E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

SHQIPTARËT, MBI UJËRAT E TRAZUARA TË KOHËS…

Shqiptarët ndonëse iu takojnë besimeve të ndryshme fetare, ata megjithatë u treguan mjaft rezistues ndaj kërcënimeve që iu janë bërë pikërisht mbi baza fetare, sepse ata gjetën mënyra që mbi ujërat e trazuara të kohës të përdornin barkat fetare për të shpëtuar anijen e madhe kombëtare.Mbi këto parime të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, shqiptarët duhet të vazhdojnë edhe në ditët e sotme të funksiononjnë si komb, duke mos harxhuar energji të kota që do t’i përfshinte ata në beteja të pakuptimta identitare.

Nga Prof. Dr. Skender Asani

Një komb si shqiptarët do ta kishte vështirë t’iu mbijetojë furtunave të kohës, sikur t’mos e kishte të zhvilluar sensin e harmonisë së brendshme fetare. Historia njeh jo pak luftëra fetare, jo vetëm në mes të shteteve dhe kombeve rivale por edhe brendakombëtare. Madje ky është një fakt paradoksal, sepse këto luftëra brendakombëtare kanë ndodhur pikërisht te disa kombe që kanë njohur trende mjaft të avancuara të zhvillimit ekonomik, social e kulturor, siç mund të jenë, bie fjala irlandezët, anglezët, në Perendim, tek të cilët edhe sot përderisa po flasim, ka konflikte në mes të katolikëve dhe protestantëve, apo tek hindusët në Lindjen e largët, ku përleshjet në mes të budistëve dhe myslimanëve janë pjesë e përditshmërisë së këtij kombi.

Historia e shqiptarëve bën përjashtim cilësor kur është në pyetje çështja e besimit fetar, dhe një njeri i painformuar, që nuk ka njohuri paraprake mbi shqiptarët, do të mendonte se ata i takojnë vetëm një besimi fetar. Kjo edhe për faktin se gjatë procesit të formimit dhe zhvillimit si komb, shqiptarët arritën të fermentojnë në vetëdijen e tyre kolektive unitetin e brendshëm mbi baza të përbashkëta, që ishin gjuha dhe kombi. Dhe ngjarjet e historisë na kanë dëshmuar se dëshmorët e gjuhës dhe të kombit vinin nga pjesëtarë të besimeve të ndryshme fetare, të cilët luftërat identitare i kishin zhvilluar në fronte të përbashkëta. Ata

vinin, thënë figurativisht, nga rrjedha të ndryshme të besimeve fetare, por derdheshin në një pellg që quhej komb, që i bashkonte këto rrjedha dhe iu jepte fuqinë e përballimit me sfidate ndryshme të kohës.

Për ta ilustruar këtë, mjafton të bëjmë një shëtitje të shkurtër nëpër faqet e historisë ku do të ndeshim plot fotografi të prijësve shqiptarë, të ciltë vinin nga besime të ndryshme fetare, por që ishin të ulur pranë tryezave të përbashkëta të kuvendeve kombëtare, siç ishte, bie fjala Lidhja Shqiptare e Prizrenit, Kongresi i Manastirit, Pavarësia e Shqipërisë, deri te ditët tona , siç është edhe shpallja e Pavarësisë së Kosovës, ngjarje këto të cilat ishin të mëdha edhe për faktin se u dizajnuan si përpjekje të përbashkëta të myslimanëve dhe të krishterëve shqiptarë.

“Ishte, pra, një ngjarje e re për ne kjo mbledhje, ku pamë shqiptarë të ardhur nga veriu e nga jugu, nga lindja e perëndimi, ku pamë krah për krah gegë e toskë, të krishterë dhe myslimanë, hoxhë dhe priftërinj.”

Kështu do të shkruante në një editorial, që do ta botonte në gazetën “Lirija” më 1908, kryetari i Kongresit të Manastirit, Mithat Frashëri.

Kur jemi te Kongresi i Manastirit, një ngjarje kjo që këtyre ditëve po shënohet me aktivitete të shumta kulturore e shkencore në ITSHKSH, duhet veçuar edhe një moment mjaft interesant që shpreh më së miri mirëkuptimin dhe respektin që kishin përfaqësuesit e Lëvizjes kombëtare shqiptare të cilin vinin nga besime dhe praktika të ndyrshme fetare.

Ishte fjala e fuqishme dhe argumentuese e Gjergj Fishtës para delegatëve të Kongresit të Manastirit ajo që krijoi një situatë tejet emocuonuese në sallë. Fjalimin e tij ai përfundoi me këto fjalë:

‘Nuk kam ardhë këtu ta mbrojë ndonjë alfabet të veçantë, por kam ardhë që të bashkohem me ju dhe ta pranoj alfabetin të cilin do ta zgjedhë Kongresi e që do të jetë më i dobishmi për ta zgjuar popullin’. Ai gjithashtu tha: ‘Armiqtë që e rrethojnë Shqipërinë janë të shumtë dhe të gjithë provojnë të na i marrin tokat, por nëse ne nuk mundemi ta mbrojmë atdheun tonë me fuqinë tonë morale, do ta mbrojmë me armë dhe nuk do t’i lejojmë armiqtë e Shqipërisë që ta marrin asnjë pëllëmbë të territorit tonë.’

Pas këtyre fjalëve, të gjithë të pranishmit , myslimanë dhe të krishterë, u ngritën në këmbë dhe me lot në sy i duratrokitën Gjergj Fishtës, dhe kur po zbriste nga podiumi, hoxhë Hafiz Ibrahim efendiu, i cili e përfaqësonte klubin e shqiptarëve të Shkupit, i doli shpejt përpara, e përqafoi dhe e puthi duke i rrjedhur lotët nëpër faqe. Kjo skenë, sa emcionuese, po aq edhe dramatike për nga kuptimi i saj, sipas dëshmive të historiografisë shqiptare dhe të huaj, i dha kahje vendimtare rrjedhës së Kongresit të Manastirit, sepse një hoxhë po e përqafonte një prift në shenjë miratimi të vendimeve përfundimtare që shpien në unifikimn e alfabetit të gjuhës shipe. Pra, jo ratësisht po e veçojmë këtë rast sepse kishte tendenca nga qarqe të ndryshme të shteteve shoveiste fqinje që iu pengonte suksesi i shqiptarëve në arritjen e në alfabetit të përbashkët dhe një propagandë e tillë mundohej madje të mbjell defetizëm dhe përçarje te shqiptarët, duke i nxitur ata, sidomos muslimanët, që ta kundërshtojnë një alfabet latin, i cili sipas tyre ishte i krishterëve.

Kur ndërroi jetë Gjergj Fishta, në varrimin e tij morën pjesë personalitete të shumtë nga paria shqiptare e kohës, mirëpo fjalimin më emocinues mbi varrin e ti, më 31 dhjetor të vitit 1940, e mbajti Hafiz Ali Kraja i cili njihej si një ndër intelektualët e famshëm mysliman nga qyteti i Shkodrës. E veçanta e këtij fjalimi është fakti se si një hoxhë i thurri një tekst të tillë aq të bukur një prifti, ndonëse siç dihet, këta dy personalitete, Gjergj Fishta dhe Hafiz Ali Kraja, kishin një miqësi të hershme në mes veti dhe ata çdo vështirësi apo mosmarrëveshje në mes të banorëve të qytetit e tejkalonin me mençuri dhe largpamësi.

Te shqiptarët, siç dihet, dominon besimi Islam dhe kjo përkatësi fetare nga shumë kush është shikuar në këndvështrime të ndryshme, madje janë shprehur edhe skepticizma të caktuara. Prandaj, jo rastësisht ka jo pak njerëz në të kaluarën por edhe sot, që mendojnë se përkatësia fetare Islame e shqiptarëvë është pengesë për t’u integruar në familjen e madhe evropiane. Sipas këtij diskursi, Evropa e krishterë heziton t’i pranojë në gjiun e saj shqiptarët, prandaj ata duhet ta ndërrojnë fenë për t’u bërë evropianë të denjë.

Mirëpo këtyre pikëpmajeve të gabuara, që herët iu kishe kundërvënë pikërisht poeti i madh kombëtar Gjergj Fishta, duke u shprehur se “në rast se ata nuk na duan në një shtet të vetëm, pasi thonë shqiptarët qenkan musliman, atëherë na kristianët, do ti shkriejmë kryqet tona dhe do ti bajmë fishek, me mbrojt vllaznitë tanë musliman shqiptarë”.

Kjo tregon se mes krerëve të besimeve fetare tek shqiptarët, jo vetë që ka ekzistuar një harmoni e mrekullueshme fetare, por kjo harmoni ka qenë model inspirimi për forcat intelektuale e politike në momente e kohë të ndryshme.

Mjafton të rishikojmë edhe njëherë ngjarjet e mëdha kombëtare dhe do të vërejmë se kontributi i i elitës shqiptare bazohej mbi një diversitet të pasur fetar, ashtu siç eka vërejtur edhe albanologu i shquar gjerman Beter Bartli, i cili në monografinë e tij me titull “Myslimanët Shqiptarë në Lëvizjen për pavarësi kombëtare (1878-1912)” , botuar në vitin 1968, ndër të tjera vë në dukej edhe kontributin e një prej figurave më të respektuara dhe kryesore të Lidhjes Shqiptare, Myderrizin Ymer Prizreni, pastaj një figurë tjetër të shquar

të Lidhjes Shqiptare të Pejës, Haxhi Zeka, të cilët, ndonëse vinin nga provinienca fetare islame, e kishin të ngjizur thellë në vetëdije çështjen kombëtare shqiptare.

Historia njeh edhe mjaft figura të tjera, të cilët edhe pse kishin formim shkollor fetar, ata gjithë këtë firmim e vini në shërbim të kauzës kombëtare. I tillë ishte edhe Hixhë Kadri Prishtina, i cili bashkë me Hasan Prishtinën, Ismail Qemalin, Fan Nolin, Bajram Currin, Gjergj Fishtën, Azem Galicën, Luigj Gurakuqin e të tjerë, i dhanë dinamikë lëvizjeve politike dhe diplomatike të kohës. Si rrjedhojë e këtyre lëvizjeve, Hoxhë Kadri Prishtina me 1915, në Shkodër e krijoi një komitet me emrin “Komiteti i Fshehtë”, kurse pas tri vjetësh, konkretisht më më 1 maj 1918, me një grup atdhetarësh, intelektualësh, kryesisht nga Kosova, e themeloi Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. Në vitin 1919, për t’u ndihmuar kryengritësve, Komiteti, në udhëheqjen e Hoxha Kadriut, përgatiti Programin e përgjithshëm të kryengritjes në Kosovës dhe është shumë interesant se në pikën 1 dhe 2 të këtij Programi apelohej që, citojmë: “asnjë kryengritës nuk guxon t’i dëmtojë shkiet e vendit veç atyre që qëndrojnë me armë në dorë kundër qëllimit shqiptar”, dhe, citojmë : “ asnjë kryengritës nuk guxon të djegë shtëpia, të rrënojë kisha e gjëra të tjera.

Me këto dy pika të Programit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” hudhej poshtë propaganda e orkestruar nga Beogradi, sipas së cilës kryengritësit shqiptarë i kanë dëmtuar vendbanimet sllave, sidomos objektet e tyre fetare.

Një popagandë e tillë është munduar të njollosë edhe pjesëtarët tjerë të lëvizjeve të mëvonshme shqiptare, duke i etiketuar ata si gjoja bashkëpunëtorë të fashizmit, me qëllim që pastaj të justifikohej çfarëdo lloj aksioni represiv kundër shqiptarëve, siç edhe ka ndodhur menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, kur OZNA dhe i gjithë aparati represiv jugosllav kishte vënë në shënjestër bartësit e kryengritjeve vullnetare të shqiptarëve, duke i akuzuar ata si gjoja keqbërës dhe mizorë, sidomos në vendbanimet sllave, gjë që e

vërteta është krejt ndryshe, siç dëshmojnë edhe dy pikat e cituara më lart të programit të Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” .

Fryma e harmonisë fetare ishte më e fuqishme se çfarëdo lloj propagande që mundoheshin të huajt ta bëjnë në llogari të lëvizjes kombëtare shqiptare. Kjo frymë ishte mbizotëruese e të gjitha proceseve mobilizuese të shqiptarëve, siç ishte, bie fjala edhe një organizatë politike me proviniencë fetare – “Xhemieti”, e cila ishte vazhdimësi e veprimtarisë së klubit “Bashkimi” dhe i Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”. E themeluar në Shkup nga vëllezërit Dragaj, Bedri Pejani etj. “Xhemijeti” e shfrytëzoi për mrekulli petkun fetar si kamuflim i veprimtarisë kombëtare dhe si rezultat i kësaj veprimtarie u arrit për një kohë të caktuar të pengohej kolonizimi i tokave shqiptare si dhe shpërngulja e shqiptarëve për Turqi.

Në vitin 1923, pasi fitoi 14 deputetë, ku edhe ishte pjesë e Parlamentit të atëhershëm të Mbretërisë SKS, kjo parti filloi bisedimet me krotatë, sllovenët dhe boshnjakët për të rrëzuar nga pushteti Kryeministrin Nikolla Pashiq dhe për të përgatitur parakushtet e shkëputjes së shqiptarëve nga Mbretëria SKS dhe krijimin e shtetit të tyre kombëtar i cili pastaj do t’i bashkangjitej Shqipërisë. Mirëpo këto plane shumë shpejt u dekonspiruan dhe në vitin 1924 Pashiqi i hakmerret “Xhemijetit” me persekutimin e krerëve të kësaj partie, në mesin e të cilëve edhe Nexhip Dragën të cilin e burgos.

Por hakmarrja nuk përfundonte me kaq. Qeveria e Pashiqit kishte hartuar një plan të detajuar për goditjen e shqiptarëve aty ku më së tepërmi iu dhemb dhe më 18 nëntor 1924, para plot 100 vjetëve, e rrënojnë Burmali Xhaminë e bukur buzë Vardarit dhe mbi themelet e saj ndërtuan Pallatin e Oficerëve, që u përdor si simbolikë e nënshtrimit të shqiptarëve, ose e varrosjes së çështjes shqiptare, siç pretendonte Beogradi.

Shtypi i asaj kohe madje me shumë pompozitet raportonte për këtë ngjarje, duke sjellë kronika dhe fotografi si nga rrënimi i Burmali Xhamisë, ashtu edhe nga hedhja e themeleve të Pallatit të Oficerëve (18 qershor 1925), ku i pranishëm kishte qenë, siç e dëshmojnë gazetat e kohës, vet Aleksandar Karagjorgjeviqi. Këto veprime barbare të pushtetarëve serbët ishin të inspiruara nga idetë famëkeqe të Garashaninit, Vladan Gjorgjeviqit, Çubrilloviqit, Cvjejiqit etj. për pastrimin etnik të trojeve shqiptare dhe konfigurimin urbanistik të qyteteve sipas planeve të arkitektëve serbë. Fryt i këtij konfigurimi edhe sot i kemi mjaft objekte në Shkup dhe në qytetet tjera, të ndërtuara përgjatë viteve 20-të të shekullit të kaluar, të cilët shprehnin, përveç tjerash, edhe frymën ekspansioniste të poushtuesve të Beogradit.

Me shuarjen e “Xhemietit” dhe me burgosjen dhe vrasjen e krerëve të saj, shqiptarët në periudhën në mes të dy luftërave botrërore përjetuan tmerre të papërshkruara, të gjitha të orkestruara me përpikmëri nga aparati represiv i Beogradit. Të ndodhur pa një orientim politik dhe të ekspozuar ndaj reprezaljeve, shqiptarët si shpëtim të vetëm gjetën shpërnguljen për Turqi, një synim ky i kahershëm i ideologëve kryesorë të nacionalzmit serb, të cilët në projektet e tyre famëkeqe kishin parapa goditjen e shqiptarëve edhe mbi baza fetare. Prandaj jorastësisht kishte ndodhur rrënimi i Burmali Xhamisë si dhe shumë objekteve tjera fetare islame, si mjet për t’i shndërruar shqiptarët në një komb pa atdhe dhe në refugjatë që do të gjenin shpëtim në shkretëtirat e Anadollit.

Shqiptarët ndonëse iu takojnë besimeve të ndryshme fetare, ata megjithatë u treguan mjaft rezistues ndaj kërcënimeve që iu janë bërë pikërisht mbi baza fetare, sepse ata gjetën mënyra që mbi ujërat e trazuara të kohës të përdornin barkat fetare për të shpëtuar anijen e madhe kombëtare. Mbi këto parime të harmonisë dhe bashkëjetesës fetare, shqiptarët duhet të vazhdojnë edhe në ditët e sotme të funksiononjnë si komb, duke mos harxhuar energji të kota që do t’i përfshinte ata në beteja të pakuptimta identitare.

(Fjalë e mbajtur në manifestimin “Ditët e mërgatës” në Llozanë të Zvicrës)

Të fundit