E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

DEZERTORI RUS ZBULON SEKRETET E LUFTËS PËR RUAJTJEN E BAZAVE TOP-SEKRETE BËRTHAMORE

Kur ka nisur pushtimi i Ukrainës nga Rusia, përpos ukrainasve, edhe rusët ishin nën alarm të plotë për betejë. Një ish-oficer i forcave bërthamore ruse rrëfen për ngjarjet e kohës dhe përjetimin e tij brenda bazës top-sekrete nukleare. Puna ishte e rëndë, në fund ai dezertoi, por jo për këtë arsye. MIrëpo, çfarë e shtyu rusin të arratisej nga mëmëdheu? Hollësitë i sjell shkrimi i BBC-së, botuar në koha.net.

Në ditën e fillimit të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia, në shkurt 2022, Antoni ka thënë se baza e armëve bërthamore, në të cilën po shërbente, ishte nën alarm të plotë për betejë.

“Para asaj, kishim vetëm ushtrime, por në ditën që filloi lufta, armët ishin gati për t’u përdorur”, ka thënë ish-oficeri i forcave bërthamore ruse.

“Ne ishim gati t’i lëshonim forcat në det dhe ajër, në teori, të kryenim sulm bërthamor”.

Ekipi i BBC-së është takuar me Antonin në një lokacion të fshehtë jashtë Rusisë. Për shkaqe sigurie, nuk është treguar se ku. Gjithashtu i është ndryshuar emri dhe nuk i është shfaqur fytyra.

Antoni ishte oficer në objektin e armëve bërthamore top-sekrete në Rusi. Këtë e kanë vërtetuar edhe dokumentet e tij, të cilat kanë konfirmuar njësinë, gradën dhe bazën. Ngjarjet që ai i ka shpjeguar nuk kanë mundur të identifikohen në mënyrë të pavarur nga BBC-ja, edhe pse përputhen me deklaratat ruse të kohës.

Tri ditë pasi trupat janë futur brenda kufijve të Ukrainës, presidenti rus Vladimir Putin pati njoftuar se forcat e parandalimit bërthamor të Rusisë janë urdhëruar të përdorin një “mënyrë të veçantë të shërbimit luftarak”.

Antoni ka thënë se alarmi i luftimeve ka nisur të tingëllojë në ditën e parë të luftës dhe ka pretenduar se njësia e tij “është mbyllur brenda bazës”.

“E gjitha që kishim ishte transmetuesi televiziv rus i shtetit”, ka thënë ish-oficeri. “Nuk e kuptoja se çfarë do të thoshte e gjithë kjo. Automatikisht i kreva detyrat e mia. Ne nuk po luftonim në luftë, vetëm po mbronim armët bërthamore”.

Gjendja e alarmimit ka ndaluar pas dy-tri javësh, ka shtuar ai. Dëshmia e Antonit ka ofruar një këndvështrim të punimeve të brendshme top-sekrete të forcave bërthamore në Rusi. Ndodh shumë rrallë që anëtarët e shërbimit flasin me gazetarët.

“Ka proces shumë të rreptë përzgjedhjeje atje. Të gjithë janë ushtarë profesionistë – nuk janë të rekrutuar”, ka shpjeguar ai.

“Ka kontrolle rutinore dhe testime me detektor të gënjeshtrës për të gjithë. Pagesa është shumë më e lartë dhe trupat nuk dërgohen në luftë. Ata ose ndalojnë ose kryejnë sulmet bërthamore”.

Ish-oficeri ka thënë se jeta ishte fort e kontrolluar.

“Ishte përgjegjësia ime të sigurohesha që ushtarët nën shërbimin tim nuk kanë marrë telefona në bazën bërthamore”, ka shpjeguar ai. “Është shoqëri e mbyllur, nuk ka të panjohur atje. Nëse dëshiron që të të vizitojnë prindërit, duhet t’ia dërgosh një kërkesë Shërbimit të Sigurisë FSB tre muaj më herët”. Antoni është pjesë e njësisë së sigurisë së bazës – forca me reagim të shpejtë që i ruajnë armët bërthamore.

“Kemi pasur ushtrime të vazhdueshme stërvitëse. Koha e reagimit tonë ishte dy minuta”, ka thënë ai, duke treguar krenari.

Rusia ka rreth 4380 koka raketore e bërthamore operacionale, sipas Federatës së Shkencëtarëve Amerikanë, por vetëm 1700 janë “të pozicionuara” ose të gatshme për t’u përdorur. Të gjitha kokat raketore të vendeve anëtare të NATO-s të kombinuara i arrijnë këto shifra.

Gjithashtu ka shqetësime nëse Putini do të vendoste të poziciononte armë bërthamore “jostrategjike”, shpesh të quajtura taktile. Këto janë raketa më të vogla që në përgjithësi nuk shkaktojnë në mënyrë të përhapur mbeturina radioaktive. Përdorimi i tyre gjithsesi mund të çojë në përshkallëzim të rrezikshëm të luftës.

“Vetëm sa për t’i testuar nervat e Perëndimit”

Kremlini ka qenë duke e bërë gjithë këtë vetëm sa për t’i testuar nervat e Perëndimit. Vetëm javën e kaluar, Putini ka aplikuar ndryshime në doktrinën bërthamore – rregullat zyrtare që diktojnë si dhe kur Rusia mund t’i lëshojë armët bërthamore. Doktrina tani thotë se Rusia mund ta nisë një të tillë, nëse është nën “sulm masiv” nga raketat e një shteti jobërthamor, por “me pjesëmarrje ose mbështetje të një shteti bërthamor”. Por, a është arsenali bërthamor i Rusisë tërësisht funksional?

Disa ekspertë perëndimorë kanë sugjeruar se shumica e armëve datojnë nga epoka sovjetike dhe ndoshta edhe nuk funksionojnë. Ish-oficeri i forcave bërthamore i ka mohuar këto opsione si “pikëpamje shumë të thjeshta nga të ashtuquajturit ekspertë”.

“Mund të ketë disa lloje të armëve të stilit të vjetër në disa zona, por vendi ka arsenal gjigant bërthamor, sasi të mëdha të kokave raketore, duke përfshirë patrullën e vazhdueshme luftarake në tokë, det dhe ajër”, ka thënë ai.

“Armët bërthamore të Rusisë kanë qenë tërësisht operacionale dhe të gatshme për betejë”, ka shtuar ai. “Puna e mirëmbajtjes së armëve bërthamore kryhet vazhdimisht, nuk ndalet as për një minutë”.
Pak pas fillimit të luftës së plotë, Antoni ka thënë se i është dhënë çka ai e përshkruan si “urdhër penal” – për të mbajtur mësime me trupat e tij, duke përdorur udhëzime të shkruara dhe shumë specifike.

“Kjo i kalon kufijtë e mi – është krim lufte”

“Ata kanë thënë se civilët ukrainas ishin luftëtarë dhe se duhet të shkatërrohen!” ka thënë ai. “Kjo i kalon kufijtë e mi – është krim lufte. Kam thënë se nuk do ta shpërndaj këtë propagandë”. Oficerët e lartë e kanë dënuar Antonin, duke e transferuar në një brigadë të rregullt sulmi në një pjesë tjetër të vendit. I kanë thënë se do të dërgohej në luftë.

Këto njësi shpesh dërgohen në betejë si “vala e parë” dhe një numër dezertorësh rusë kanë thënë se “ngatërrestarët” që e kundërshtojnë luftën janë përdorur si “ushqim për topat”. Ambasada ruse në Londër nuk i është përgjigjur kërkesës për koment.

Para se të dërgohej në vijën e frontit, Antoni ka nënshkruar një deklaratë, duke refuzuar të marrë pjesë në luftë dhe një rast penal është hapur kundër tij. Ai ka treguar dokumentet, duke konfirmuar kështu transferimin e tij në brigadën e sulmit dhe detajet e rastit penal. Pas kësaj, ai ka vendosur të largohej nga vendi me ndihmën e një organizate vullnetarësh për dezertorët.

“Nëse arratisesha nga baza e forcës bërthamore, atëherë Shërbimi i Sigurisë lokale të FSB-së do të reagonte menjëherë dhe ndoshta nuk do të isha në gjendje të largohesha nga vendi”, ka thënë ai. Por ai ka besuar se, meqë ishte transferuar në një brigadë të thjeshtë të sulmit, sistemi i verifikimit të sigurisë së nivelit të lartë ka dështuar.

Antoni ka dashur t’i tregonte botës se shumë ushtarë rusë ishin kundër luftës.

Organizata vullnetare që i ndihmon dezertorët, “Idite Lesom” (‘Go by the Forest’, në anglisht, ose ‘Get Lost’) ka thënë se numri i dezertorëve që kërkojnë ndihmë është rritur në 350 në muaj. Rreziqet për ata që largohen janë duke u rritur gjithashtu. Të paktën një dezertor është vrarë pasi është arratisur jashtë shtetit dhe ka disa raste të burrave që detyrimisht janë rikthyer në Rusi dhe janë vendosur para gjyqit.

Edhe pse Antoni është larguar nga Rusia, ai ka thënë se shërbimi i sigurisë është duke e kërkuar akoma: “Këtu marr masa paraprake, punoj fshehurazi dhe nuk shfaqem në asnjë sistem zyrtar”.
Ai ka thënë se ka ndaluar kontaktin me shokët e tij në bazën bërthamore, sepse nuk ka dashur t’i rrezikojë: “Atyre u duhet të kryejnë teste me detektor të gënjeshtrës dhe çdo kontakt me mua mund të çojë në rast penal”. Por, ai nuk është naiv sa i përket rrezikut që i kanoset, meqë i ndihmon ushtarët e tjerë të arratisen.

“E kuptoj se sa më shumë që e bëj këtë, aq më të larta janë shanset që ata të përpiqen dhe të më vrasin”.

Çfarë janë ICBM-të famëkeqe të Rusisë?

Ndërsa Rusia nuk ka përdorur akoma ICBM në luftën në Ukrainë, Kievi në fillim ka menduar se ishin përdorur këto raketa me rreze të gjatë. Rusia ka lëshuar një raketë të re balistike me rreze të mesme në Dnipro të Ukrainës. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e ka quajtur “përshkallëzim të rëndë” përdorimin e kësaj rakete nga Moska.

Ukraina fillimisht e kishte identifikuar raketën e lëshuar si RS-26 Rubezh, ka raportuar media e Ukrainës “Ukrainska Pravda”, duke cituar burime anonime. Sipas Shoqatës së Kontrollit të Armëve, RS-26 ka rreze prej 5800 kilometrash dhe mund të arrijë shpejtësi supersonike prej rreth 6500 kilometrash në orë. Shpejtësia e bën jashtëzakonisht të vështirë përgjimin nga sistemet ekzistuese të mbrojtjes raketore.
RS-26 Rubezh është projektuar për të mbajtur kokë bërthamore që peshon deri në 1200 kilogramë, ngarkesë e barabartë me tri raketa Iskander të kombinuara.

Ushtria amerikane ka thënë se dizajni i raketës ruse bazohej në dizajnin e raketës balistike ndërkontinentale RS-26 Rubezh (ICBM). Raketa e re ishte eksperimentale, por jo ICBM dhe Rusia me gjasë posedon vetëm disa prej tyre, sipas zyrtarëve amerikanë.

Raketat balistike ndërkontinentale janë armë strategjike të dizajnuara për të dërguar koka bërthamore në distanca të gjata dhe janë pjesë e rëndësishme e armëve bërthamore të Rusisë.
ICBM-të kanë rreze prej 5500 kilometrash. Ndërsa rrezja e një ICBM-je duket e tepruar për t’u përdorur kundër Ukrainës, këto raketa janë të dizajnuara për të mbajtur koka të shumta bërthamore – rikujtim i aftësisë bërthamore të Rusisë.

Në raportin e Qendrës së Kontrollit të Armëve të publikuar në vitin 2022, është vlerësuar se Rusia ka afërsisht 306 ICBM-ja, të cilat së bashku mund të përmbajnë deri në 1185 koka bërthamore.
Gjatë Luftës së Ftohtë, rusët kanë zhvilluar qindra ICBM të quajtura Satan, Stiletto dhe Sickle./koha.net/

 

Të fundit