E martë, 18 Shkurt, 2025

KUSH KA MARRË PJESË NË VJETËRIMIN E RASTEVE TË SASHO MIJALKOVIT?

Prokurorët po hetojnë nëse në fshehjen e çështjeve ka qenë i përfshirë edhe një person i tretë. Ish-zëvendëskryeministri Artan Grubi dhe gjyqtari Enver Bexheti janë objekt hetimi paraprak, ndonëse aktualisht nuk ndodhen në Maqedoninë e Veriut, raporton DW, përcjell KDP.

Prokuroria e Maqedonisë së Veriut ka nisur hetime paraprake ndaj ish-zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, Enver Bexheti, për keqpërdorime. Të dy ndodhen në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara për përfshirje në korrupsion të rëndësishëm. Prokurori republikan Ljupço Kocevski konfirmoi se procesi kundër tyre po vazhdon, ndërsa është lëshuar urdhër-arrest ndërkombëtar për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Prokurorët po grumbullojnë prova për të zbuluar nëse në fshehjen e çështjeve për ish-drejtorin e Agjencisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit (UBK), Sasho Mijalkov, ka qenë i përfshirë një person i tretë. Kocevski, gjatë një deklarate para Këshillit të Prokurorëve Publikë, tha se procesi ndaj Grubit dhe Bexhetit është në fazë hetimore dhe do të shikohet si do të zhvillohet.

Në dhjetor 2024, Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi Grubin dhe Bexhetin në listën e zezë për pranimin e ryshfeteve që synonin ndalimin e proceseve gjyqësore kundër Mijalkovit. Ky i fundit ishte përfshirë në listën e zezë të SHBA-së në vitin 2022, gjithashtu për korrupsion.

Sasho Mijalkov është parë së fundmi në Monte Carlo duke dalë nga një Ferrari luksoz, ndërsa çështjet kundër tij në Maqedoninë e Veriut kanë rënë në afat. Kocevski theksoi se çështja për Mijalkovin është ende në fazë hetimore dhe prokuroria po mbledh prova.

Një muaj pas arratisjes së Artan Grubit, autoritetet ende nuk e kanë lokalizuar ish-zëvendëskryeministrin. Sipas Ministrit të Brendshëm Pançe Toshkovski, Grubi mund të jetë larguar drejt Shqipërisë, por informacionet operative nuk kanë sjellë ende prova konkrete për vendndodhjen e tij.

Partitë politike vazhdojnë të akuzojnë njëra-tjetrën për përgjegjësinë mbi rastin Grubi. VMRO-DPMNE fajëson LSDM-në për mosveprim ndaj aktiviteteve të tij. Deputeti i VMRO-së, Brane Petrushevski, kritikoi sot LSDM-në për mungesë përgjegjshmërie, duke theksuar se nuk kanë kërkuar falje për veprimet e Grubit.

Të fundit