Pas një procesi të gjatë restaurimi dhe hulumtimesh arkeologjike, ‘Jeni Xhamia’ në qendër të Manastirit është rikthyer në vëmendjen publike, këtë herë me një funksion të ri si Muze i kulturës së krishterë dhe islame. Ky transformim, i cili tejkalon përdorimin e saj të mëparshëm si Galeri e Arteve, ka ngjallur polemika. Bashkësia Fetare Islame (BFI) ka kundërshtuar fuqishëm shndërrimin e saj në muze, duke bërë thirrje për ndërprerjen e menjëhershme të aktiviteteve që lidhen me këtë projekt. Reagime kritike kanë ardhur gjithashtu nga përfaqësues të partive politike dhe ish-zyrtarë.
“Shteti, konkretisht Ministria e Kulturës dhe institucionet kulturore të Maqedonisë së Veriut, kurrë nuk e kanë përmbushur këtë kërkesë legjitime të Bashkësisë Fetare Islame dhe për shumë vite e kanë mbajtur këtë xhami të mbyllur, duke e përdorur si “Galerinë e Arteve”. Tani, pa miratimin e Bashkësisë Fetare Islame, Enti Kombëtar dhe Muzeu i Manastirit po e transformojnë Xhaminë Jeni në “Muze të trashëgimisë Kulturore Kristiane dhe Islame”, thuhet në reagimin e BFI-së.
Nga BFI ftuan institucionet shtetërore të Maqedonisë së Veriut të ndalojnë çdo autorizim ligjor që çon në ndryshimin e karakterit të këtij objekti kulturor dhe fetar. Ata thonë se historia shtatë shekullore e kësaj xhamie është pjesë e trashëgimisë islame të Maqedonisë së Veriut, dhe një vendim i tillë përbën fyerje për të gjithë besimtarët myslimanë të vendit tonë.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) thonë se ky vendim është i njëanshëm dhe se është tregues i qartë i degradimit të vazhdueshëm institucional që po vijon dhe bën kjo qeveri.
“Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) shpreh shqetësimin e tij të thellë për vendimin e fundit të qeverisë për të aktivizuar statusin e Xhamisë Jeni në Manastir si një galeri, duke anashkaluar ndjeshmëritë fetare dhe historike të një komuniteti të rëndësishëm në vend. Ky akt, i cili vazhdon logjikën e vendimeve të njëanshme, është një tregues i qartë i degradimit të vazhdueshëm institucional, etnik dhe fetar që ka karakterizuar këtë qeveri”, thonë nga BDI.
Ndërkaq ish-ministri i Drejtësisë, Krenar Lloga, nga njëri krah i Aleancës për Shqiptarët, këtë veprim e ka quajtur skandaloz.
“SKANDAL – Sonte Qeveria VLEN-DPMNE ka përdhosur edhe objektin tonë fetar Xhamin JENI në Manastir, duke e shndërruar atë në “Muze te trashigimisë kulturore kristiane dhe islame”. I dënoj ashpër këto veprime disa mujore që janë antishqiptare dhe tanimë edhe antiislame. Ca kukulla që flasin shqip po prekin në çdo gjë të shejntë tonën, si përkatësin etnike, diasporën, gjuhën shqipe e tani edhe xhamitë tona. Turp ju qoftë! Haram ju qoft!”, tha Lloga.
Në anën tjetër, kryetari i Alternatives, pjesë e koalicionit VLEN në Qeveri, Zeqirija Ibrahimi të enjten mbrëma publikoi titullin e lajmit të publikuar që në vitin 2014, ku thuhet se Xhamia në fjalë do të shndërrohet në muze me ikona krishtere.
Për këtë Ibrahimi shkroi: ” Vazhdojmë t’i vuajmë pasojat e keqqeverisjes së kaluar. FAKTE: Në vitin 2014 BDI ka qenë ajo që ka lejuar xhamia të shndërrohet në “Muze krishterë”.
Jeni Xhamia me dekada të tëra ka pritur të rikthehet në pronësi të Bashkësisë Fetare Islame të Maqedonisë (BFIM).
Mirëpo, ajo në vitin 2015 u shndërrua në Galeri të Arteve, për të cilën nuk pajtohej as BFIM-ja e as Muftinia e Manastirit.
Gjatë hapjes së mbrëmshme, Zoran Nikolovski, drejtor i Institutit dhe Muzeut të Manastirit, tha se para xhamisë në këtë vend ka pasur kishë.
“Kemi faza të ndryshme të ndërtimit sakral që datojnë nga shekulli VII deri në shekullin XI. Një prej tyre është kisha katedrale e Shën Gjergjit, ose më saktë ky është një fragment i themelit të kishës.Përndryshe, ajo kishë katedrale është shumë më e madhe se xhamia e Jenit dhe për këtë jemi dëshmitarë se para xhamisë kemi pjesë të xhamave ku shihen një pjesë e mureve dhe themeleve të kishës”, tha Zoran Nikolovski, drejtor i Institutit dhe Muzeut të Manastirit.
Gërmimet në dhe rreth xhamisë kanë vazhduar që nga viti 2003, ndërsa Bashkësia Fetare Islame gjithashtu drejtoi një proces gjyqësor për të marrë pronën, por e humbi atë.
Pjesa e lutjeve të objektit mbetet e pa restauruar, për të cilën Instituti dhe Muzeu do të aplikojë me projekt në Ministrinë e Kulturës për të marrë fonde për të përfunduar restaurimin e të gjithë objektit, si dhe do të kërkojë para nga organizata të tjera donatore.