E martë, 25 Mars, 2025

DONALD TRUMP BETOHET SOT SI PRESIDENT I SHBA-së

Donald Trumpi do të betohet sot (e hënë) si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës me premtimet për të shtyrë kufijtë e pushtetit ekzekutiv, për dëbim të miliona emigrantëve, si dhe për transformim të rolit të SHBA-së në skenën botërore. 

Ceremonia e inaugurimit të Trumpit do të zhvillohet në mesditë (rreth orës 18:00 me kohë lokale të Kosovës) brenda Kapitolit të SHBA-së, katër vjet pasi një turmë mbështetësish të Trumpit shkelën simbolin e demokracisë amerikane në një përpjekje të pasuksesshme për të parandaluar humbjen e republikanit në vitin 2020 ndaj demokratit Joe Biden.

Betimi do të bëhet në ambiente të mbyllura për herë të parë pas 40 vitesh për shkak të të ftohtit ekstrem, raportoi Reuters.

Ish-presidentët që do të marrin pjesë në inaugurim janë Barack Obama, George W. Bush dhe Bill Clinton. Ish-zonja e parë, Laura Bush dhe ish-sekretarja e Shtetit Hillary Clinton do të marrin pjesë gjithashtu në këtë ngjarje.

Disa prej njerëzve më të pasur në botë si: shefi ekzekutiv i Teslas dhe SpaceX, Elon Musk, shefi ekzekutiv i Metas, Mark Zuckerberg dhe themeluesi i Amazonit, Jeff Bezos, do të marrin pjesë në ceremoninë e betimit dhe do të ulen në platformë së bashku me kabinetin e Trumpit. Këngëtarja e muzikës kantri, Carrie Underwood do të performojë në ceremoninë zyrtare.

Në këtë ceremoni të betimit janë ftuar udhëheqës të huaj, përfshirë edhe disa figura nga Ballkani Perëndimor.

Gjatë fushatës së tij, Trumpi ka pretenduar se do t’i japë fund luftës së Rusisë në Ukrainë brenda një dite, megjithatë këshilltarët e tij kanë pranuar se çdo marrëveshje paqeje do të marrë së paku muaj.

Ndërkaq, dje Trump tha përpara përkrahësve të tij në Uashington një ditë përpara se të kthehet në Shtëpinë e Bardhë se do të vendosë kufizime të rrepta për imigracionin në ditën e tij të parë në detyrë, duke premtuar se do të përmbushë me shpejtësi premtimin kryesor të fushatës së tij, – përcjell kdp.mk njoftimin e Zërit të Amerikës.

“Nesër në perëndim të diellit, pushtimi i vendit tonë do të ketë marrë fund,” tha ai mes brohoritjeve të përkrahësve të tij në pallatin e sporteve dhe koncerteve “Capital One”.

Presidenti i zgjedhur Trump përsëriti zotimin e tij të fushatës për të ndërmarrë përpjekjen më të madhe të dëbimit në historinë e Shtetevr të Bashkuara.

Ishte fjalimi i tij i parë madhor në Uashington që nga fjalimi i tij më 6 janar 2021, para sulmit në Kapitol nga një turmë mbështetësish të tij.

Mijëra mbështetës të Presidentit të zgjedhur pritën në të ftohtë dhe shi për orë të tëra, për të marrë pjesë në tubimin e tij të fitores.

Zoti Trump ka thënë se do të falë shumë nga mbi 1500 personat e dënuar ose të akuzuar në lidhje me sulmin. Tubimi i së dielës i zotit Trump, së bashku me fjalimin e tij inaugurues të hënën, mund të përcaktojë tonin e mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Një burim me dijeni për planet e tij tha se siguria kufitare do të zërë një vend të rëndësishëm në urdhrat e parë ekzekutivë të zotit Trump të hënën, të cilat ka të ngjarë të përfshijnë klasifikimin e karteleve të drogës si “organizata të huaja terroriste”, si edhe shpalljen e një situate emergjence në kufirin SHBA-Meksikë.

Më herët të dielën, Trump hëngri mëngjes me senatorët republikanë amerikanë pranë Shtëpisë së Bardhë.

Më pas ai vendosi një kurorë në Varrin e Ushtarit të Panjohur në Varrezat Kombëtare të Arlingtonit të dielën.

“Tubimi i Fitores për ta Bërë Amerikën Sërish Madhështore” filloi në orën 3 të pasdites në “Capital One Arena”, një stadium i brendshëm për lojërat e hokejit dhe basketbollit, si dhe një vend i caktuar për disa nga festimet e inaugurimit të së hënës, pas parashikimeve për mot të ftohtë të ashpër, që i shtynë zyrtarët të anulonin festimet e planifikuara në mjedise të hapura.

Radha e mbështetësve, shumë të veshur me xhaketat e kuqe të markës së njohur Trump dhe kapelet MAGA, shtrihej në disa blloqe në qendër të Uashingtonit. Disa thërrisnin “SHBA! SHBA!” dhe të tjerët flisnin me megafon ndërsa prisnin.

Zona të mëdha të kryeqytetit, përreth Kapitolit dhe Shtëpisë së Bardhë janë bllokuar nga gardhe çeliku që nga java e kaluar dhe ka patur një prani të shtuar të policisë në të gjithë zonën.

Tubimi i Presidentit të zgjedhur Trump, së bashku me fjalimin e tij inaugurues të hënën, mund të japë një pamje të tonit që ai planifikon të mbajë gjatë mandatit të tij të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Në javët e fundit, ai ka befasuar vendet aleate me shprehjen e mendimit për marrjen e Groenlandës dhe Kanalit të Panamasë, si dhe shndërrimin e Kanadasë në një shtet të Shteteve të Bashkuara.

Emigracioni pritet të jetë objekt i veprimeve të para ekzekutive të Presidentit të zgjedhur Trump pas marrjes së detyrës, së bashku me çështjet e energjisë dhe politikat që synojnë promovimin e diversitetit, barazisë dhe përfshirjes, tha për kanalin televiziv CBS këshilltari i tij i ardhshëm për sigurinë kombëtare, Mike Waltz.

“Populli amerikan i dha atij një mandat të qartë. Mbyllni kufirin tonë, deportoni më të këqijtë e më të këqijve, përballuni me kartelet”, tha zoti Waltz në një intervistë për emisionin “Face the Nation”.

Axhenda e zotit Trump mendohet se ishte një tematikë e mundshme edhe gjatë mëngjesit të tij me senatorët republikanë në Blair House, godina përballë Shtëpisë së Bardhë, që përdoret për aktivitete të ndryshme. Senatorë kryesorë republikanë, si John Cornyn, Susan Collins, Ted Cruz, Rick Scott dhe Tim Scott ishin ndër të pranishmit që u panë duke u larguar nga aktiviteti të dielën.

Tubimi pritej të kishte ngjashmëri me fjalimet e lira që kanë qenë një element kryesor që nga fushata e tij e parë presidenciale në vitin 2016./VOA/

Të fundit