BDI ka theksuar se është koha për zgjedhje të parakohshme, për shkak se qeveria është kthyer në simbol të dështimit dhe mungesës së përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve. Ndërkohë, kryeministri Hristijan Mickoski, ka theksuar se nëse në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë të vitit 2025, qeveria aktuale mposhtet nga partitë opozitare, atëherë do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare
Bashkimi Demokratik për Integrim ka theksuar se Qeveria aktuale, për një periudhë të shkurtër kohore ka shënuar nivelin më të lartë të skandaleve, dhe për këtë tha se, është koha për zgjedhje të parakohshme dhe shtoi se, qytetarët meritojnë Qeveri që u shërben interesave të tyre. BDI shtoi se, mbeten të përkushtuar për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë
“Qeveria aktuale, që pa asnjë dyshim ka shënuar nivelin më të lartë të skandaleve, paaftësisë, krimit dhe korrupsionit brenda një periudhe kaq të shkurtër kohore dhe është kthyer në simbol të dështimit dhe mungesës së përgjegjshmërisë para qytetarëve të vendit. Bllokimi i procesit të integrimit evropian dhe sulmi ndaj Marrëveshjes Paqësore të Ohrit që ka shkaktuar tensione të reja në marrëdhëniet ndëretnike, kanë krijuar një situatë të paparashikueshme dhe të rrezikshme për stabilitetin e brendshëm”, kanë theksuar nga BDI
Në këto rrethana, kanë theksuar nga BDI, Maqedonia e Veriut ka rënë në qendër të vëmendjes së organizatave ndërkombëtare, duke u shndërruar në një nga prioritetet kryesor të Komunitetit Evropian për Menaxhimin e Krizave.
“Kjo situatë dëshmon qartazi dështimin e kësaj qeverie për të adresuar sfidat kyçe me të cilat përballet vendi dhe nevojën urgjente për një ndryshim të kursit politik. BDI konsideron se e vetmja rrugëdalje për të shpëtuar të ardhmen europiane të vendit është që kjo qeveri t’i hapë rrugë rikthimit të mandatit te qytetarët përmes zgjedhjeve të reja të parakohshme. Qytetarët meritojnë një qeveri të përgjegjshme, të aftë dhe të përkushtuar për t’i shërbyer interesave të tyre dhe për të çuar vendin përpara në rrugën e zhvillimit dhe integrimit evropian. BDI mbetet e përkushtuar në angazhimin e saj për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe për të siguruar një të ardhme më të mirë për të gjithë. Ftojmë të gjitha forcat progresive dhe qytetarët e vendit të bashkohen në këtë përpjekje për të kthyer shpresën dhe perspektivën në vendin tonë”, thotë BDI.
Ndaj thirrjes së BDI-së për zgjedhje të parakohsme ka reaguar, kryeministri Hristijan Mickoski, i cili ka theksuar se nëse në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në vjeshtë të vitit 2025, qeveria aktuale mposhtet nga partitë opozitare, atëherë do të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Në të kundërtën,ka theksuar Mickoski partitë opozitare duhet të reformohen dhe të garojnë në zgjedhje të rregullta parlamentare me kuadro të reja.
“Nëse këtë qeveri qytetarët e mposhtin në ato zgjedhje lokale, është logjike që të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare pas kësaj, të mos na ndodhë si në vitin 2021. Por nëse kjo qeveri i mposht partitë e tanishme opozitare në zgjedhjet lokale, atëherë presim përfundimisht t’i përkushtohen vetvetes, të ristrukturohen, në kuadro dhe në program të rifreskohen dhe të munden në zgjedhjet e rregullta parlamentare të dalin me program të dhe zgjidhje të reja të kuadrove”, ka theksuar Miskovski Mickoski.