Sipas Rrezearta Elezit, themeluese e Klubit të Librit-Tetovë dhe kolumniste në “Mollëkuqja,” shoqëria civile duhet të zhvillojë aftësinë për dialog dhe mirëkomunikim lidhur me nevojat gjinore në komunitet. Arta Bilalli Zendeli, profesoreshë e drejtësisë në Universitetin e Tetovës, thekson se përfaqësimi grave është përmirësuar përmes kuotave gjinore në kodet zgjedhore të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, profesoresha Arta Mero, eksperte e së drejtës familjare dhe trashëgimore, thekson se duhet të ketë një fokus më të madh në sigurimin e mbrojtjes ligjore për gratë dhe fëmijët në kontekste të vështira socio-ekonomike. Zejna Halimi, autore dhe koleksionuese e veshjeve kombëtare sugjeron që programet mësimore duhet të përfshijnë tema mbi barazinë gjinore dhe librat shkollorë të pastrohen nga paragjykimet dhe stereotipet
Autore: Genta Abdiji
Maqedonia e Veriut nuk ka shënuar fare progres në avancimin e barazisë gjinore. Në progres-raportin e sivjetshëm të Komisionit Evropian për vendin kritikohet mungesa e zhvillimeve të rëndësishme sa iu përket politikave kombëtare për integrimin e barazisë gjinore dhe harmonizimin me legjislacionin e BE-së.
“Zbatimi i strategjisë kombëtare për barazinë gjinore (2022-2027) është i dobët dhe mekanizmat ndërinstitucional për zbatimin dhe monitorimin e politikave për barazinë gjinore duhet të forcohen”, theksohet në raportin e Komisionit Evropian.
Brukseli gjithashtu kritikon zbatimin e dobët të Konventës se Stambollit. “Në vitin 2023, Grupi i Ekspertëve për Veprim kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës ne Familje indentifikoi një sërë çështjesh që kërkojnë veprime urgjente nga autoritetet për të respektuar plotësisht dispozitat e konventës. Qasja në shërbimet shëndetësore për viktimat e dhunës në bazë gjinore pamundësohet nga numri i kufizuar i strehimoreve dhe mungesa e personelit”, thuhet gjithashtu në raport.
Shoqëria civile dhe ndjeshmëria ndaj çështjeve gjinore
Sipas Rrezearta Elezit, themeluese e Klubit të Librit-Tetovë dhe kolumniste në “Mollëkuqja,” shoqëria civile duhet të zhvillojë aftësinë për dialog dhe mirëkomunikim lidhur me nevojat gjinore në komunitet. Ajo thekson se është thelbësore që shoqëria të jetë e ndjeshme, e hapur dhe e gatshme për të pranuar perspektiva të ndryshme pa paragjykime apo stigmatizim.
“Një shoqëri e tillë duhet të kultivojë respektin, empatinë dhe ndershmërinë në trajtimin e çështjeve gjinore,” thotë ajo. Për më tepër, Elezi vlerëson rëndësinë e organizatave dhe fushatave sensibilizuese për të adresuar diskriminimin dhe për të nxitur ndryshimet e nevojshme në shoqëri.
Politikat dhe përfaqësimi gjinor në politikë
Arta Bilalli Zendeli, profesoreshë e drejtësisë në Universitetin e Tetovës, thekson se përfaqësimi grave është përmirësuar përmes kuotave gjinore në kodet zgjedhore të disa vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ajo vëren se në shumë shtete të rajonit janë bërë hapa të rëndësishëm për të forcuar përfaqësimin e grave, por thekson se ndryshimi është ngadalësuar kur bëhet fjalë për pozita të larta politike. “Është e rëndësishme të kemi kuota që sigurojnë përfaqësimin e grave, por gjithashtu duhet të bëjmë hapa të mëtejshëm për të garantuar që gratë të kenë mundësi të arrijnë pozita të larta politike dhe udhëheqëse,” shprehet ajo.
Maqedonia e Veriut për herë të parë në historinë e saj fitoi një presidente femër pasi Gordana Siljanovska Davkova, doli fituese në zgjedhjet e 8 majit. Ndryshe nga kuvendi, ku përfaqësimi i femrave garantohet përmes kuotave, gjendja është plotësisht ndryshe në ekzekutiv. Nga 24 anëtarët e Qeverisë “Mickoski”, vetëm 3 femra janë ministre.
“Të forcohet korniza ligjore për mbrojtjen e grave”
Ndërkohë, profesorja Arta Mero, eksperte e së drejtës familjare dhe trashëgimore, thekson se duhet të ketë një fokus më të madh në sigurimin e mbrojtjes ligjore për gratë dhe fëmijët në kontekste të vështira socio-ekonomike.
“Ligjet ekzistuese shpesh janë të pamjaftueshme për të adresuar tërësisht dhunën ndaj grave dhe diskriminimin gjinor. Është thelbësore që institucionet të ndjekin praktika konkrete për t’i zbatuar ato”, thekson Mero.
Tradita dhe trashëgimia kulturore
Zejna Halimi, autore dhe koleksionuese e veshjeve kombëtare, analizon ndikimin e traditave etno-kulturore në pabarazinë gjinore. Ajo vëren se stereotipet dhe paragjykimet gjinore janë të rrënjosura në këngët, ritet dhe frazeologjinë tradicionale. Halimi sugjeron që programet mësimore duhet të përfshijnë tema mbi barazinë gjinore dhe librat shkollorë të pastrohen nga paragjykimet dhe stereotipet.
“Duhet të theksohet roli i gruas në zhvillimet historike dhe në ruajtjen e identitetit kombëtar,” thotë ajo, duke nënvizuar rëndësinë e fuqizimit ekonomik të grave përmes mundësive arsimore dhe mbështetjes për sipërmarrje.
Edhe Bashkimi Evropian në raportin e fundit të progresit konstaton se hendeku gjinor në tregun e punës është i thellë. “Gratë në Maqeoninë e Veriut janë dukshëm më pak aktive në tregun e punës krahasuar me burrat”, thekoshet në raport.
BE dhe ndihma për barazinë gjinore
Bashkimi Evropian ka luajtur një rol të rëndësishëm në promovimin e barazisë gjinore në Maqedoninë e Veriut. Përmes mbështetjes financiare dhe teknike, BE-ja inkurajon reformat demokratike që adresojnë pabarazitë gjinore dhe forcojnë përfaqësimin e grave në jetën publike.
57 vjet për të arritur barazinë gjinore
Indeksi i Barazisë Gjinore në Maqedoninë e Veriut sipas matjes së fundit të bërë në vitin 2022 është 64.5 pikë nga 100 pika maksimale dhe ka një progres prej 2.5 pikësh krahasuar me matjen paraprake të realizuar në vitin 2019. Nëse progresi zhvillohet me këtë ritëm (2,5 pikë progres çdo katër vjet), vendit do t’i nevojiten rreth 57 vjet për të arritur barazinë gjinore në të gjitha fushat. Sipas raportit mbi indeksin kombëtar të barazisë gjinore, në nivelin e mesatares së BE-së, ritmi i progresit të deritanishëm është një pikë çdo dy vjet dhe konsiderohet si një ritëm i ngadaltë dhe i pamjaftueshëm i progresit për arritjen e barazisë gjinore në nivel të BE-së.
Ky tekst është prodhuar si pjesë e projektit “Mediat për BE” i zbatuar nga EUROTHINK dhe partnerët ALDA dhe BIRC, i mbështetur financiarisht nga BE. Qëndrimet e shprehura në tekst janë përgjegjësi vetëm e autorit dhe EUROTHINK-ut dhe nuk pasqyrojnë qëndrimet dhe pikëpamjet e Bashkimit Evropian.