Në analizën që historiani Danço Zografski ia bën më 1945 Kryengritjes së Ilindenit theksohet se ajo mishëroi “idenë për vëllazërim, bashkim dhe barazinë e të gjitha nacionaliteteve që jetojnë në Maqedoni, të cilën e proklamoi Goce Delçevi dhe VMRO-ja e miratoi në luftën për ‘Maqedoninë e lirë me të drejta të gjera për të gjithë varfnjakët nga të gjitha kombet, fetë dhe gjuhët në të!
Shkruan: SELADIN XHEZAIRI
Raportet maqedono-shqiptare, historikisht, kanë një të kaluar përplotë shkëlqime dhe rënie dhe, si të tilla, lidhen me periudha të caktuara kohore, veçmas që nga shekulli XX e deri më sot. Strumbullar i tyre mbetet mënyra e ndërtimit të shtetit dhe institucioneve shtetërore (politike), juridike e shoqërore. Robert C. Austin, një studiues i përkushtuar i Evropës Qendrore, Lindore dhe Jugperëndimore nga perspektiva historike dhe bashkëkohore, në librin e tij “Bërja dhe ribërja e Ballkanit” (botues KOHA, 2021), me të drejtë e cilëson Maqedoninë (e Veriut) si një shtet që “u jep përparësi interesave maqedonase dhe i margjinalizon ato shqiptare”!
Konteksti historik dhe marrëveshjet ndërkombëtare
Historikisht, nuk do të duhej të ishte kështu. Për shkak se shqiptarët ishin në të njëjtën anë me maqedonasit që nga Republika e parë ballkanike e Krushevës (1903), Lufta e Dytë Botërore (KAÇKM-ASNOM) e deri në shkëputjen nga ish-federata jugosllave. Në analizën që historiani Danço Zografski ia bën më 1945 Kryengritjes së Ilindenit theksohet se ajo mishëroi “idenë për vëllazërim, bashkim dhe barazinë e të gjitha nacionaliteteve që jetojnë në Maqedoni, të cilën e proklamoi Goce Delçevi dhe VMRO-ja e miratoi në luftën për ‘Maqedoninë e lirë me të drejta të gjera për të gjith varfnjakët nga të gjitha kombet, fetë dhe gjuhët në të! Kjo një, së dyti shqiptarët patën përfaqësues të tyre në Këshillin Antifashist të Çlirimit Kombëtar të Maqedonisë (KAÇKM), ata, po ashtu, shkuan deri në Frontin e Sremit për të luftuar nazifashizmin. Mirëpo, me të drejtë studiuesi Robert C. Austin, në librin e sipërpërmendur konstaton se shqiptarët e Maqedonisë kanë qenë më të shtypur se ata të Kosovës, edhe gjatë periudhës më të errët të tyre! Miratimi i Kushtetutës së parë (1991) rrudhi së tepërmi të drejtat e shqiptarëve, ndaj me arsye ky akt më i lartë juirdik i vendit u cilësua si gjenerator krize që, fatkeqësisht shpërtheu me luftën e vitit 2001 ndërmjet UÇK-së dhe forcave ushtarako-policore maqedonase.
Marrëveshja e Ohrit që i dha fund këtij konflikti, dhe e arritur me ndërmjetësim ndërkombëtar, bëri që të ndryshojë Kushtetuta, duke garantuar më shumë të drejta për shqiptarët, para së gjithash, por edhe për jomaqedonasit e tjerë. Mirëpo, nuk është thënë kot se midis normatives dhe realitetit zakonisht ka një hendek të thellë.
Problemet sistemore dhe juridike
Ndërrimi i pushtetit(2024), kalimi i LSDM-BDI-së në opozitë dhe rikthimi në pozitë i VMRO-DPMNE-së me grupimin politik shqiptar të emërtuar VLEN e bën profetik vlerësimin e analistit se pushteti po “u jep përparësi interesave maqedonase dhe i margjinalizon ato shqiptare”! Është kryeministri maqedonas, Mickoski, ai që në çdo paraqitje publike, dhe ato nuk janë të rralla, parareshtur flet për “qytetarë maqedonas”, për “institucione maqedonase”, duke harruar qytetarin e lëre më shqiptarin! Kur kësaj t’i shtohen vendimet e Gjykatës Kushtetuese për të ashtuquajturin balancues, një mekanizëm ky i cili mbante llogari(me gjithë kepërdorimin!) për përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të jomaqedonasve në administratën shtetërore dhe publike, si dhe paralajmërimi se po kjo Gjykatë do të abrogojë nene që përbëjnë paalcën e Ligjit për përdorimin zyrtar edhe të gjuhës shqipe, atëherë – margjinalizimi duket ashiqare!
Përfaqësimit të ulët në institucionet shtetërore: Shqiptarët shpesh hasin pengesa për të arritur përfaqësim të drejtë në administratën publike, gjyqësor dhe forcat e sigurisë. Dominimi i maqedonasve në strukturat vendimmarrëse dita-ditës bën që shqiptarët të jenë me rol gati-gati simbolik, për të mos thënë se shërbejnë si dekor. Refuzimi me ngulm që shqiptarët të mos jenë të diskriminuar sa i përket përdorimit edhe të shqipes në sistemin gjyqësor, me automatizëm prodhon pakënaqësi.
Bashkësia ndërkombëtare
Kujtoj se faktori ndërkombëtar që, sikurse thamë, ka garantuar Marrëveshjen paqesore të Ohrit, do të duhet të pozicionohej qartë karshi këtyre tendecave që mund të vënë në pikëpyetje historinë e vetme të tij të suksesit: Të mos keqkuptohemi, një janë debatet e fërkimet për betjen ndërshqiptare për „legjitimitetin“ e krejtësisht tjetër veprimet institucionale për të zhbërë atë që është arritur deri tani. Ndërkombëtarët dhe sidomos evropianët e amerikanët duhet ta thonë se ç’mendojnë për cënimin e të drejtave garantuara me ligj, por edhe me Kushtetutë. BE-ja dhe SHBA-ja do të duhet të ishin më aktive në nxitjen e dialogut, por edhe monitorimin e barazisë ndëretnike. Janë ato që kanë autoritet për të mos lejuar, për të parandaluar përkeqësimin e mëtejmë, për shkak se aktualisht e kanë kollaj sesa nesër t’i shohim në rolin e zjarrfikësit. Ma thotë mendja se, fjala vjen, nëse nëpër komunat e pjesës veriperëndimore të vendit, shqiptarët janë ata të cilët duhet të mbajnë përgjegjësi për sjelljen ndaj joshqiptarëve, për shkak se drejtojnë pushtetin vendor, në rrafshin qendor janë maqedonasit, si shumicë, ata që duhet të mbajnë llogari e besa të japin edhe përgjegjësi për veprimet kufizuese ndaj vlerave që përbëjnë identitetin kombëtar të shqiptarëve, në rastin konkret, por edhe të të gjithë të tjerëve. Për shkak se barazinë, të garantuar edhe me Kushtetutë, (gardian i zbatimit të së cilës a nuk do të duhej të ishte Gjykata Kushtetuese!?) nuk duhet parë si kërcënim, por si një mundësi për stabilitet dhe zhvillim të shëndetshëm në të mirë të mbarë vendit.