Nga Rubio dhe të ngjashmit e tij nuk do të dëgjojmë asgjë për këtë. Rubio është mbrojtës i „të drejtave të njeriut“, por e pikëllon vetëm fati i pakicës ujgure, në kuadër të luftës që ai zhvillon kundër Kinës. Palestinezët nuk bëjnë pjesë në këtë rubrikë. Çështja është nëse ai di gjë për ta dhe nëse ka takuar ndonjë nga ata. Fati i palestinezëve nuk e shqetëson, sepse të gjithë janë terroristë – kështu i kanë thënë kolonët.
Shkruan: GIDEON LEVY*
Njëra pas tjetrës, katastrofat po arrijnë Izraelin. E radhës vjen më 20 janar, kur Donald Trump do të betohet si president. Nëse Sekretari i Shtetit, Ministri i Mbrojtjes, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare dhe Ambasadori në Izrael do të mbeten në pozitat e tyre, viti që vjen do të jetë dështim për Izraelin. Ata do të përcaktojnë fatin e tij që të mbetet përjetësisht një shtet apartheidi, falë të ashtuquajturve miq që nuk janë gjë tjetër veçse tregtarë gjaku, tyxharë që do të rrisin në mënyrë të pakthyeshme varësinë e Izraelit nga pushtimi, gjaderdhja dhe dhuna.
Nuk duhet quajtur “miq të Izraelit”. Përkundrazi, ata janë armiqtë e tij më të këqij. Pëfaqësuesit e rinj të politikës së jashtme amerikane janë miq të apartheidit, pushtimit, kolonive hebraike në territoret e pushtuara dhe luftërave. Në krahasim me ta, Trump është i moderuar dhe i përmbajtur. Ndoshta ai mund t’i ndalë pak. Madje edhe Itamar Ben Gvir mund të marrë pjesë në frenimin e kësaj bande të marrë nga Uashingtoni, nëse do të mund ta kalonte barrierën gjuhësore.
Dikush tashmë ka shkruar se si Shtetet e Bashkuara mund të vendosin sanksione ndaj atyre izraelitëve që nuk zhvendosen në vendbanimet në territoret e pushtuara. Tingëllon e tepruar kjo? Nuk jam i sigurt, të paktën duke parë qëndrimet e çmendura të këtyre njerëzve. Të gjithë ata mund të jenë panelistë në emisionin “Patriotët”, sepse janë më radikalë se sa pjesëmarrësit aktualë. Të vendosësh ata në krye të politikës së jashtme shtetërore është e frikshme. Imagjinoni Jinon Magalin, drejtuesin e këtij emisioni, si Ministër të Jashtëm.
Racistë dhe analfabetë që nuk dinë asgjë për Lindjen e Mesme përveç propagandës së kolonëve që ua kanë larë trurin në kishat evangeliste dhe gjatë vizitave në vendbanimet hebraike në territoret e pushtuara. Propagandistët e përbetuar ende nuk janë ngritur për shkak të krimeve të makinës cioniste dhe vendbanimeve. Josi Dagan me të drejtë feston këto emërime.
Ata do ta nxisin Izraelin drejt aneksimit, transferimit, krimeve të luftës që në sytë e tyre nuk janë krime, spastrimit etnik dhe gjenocid. Do të shkatërrojnë gardianët e fundit të rendit, do të zbrazin nga përmbajtje institucionet ndërkombëtare dhe do ta armatosin Izraelin edhe më shumë se sa parardhësit e tyre. Do të jetë ky fundi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë e me të edhe i drejtësisë globale. Ndoshta ky do të jetë fundi edhe për NATO-n dhe Kombet e Bashkuara. Izraeli do të marrë më 20- janar lejen për të vrarë, dëbuar dhe për spastrim etnik. Një i varur nga narkotikët do të marrë çelësat e barnatores.
Marko Rubio, i parë si sekretar i Shtetit, në këtë luftë të tmerrshme sheh vetëm viktimat izraelite. “Rreth 60.000 izraelitë jetojnë nëpër hotele, kurse fëmijët e tyre shkollohen përmes internetit,” – kështu propagandisti proizraelit e përshkruan luftën. Ai nuk ka dëgjuar për dy milionë palestinezë në Rripin e Gazës dhe për një milion libanezë që kanë humbur gjithçka dhe që enden në dëshpërim. Ata nuk kanë hotele ku mund të flenë, ndërsa fëmijët e tyre nuk shkollohen nëpërmjet internetit. Ata i vret Izraeli.
Nga Rubio dhe të ngjashmit e tij nuk do të dëgjojmë asgjë për këtë. Rubio është mbrojtës i „të drejtave të njeriut“ – por e pikëllon vetëm fati i pakicës ujgure, në kuadër të luftës që ai zhvillon kundër Kinës. Palestinezët nuk bëjnë pjesë në këtë rubrikë. Çështja është nëse ai di gjë për ta dhe nëse ka takuar ndonjë nga ata. Fati i palestinezëve nuk e shqetëson, sepse të gjithë janë terroristë – kështu i kanë thënë kolonët.
Edhe këshilltari i ri për sigurinë kombëtare, Majkl Volc, flet si gazetari i Kanalit 14, Shimon Riklin. „Duhet lejuar ushtrisë të mbarojë punën,“ – ka shkruar së fundmi Volc. Ambasadori i ri, Majk Hakabi, një vizitor i rregullt i vendbanimeve hebreje dhe mbështetës i përbetuar i aneksimit, në tërheqjen nga Gaza më 2005-tën sheh „një nga dështimet më të mëdha të qeverisë izraelite“.
Njëherë kjo groteskë amerikane u zemërua që hebrenjtë duhet të vizitojnë varrin e Jozefit natën, pasi edhe ai vetë iu përkul këtij vendi të dyshimtë në Nablus duke mbajtur kipu. Madje tha se po mendonte të blinte një shtëpi në territoret (e pushtuara). Vitin e ardhshëm, ky grupim do të formojë praktikisht të ardhmeen e pakthyeshme. Shpresa se ata mund të ndryshojnë qëndrimet e tyre, ashtu siç u ndodh politikanëve izraelitë, është shpresa e fundit – madje edhe ajo është e zaift.
*Shkrimi është marrë nga: pescanik.net/ Përktheu: kdp.mk