Përbërja e re e Komisionit Evropian (26 komisionerë) në ballë me Presidenten Ursula Von der Leyen fillon punën nga një dhjetori pasi të mërkurën mori dritën jeshile të Parlamentit Evropian. Von der Leyen, me këtë rast është zotuar se do të punojë për një BE më të fortë, më të sigurt, më të gjelbër, e cila do të jetë më konkurruese në skenën globale dhe do të kujdeset për qytetarët e saj. Ndërkaq, Komisionerja e re e Zgjerimit, Marta Kos, në paraqitjen e parë në këtë post, ka kërkuar që Maqedonia e Veriut të bëj ndryshimet kushtetuese dhe të përfshijë bullgarët në Preambulën e saj. Kryeministri Hristijan Mickoski, nga ana e tij thotë se Maqedonia e Veriut i ka përcaktuar “vijat e kuqe”
Përgatiti: Enis Shaqiri
Presidentja Ursula Von der Leyen në mandatin e saj të dytë ka thënë se Komisioni i ri Evropian do të mbetet i përkushtuar për të vazhduar ndihmën për Ukrainën dhe për të çuar përpara procesin e zgjerimit. Ka thënë se vendet kandidate, si ato nga rajoni i Ballkanit Perëndimor ashtu edhe Ukraina, Moldavia dhe Gjeorgjia, e kanë vendin e tyre në BE dhe Komisionerja e ardhshme e zgjerimit Marta Kos do të punojë që të realizohet qëllimi i integrimit të tyre në BE. Sipas saj, në procesin e zgjerimit do të ruhet parimi i meritave individuale të vendeve kandidate që do të thotë se avancimi i tyre do të varet nga suksesi në reforma dhe në përmbushjen e kritereve që kërkon Bashkimi Evropian. E, euro-komisionerja e re për Zgjerimin, Marta Kos, fill pasi u mandatua ka shprehur shpresën se Maqedonia do t’i bëj ndryshimet e nevojshme kushtetuese dhe të përfshijë komunitetin bullgar në Preambulën e Kushtetutës së së vendit:
„Po, ne presim që Maqedonia e Veriut të ndryshojë Kushtetutën, për shkak se kjo është diçka që e kemi në konsideratë, as më pak e as më shumë, ndaj jam e sigurt se kjo mund të bëhet. Atëherë me të vërtetë mund të përparojmë shumë shpejt,”- tha komisionerja e re evropiane për Zgjerimin.
E pyetur nëse Maqedonia mund të marrë garanci që nuk do të ketë bllokada të reja nga Bullgaria, Kos u përgjigj: „Unë nuk jam ajo që mund të garantoj këtë“.
Megjithatë, rekomandimi i saj është se mosmarrëveshja maqedono-bullgare mund të kapërcehet përmes dialogut dypalësh.
„Të bisedohet me ta, mundësisht sa më shumë, me të dyja (palët) dhe me njerëzit në Maqedoninë e Veriut edhe me Bullgarinë dhe me bullgarët. Duhet të dëshmojmë se është në dorën tone se si do ta zgjidhim problemin bilateral. Pa këtë dhe pa ndjekjen e vlerave evropiane nuk do të kemi mundësinë që të bëjmë më të mirën dhe për BE-në, edhe për Maqedoninë e Veriut,” – ka deklaruar Marta Kos.
Mirëpo, duket se në Shkup, këto mesazhe nuk janë mirëpritur. Po të mërkurën, ka qenë kryeministri maqedonas, Hristijan Mickoski, ai i cili është kundërpërgjigjur se vendi vendi i tij ka “bërë gjithçka që duhej për të bërë”:
„Nëse BE dëshiron të jetë peng i disa vendeve anëtare në procesin e bilateralizimit, mirë, edhe këtë e kuptojmë. Le të na lënë të kryejmë detyrat dhe problemet tona të shtëpisë. Nuk ka nevojë të merakosen, ne nuk jemi rrezik për askënd, nuk ka këtu kurrfarë ndikimi, këtu ka ndikim evropian, ne jemi vend anëtar i NATO-s, dhe NATO ka ndikim. Nuk ka ndikim tjetër. Kemi bërë gjithçka, gjithçka që duhej e kemi bërë“, – ka deklaruar të mërkurën në Shkup kryeministri maqedonas, duke nënvizuar se qeveria e tij i ka përcaktuar “vijat e kuqe” dhe nuk do të ketë shmangie nga kjo.
„Nuk do të jemi viktima të bilateralizimit të procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në Bashkimin Evropian. Ne thamë se çfarë mund të bëjmë dhe ky është maksimumi që mund të bëjmë. Dhe kjo ua është thënë të gjithë faktorëve botërorë, të gjithë njerëzve të cilët vendosin në përgjithësi ose kanë ndonjë rol në politikën botërore “- ka thënë Mickoski.
Vëzhguesit thonë se caktimi i saj në postin e Komisioneres për Zgjerim të BE-së është një zgjidhje e mirë, për shkak se diplomatja dhe politikania nga Sllovenia është njohëse e mirë e rrethanave në Ballkanin Perëndimor.
Në Parlamentin Evropian, mendimi është se Kos është një zgjedhje e shkëlqyer për komisioner të zgjerimit, sepse ajo e njeh shumë mirë rajonin dhe problemet e tij/ Sidoqoftë kontesti bullgaro-maqedonas, por edhe ai shqiptaro-serb rreth Kosovës kanë për të qenë sfidat e saj të para dhe më serioze./KDP/