E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

ME RIKTHIMIN E TRUMPIT, KTHEHET EDHE HISTORIA E VJETËR PËR NDARJEN E KOSOVËS

Kush qëndron pas forcave që sërish do të donin të ndanin territorin e Kosovës është një nga pyetjet që kërkon përgjigje për të shmangur një eskalim të ri në Ballkan.

Shkruan: Goran Mishiq*

Përkufizimi, fjala e harruar në marrëdhëniet e popullit shqiptar dhe atij serb, u rikthye në hapësirën publike fill pas rezultateve të zgjedhjeve presidenciale amerikane, megjithëse diçka të tillë nuk e ka përmendur asnjëherë, as në mandatin e tij të parë dhe as më pas, madje as gjithmonë i paparashikuari Donald Trump.

Një zgjidhje të tillë, e propozuar që nga koha e Dobrica Qosiqit dhe Zoran Gjingjiqit e kanë hedhur kaherë edhe Prishtina edhe Beogradi dhe kjo nuk përmendet as kalimthi as në marrëveshjet e deritanishme të nënshkruara nga të dyja palët, në ato të Brukselit, Washingtonit, Ohrit, ose në çdo marrëveshje tjetër.

Prandaj, pyetja se kush qëndron pas forcave që do të donin përsëri të ndanin territorin e Kosovës, po imponohet sërish si një nga ato që kërkojnë përgjigje urgjente për të shmangur një eskalim të ri në këtë rajon përherë të paqëndrueshëm të Ballkanit.

Mesazhet nga stadiumet si mikrofonë politik

Se as pas 25 vjetësh nga bombardimi i RF të Jugosllavisë  dhe 16 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, krahinës së dikurshme nëpërbërje të Serbisë dhe Jugosllavisë, marrëdhëniet e Beogradit dhe Prishtinës nuk janë përmirësuar në shumë aspekte, u kujdes askush tjetër përveç se kapiteni i reprezentacionit futbollistik të Kosovës, Amir Rrahmani.

Ndryshe nga tifozët serbë që me këmbëngulje në ndeshje dhe jashtë tyre brohorasin “Kosova është Serbi”, Rrahmani brohoriti “Kosova nuk është Serbi, Kosova është Kosovë”, por edhe shtoi “Kosova është Shqipëri”, që shkaktoi reagime të shumta të pakënaqësisë në Serbi.

Kjo ndodhi në Rumani gjatë të ashtuqaujturës kohë shtesë të caktuar nga referi kur rezultati ishte 0:0, pasi një grup tifozësh në Bukuresht këndoi “Kosova është Serbi”, për shkak të së cilës futbollistët e Kosovës u tërhoqën nga fusha pa dëshirë që të kthehen më, duke humbur takimin me rezultat 3-0 në tavolinën jeshile të  UEFA-s.

Kështu, mesazhet nga tribunat, të cilat shpesh shërbejnë si mikrofonë politik, detyrimisht u transferuan edhe në fushat e futbollit, duke dëshmuar pa dyshim se shumë negociata dhe marrëveshje  të politikanëve për Kosovën kanë mbetur vetëm në letër.

Marrëdhëniet mes Prishtinës dhe Beogradit, fatkeqësisht, përkundër marrëveshjeve të shumta janë shumë më komplekse se ato të futbollit, kurse kontraversi se a është Kosova serbe, siç shkruan në Kushtetutën e Serbisë dhe siç mendojnë shumica e qytetarëve të Serbisë, apo është kosovare, siç shkruan në Kushtetutën e Kosovës dhe siç mendojnë shumica e qytetarëve të Kosovës, kërkon sërish një zgjidhje, ndër të tjera edhe në modelin të cilin të dyja palët e kanë hedhur poshtë kaherë, si dhe arbitrat ndërkombëtarë dhe pjesëmarrësit e diçkaje që quhej dialogu shumëvjeçar i përfaqësuesve të Serbisë dhe Kosovës. Ky model, nën firmën e kompromisit, quhej kufizim territorial ose ndarje sipas vijës etnike në veriun serb dhe jugun shqiptar.

Fitorja bindëse e republikanëve në SHBA dhe rikthimi i Donald Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, sidomos në mediat serbe, ka rikthyer përsëri në diskursin publik hamendësimin nëse rikthimi i presidentit të ri-të vjetër Trump mund të shënojë ndryshimin e politikës amerikane ndaj Kosovës, respektivisht  angazhimin eventual për ndarjen e territorit që do t’i takonte Serbisë dhe Shqipërisë.

Natyrisht që këtu ka shumë pasione tifozësh dhe këtu futbollisti Rrahmani, i cili luan për Napolin në Itali, nuk është  kurrsesi rast i izoluar.

A ka kufi mes lobimit dhe politikës

Një nga të parët që përmendi mundësinë e ndarjes së Kosovës në dritën e ndryshimit të administratës amerikane, ishte Daniel Serwer, profesor në Universitetin Johns Hopkins, një nga njohësit më të mirë të rrethanave në Ballkan.

“Pres që Trump të ofrojë edhe më shumë mbështetje të pakushtëzuar për Izraelin. Por, mendoj se ndryshimi i parë më dramatik do të lidhet me Ukrainën, ku do të mundohet që një pjesë të Ukrainës t’ua japë rusëve për t’i detyruar ata të ndalojnë luftën,” tha Serwer për Al Jazeera Balkans, duke parashikuar lëvizjet e para të Trumpit kur në janar të marrë tiomin e SHBA-ve.

Ky “lobist shqiptar”, siç e shohin shumica e politikanëve dhe analistëve serbë, parashikon që kjo mund të ketë implikime për Ballkanin, “sepse ndarjet në Ukrainë do të jenë precedent për ndarjet në Kosovë dhe në Bosnjë e Hercegovinë”.

Ndonëse është e vështirë të pritet që Trump tani të insistojë për ndarjen e Kosovës, sidomos pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Washingtonit, kumbar i së cilës ishte personalisht, po renditen supozimet se çfarë do të sjellë mandati i tij i dytë. Megjithatë si më realist në këtë moment qëndron parashikimi se as Trump, për shkak të kushteve të përkeqësuara gjeopolitike në botë, në vitin e parë të sundimit të tij të dytë sigurisht se nuk do të merret me Kosovën e as Marrëveshjen eventuale Washingtoni 2, që  kinse mund të ishte më e favorshme për Beogradin sesa për Prishtinën.

Fjala është, para së gjithash për zëra për të cilat tash për tash nuk deklarohen as zyrtarët nga trekëndëshi Beograd-Prishtinë-Tiranë, e as nga kreu i SHBA-së ose Bashkimi Evropian.

Kështu, Blici beogradas përcjell deklaratën e Jason Stainbaumit, ish-shefit të kabinetit të kongresistit amerikan Eliot Engel dhe bashkautor i raportit mbi Kosovën, i cili ka konfirmuar se si administrata Trump “mund të rikthejë në lojë çështjen e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë”. Gazeta rikujton gjithashtu se pushteti në Prishtinë kundërshton ashpër këtë ide, por, për t’i dhënë besueshmëri tezës që tashmë “diçka po zihet”, citon edhe fjalët e John Boltonit, ish- ambasadorit amerikan në Kombet e Bashkuara dhe ish-këshilltari për sigurinë kombëtare, se SHBA-ja shpreson që Beogradi dhe Prishtina mund të gjejnë një zgjidhje të pranueshme për të dyja palët “përfshirë edhe shkëmbimin e territoreve.”

Nga Qosja te Kurti

Gazeta Ekspress e Prishtinës, gjithashtu, shkruan se si “ka mundësi se do të diskutohet për shkëmbimin e territoreve”, duke vlerësuar së epilog i mundshëm i kësaj drame, ku Kosova, ose ajo që do të mbetet prej saj, mund të bëhet “provincë e Shqipërisë”.

Kjo e përditshme prishtinase thekson se të gjithë presidentët amerikanë nga George Bushi i Vjetër deri te Trumpi kanë qenë unik kur bëhet fjalë për kufijtë e Kosovës, pra se ata “nuk guxojnë të preken dhe se nuk ka ndarje të Kosovës”.

Gazeta gjithashtu transmeton edhe fjalët e analistit dhe publicistit Ernest Luma, i cili rikujton se ishte akademik Rexhep Qosja i pari shqiptar  që paraqiti idenën për shkëmbimn e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.

Në fakt si zgjidhje më të mirë Qosja propozoi që tri komunat veriore (Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi) t’i jepen Serbisë, ndërsa si kompensim për këtë të merren Presheva, Bujanoci dhe Medvegja.

Diçka të ngjashme me siguri do ta pranonte edhe shumkush tjetër në Serbi nëse propozimi do të vinte “nga lartë”, dhe jo vetëm elementët radikalë në Serbi, ata që shkruajnë parulla të tilla si “Kur ushtria serbe të kthehet në Kosovë” dhe “Në mot në Prizren”, megjithëse me siguri nuk do të hiqnin dorë nga pjesa veriore e, sikurse mendojnë ata, Mitrovicës përgjithmonë të ndarë të Kosovës.

Modeli i kufizimit midis popullit serb dhe shqiptar në praktikë u bë popullor që kur Hashim Thaçi ishte kryenegociatori i Prishtinës, shumë më parë se ky lider shqiptar të përfundonte në Hagë.

A do të kthehet ndarja në qendër të vëmendjes së publikut si një nga mundësitë për zgjidhjen e  të ashtuquajturës “çështje kosovare”, ose jo, kjo më shumë varet nga Vuçiqi dhe Kurti sesa nga Donald Trump, madje edhe nga institucionet evropiane, nën mbrojtjen e të cilave, siç pohojnë, nxitojnë edhe Kurti, Vuçiqi, por edhe Edi Rama nga Tirana.

Ose, të jemi plotësisht të saktë, kjo varet më së shumti nga Kurti, me kusht që ai  mbijetojë zgjedhjet e nëntë shkurtit, të cilat vërtet mund të jenë një “Waterloo” e tij, por edhe një mundësi për forcimin dhe konsolidimin e tij në pushtet.

Lobingjet dhe spinet e ndryshme që janë përkufizimet më të sakta të historive të të reja për ndarjen e Kosovës, prapëseprapë kanë për të vazhduar. Do të shtyhen veçanërisht nga Beogradi, i cili gjatë gjithë vitit që po mbaron ishte në ofensivë të madhe diplomatike, duke i dhënë pak a shumë mbështetje të hapur Donald Trumpit, por gjithashtu edhe Vladimir  Vladimiroviqit, të cilit Serbia si vend i vetëm në Evropë ende nuk i ka vendosur sanksione.

Një nga ata që nuk hezitoi të shprehte qëndrimin e tij lidhur me zërat për ndarjen e Kosovës ishte Dushan Janjiq, president i Këshillit Drejtues të Forumit për Marrëdhënie Etnike.

„Mendoj se Trump do të vazhdojë politikën amerikane sipas së cilës Kosova është  shtet i pavarur. Por Trump nuk do të lejojë më blerje kohe, as zvarritje në formimin e Bashkësisë së Komunave Serbe“, konsideron Janjiq.

Ky analist shumëvjeçar i zhvillimeve kosovare vlerëson se administrata e re amerikane nuk do të presë që Prishtina të bëhet e gatshme dhe të formojë Bashkësinë e Komunave Serbe. Ai parashikon se amerikanët, nëse është e nevojshme, do të organizojnë takim me përfaqësuesit e komunitetit serb dhe do të formojnë BKS-në, pa pranuar asnjë justifikim të Prishtinës.

Sa u përket autoriteteve kosovare, përshtatja e re me Trumpin është dukshme edhe te presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila tashmë . në njëfarë mënyre, ka filluar “t’i përshtatet Trumpit”, gjë së shpejti mund të pritet edhe nga Kurti.

Siç thotë Janjiq, Serbia do të duhet të organizojë një referendum këshillimor nëse administrata amerikane do të vë mbi tavolinë idenë për shkëmbimin e territoreve.

Sa larg është kjo nga qëndrimet e deritanishme zyrtare të Amerikës dhe Evropës, sidomos kur bëhet fjalë për fundin e dialogut të Beogradit dhe Prishtinës i cili në fund do të përfundojë me njohjen e ndërsjellë dhe integrimin në bashkësinë e popujve evropianë, që mbetet thelbi i të  gjitha marrëveshjeve të firmosura dhe dakorduara deri tani, nuk është vështirë të jepet një përgjigje me mendje të shëndoshë. Mirëpo, në Ballkan ka kohë që nuk ka shumë mendje të shëndosha, nuk ka as edhe në botën e madhe, ku Ballkani  prej kohësh nuk është ndër prioritetet. Dhe, as  të Donald Trumpit.

*Shkrimi është marrë nga: balkans.aljazeera.net/ Përktheu: kdp.mk

 

Të fundit