E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

LIDERËT NË RMV PËRCJELLIN URIME PËR DITËN E ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE

Sot, më 22 nëntor, shënohet Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe, dita kur u mbajt Kongresi i Manastirit, një moment historik për unifikimin e alfabetit shqip. Kjo ditë përkujtohet në Republikën e Maqedonisë së Veriut (RMV), Shqipëri, Kosovë dhe në diasporën shqiptare. Në RMV, dita e alfabetit është festë shtetërore për shqiptarët.

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në Akademinë Solemne të organizuar nga Qeveria për këtë ditë, theksoi rëndësinë e përkushtimit ndaj arsimit dhe njohurive. Ai tha se kjo ditë duhet të shërbejë si një thirrje “për të punuar së bashku me dashuri për diturinë, respekt për historinë dhe vizion për të ardhmen”.

“Të dashur bashkëqytetarë, shkrim-leximi dhe arsimimi nuk janë luks, janë të drejta elementare dhe instrumente më të fuqishme për transformim të shoqërisë sonë. Rëndësia e tyre nuk mund të matet me numra, por ndikimi i tyre, shihet në jetën më të mirë të secilit individ dhe në përparimin e të gjithë bashkësisë. Të investojmë në shkrim-lexim, t’i hapim dyert e arsimit për të gjithë, të krijojmë shoqëri ku dituria do të jetë valuta më e fuqishme. Vetëm kështu mund të ndërtojmë shtet që do të jetë gati për të ardhshmen”, deklaroi Mickoski, përcjell TV21.

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, u shpreh se kjo ditë mishëron identitetin shqiptar dhe është një gurthemel i shoqërisë dhe diversitetit etnik.

“Në Ditën e Alfabetit të gjuhës shqipe kujtojmë dhe nderojmë këtë moment historik, që shënon përfundimin e Kongresit të Manastirit dhe mishëron identitetin e popullit shqiptar. Si Kryetar i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, ku shqiptarët janë popull shtetformues, e vlerësoj këtë festë dhe gjuhën shqipe si gurthemel të shoqërisë dhe diversitetit etnik, ndërsa angazhohem për të siguruar që ajo të trajtohet me barazi dhe respekt në çdo nivel të jetës institucionale dhe shoqërore. Ndërkaq, për mua si shqiptar kjo ditë paraqet një thelb të pashkëputur të identitetit tim, që më bën krenar. Të gjithë shqiptarëve kudo në botë, gëzuar 22 Nëntorin”, tha Gashi.

Presidentja e shtetit, Gordana Siljanovska Davkova 22 nëntorin e cilësoj datë të rëndësishme për shqiptarët, por edhe për shtetin e Maqedonisë së Veriut.

“Unifikimi i Alfabetit të Gjuhës Shqipe nuk është vetëm akt i reformës gjuhësore, por edhe simbol i aspiratës për emancipim dhe iluminizëm. Gjuha krijon një hapësirë ​​për mirëkuptim, bashkëpunim dhe bashkim rreth vlerave identitare. Përmes saj, diversiteti bëhet pasuri dhe e ardhmja bëhet një mundësi për rritje individuale dhe kolektive. Gjuha dhe kultura shqiptare janë të ngulitura në indin tonë shoqëror dhe çelin hapësirë për mirëkuptim dhe bashkëjetesë. Respektimi i dallimeve gjuhësore na bën një shoqëri demokratike dhe multikulturore”, shkruhet mes tjerash në urimin e presidentes Siljanovska-Davkova.

Ndërkohë, kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, njoftoi se ndodhet në Zvicër pranë mërgimtarëve për të shënuar këtë ditë. Ahmeti u ndal edhe tek Ligji për përdorimin e gjuhëve, i shumëpërfolur viteve të fundit, i cili nisi të diskutohet qysh më 2017 dhe u miratua më 2018.

“Unë sot jam në Zvicër, pranë mërgimtarëve tanë, të shënojmë bashkë festat e nëntorit shqiptar dhe të vihemi edhe një herë bashkë në ballë të proceseve kombëtare, për ta mbrojtë atë që e kemi arrirë bashkë dhe për të ecur përpara”, ka shkruar Ahmeti.

“Deri dje punonim që ta avansojmë përdorimin e gjuhës tonë, ndërsa sot jemi vënë në pozitë për ta mbrojtur atë që e kemi arrirë. Çështja kombëtare, gjuha, flamuri, bashkimi e integrimi, kërkojnë përkushtim nga burra e gra idealistë e misionarë!”.

Kongresi i Manastirit, i cili u mbajt mes datave 14-22 nëntor 1908, shënoi një hap të rëndësishëm drejt unifikimit të gjuhës shqipe. Në këtë Kongres u miratua alfabeti latin, i përbërë nga 36 shkronja, duke çuar drejt bashkimit gjuhësor kombëtar të shqiptarëve.

Pjesëmarrës në Kongres ishin figura të njohura të jetës kulturore dhe politike
mbarëshqiptare, si Gjergj Fishta, Mid’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi dhe Fehim Zavalani.

 

 

Të fundit