgjata u dukeshin si klishe.
Pra, TikTok nuk është një shpikje “organike” dhe nuk ka pasur një rritje të natyrshme. Ishte një rrethanë shumë e jashtëzakonshme, si pandemia, që e shtyu deri në këto përmasa të frikshme. Madje, zanafilla e këtij aplikacioni nuk lidhet me progresin shoqëror. Për dallim nga Facebook-u, i cili përveçse ka lindur në një nga “tempujt e dijes” si Harvardi, kishte në esencë rrjetëzimin e studentëve – një fenomen që shoqëria civile, mediat dhe të gjitha sferat e tjera të dijes e promovojnë për të nxitur ndërveprimin dhe dinamizmin.
Me të gjitha të metat që ka, paradoksalisht, kompania “META” ende ruan disa prej këtyre esencave. Dilemat rreth fact-checking-ut, të cilat ndonjëherë kufizojnë lirinë e fjalës, apo nismat e organizatave ndërkombëtare të mediave për të mbrojtur burimet e besueshme, tregojnë përpjekjen për të ruajtur një balancë. Përveç aspektit shoqëror, Facebook-u ka mundësuar jo vetëm takimet me miqtë e vjetër, por edhe rrjetëzimin e njerëzve të shkencës që janë takuar në konferenca apo evente. Shpeshherë, për shkak të kredibilitetit të tij, Facebook-u shërben si një kartëvizitë virtuale, njësoj si LinkedIn-i. Në mozaikun e madh të dijes dhe progresit shoqëror, këto rrjete sociale kanë kontribuar shumë në dinamizmin dhe ndërveprimin shoqëror, gjë që nuk ka ndodhur me TikTok-un.
Megjithëse nuk mund të gjeneralizojmë të gjithë përdoruesit e TikTok-ut, shumë nga sfidat apo garat që arrijnë të monetizohen në këtë platformë shpesh ngjajnë si një arenë gladiatorësh, ku fiton më i “krisuri”. Pa amnistuar prindërit, të cilët duhet të jenë më të përgjegjshëm në raport me fëmijët e tyre, përsëri ky model që ofrohet është shumë larg përgjegjësisë shoqërore dhe normalitetit njerëzor.
Pra, rrjetet sociale nuk janë të gjitha të dëmshme, ashtu siç nuk janë të gjitha të vlefshme. Ato përfaqësojnë një pafundësi mundësish, ashtu si vetë interneti, i cili, kur përdoret me përgjegjësi, mund të bëhet një mjet i fuqishëm për dijen. Por, nëse përdoret pa kontroll, mund të shndërrohet në një makth të frikshëm. Duke marrë parasysh se sa jetike është teknologjia dhe sa lehtësi sjell në komunikim dhe rrjetëzim, këto mjete duhet të kategorizohen dhe të orientohen drejt progresit shoqëror, duke u vënë në funksion të edukimit dhe përmirësimit të jetës dhe jo të reduktohen në algoritme fitimprurëse që shpesh here rëshqasin në forma të ndryshme degjenerimi