E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

DODIKU TRIMËROHET NGA FITORJA E TRUMPIT: MOHON EKZISTIMIN E KOMBIT BOSHNJAK!

Ndërsa të mërkurën është parlajmëruar se presidenti në largim Joe Biden, do ta presë në Shtëpinë e Bardhë, pasardhësin e tij,  ekspertët tërheqin vërejtjen se fitorja e Donald Trumpit mund të ketë pasoja të thella dhe destabilizuese për Ballkanin Perëndimor. Paralajmërimi është shkëputur nga një dokument i Këshillit të Evropës për Marrëdhëniet e Jashtme (ECFR), i bërë publik në prag të mbajtjes së Presidencialeve në SHBA: Në raport, tërhiqet vërejtja se administrata e re e Trumpit me siguri do të mund të ndryshojë qëndrimin neutral ndaj rajonit me një angazhim të drejtpërdrejtë për promovimin e interesave serbe. Kjo mund të minojë stabilitetin e brishtë në Bosnjë dhe Hercegovinë, të nxisë thirrjet për shkëmbimin e diskutueshëm të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës dhe të inkurajojë aktorët me qëllime separatiste. Sinjalet për këto shqetësime të ngritura, njofton kdp.mk, po konfirmohen me përplasjet më të reja në Bosnjë e Hercegovinë.

Përgatiti: KDP

Lideri i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik, duket se është trimëruar nga fitorja e republikanit Donald Trump në garën për në Shtëpinë e Bardhë dhe, sërish ka ritheksuar mundësinë e shpërbërjes së Bosnjë e Hercegovinës. Ai në një intervistë për të përditshmen serbe “Večernje novosti”, ka paralajmëruar se është në kërkim të mundësisë që të rinjtë nga Republika Serpska, president i së cilës është ai, të kryejnë shërbimin ushtarak – në Serbi. Zemëratë në Sarajevë ka nxitur pohimi i tij se, në fakt, boshnjakët nuk ekzistojnë si komb:

“Parashikimi ynë është se boshnjakët nuk do të heqin dorë nga unitarizimi i Bosnjë e Hercegovinës dhe satanizimi i serbëve. Boshnjakët janë një komb që ende nuk është formuar. Ata nuk e dinë se kush janë dhe çka janë. Ata duhet të kenë dikë të fuqishëm pas tyre që t’i shtyjë përpara. Humbja e pushtetit nga demokratët në SHBA është një goditje serioze për Sarajevën politike dhe për myslimanët. Ata kanë përjetuar disi pushtetet republikane, por e dinë shumë mirë që kurrë nuk janë mbështetur siç janë mbështetur nga demokratët. Ne gjatë mandatit të Trumpit, duhet të zgjidhim përgjithmonë çështjen tonë. Kjo do të thotë dy gjëra: të kthehemi në Marrëveshjen burimore të Dejtonit ose të ndahemi paqësisht nga BeH,” – ka deklaruar Dodik për të përditshmen proqeveritare serbe “Večernje novosti”, duke pranuar se po punon edhe për mundësinë e mbajtjes së një referendumi me qëllim të shkëputjes së republikës së tij nga federate boshnjake.

“Pjesa më e madhe e aktiviteteve tona për çështjen e referendumit dhe ndarjen është bërë që para konfliktit në Ukrainë. Kemi punuar me vetëdije që të pozicionojmë Serpskën në kuadër të Dejtonit dhe, nëse kjo nuk mund të arrihet, të ofrojmë një plan paqësor të ndarjes. Kjo është përherë aktuale. Kurrë nuk është zhdukur. E mbaj mend që ato vite erdhi Borut Pahor në Presidencën e BeH ku unë isha anëtar dhe, në vend të – mirëdita, pyeti: “A mund të ndaheni paqësisht këtu?”. Ka një transkript të asaj bisedë. Pahor atëherë tha se ka liderë në Evropë që janë të vetëdijshëm se BeH duhet të ndahet në mënyrë paqësore, nëse nuk mund të funksionojë në mënyrë paqësore. Na ofroi që, nëse do të pajtoheshim për këtë, atëherë liderët e Evropës do të mblidheshin për ta paraqitur si një sukses të tyre të madh. Unë menjëherë thash “Po!” Natyrisht, Xhaferoviq dhe Komshiq e refuzuan këtë dhe nisi një fushatë duke thënë se do të kishte luftë. Nuk do të ketë luftë. BeH një ditë do të zhduket. E mbani mend non-paperin e qeverisë sllovene? Gabohen ata që mendojnë se kjo çështje është harruar. Ajo pret momentin e saj!“ – ka deklaruar M. Dodik, duke lënë të kuptohet se nuk çanë kokën se si do të cilësohet kjo:

“Secesioni është një term që është i njohur në botë, ku përmendet ushtria dhe rebelimi, dhe këtë na e përshkruan neve në Serpska, ama ne kurrë nuk kemi folur për ushtri dhe rebelim. Secesionin pastaj e përmendi drejtori i CIA-s, kurse unë nuk dua më as të shpjegoj se kjo nuk është e vërtetë, sepse kur e them, ngrihen të gjithë mendjemëdhenjtë e mundshëm. Qëllimi ynë është i qartë, t‘i ktheheni Marrëveshjes së Dejtonit. BeH nuk do të marrë më asnjë kompetencë shtesë. Nëse nuk ktheheni në Marrëveshjen e Dejtonit, ne do të dalim nga BeH, dhe le ta quajnë si të duan, secesion ose diçka tjetër. Jam zgjedhur për të mbrojtur interesat e popullit në Serpska. Çdo vendim që marrim sot ka pasoja për dhjetë ose pesëmbëdhjetë vjet. Nga BE-ja na ofrojnë historinë për rrugën evropiane dhe sundimin e ligjit, ndërkohë që një i huaj i paautorizuar në BeH ka imponuar 144 nene të Kodit Zgjedhor duke ndërhyrë në zgjidhje sistemore. Për çfarë sundimi të së drejtës po flasim? Një Evropë e tillë ne nuk na duhet,“ – citon kdp.mk deklaratën e Milorad Dodikut për “Večernje novostin” e Beogradit,

Denis Zvizdiq, Zëvendësi i parë i kryesuesit  të Dhomës Përfaqësuese të Parlamentit të BeH, i është kundërpërgjigjur ashpër deklaratave të fundit të presidentit të Republika Serpskës, Milorad Dodik. Sipas tij, Dodik ndjek verbërisht instruksionet e Akademisë Serbe të Shkencave dhe Arteve (SANU) për krijimin e Serbisë së Madhe në përbërje të së cilës  do të ishte BeH pa boshnjakët, Mali i Zi pa malazezët dhe boshnjakët, dhe Kosova – pa shqiptarët:
“Dodik, në një gjendje të perspektivës paranoike personale dhe agresiviteti të shtuar, sërish në një prej intervistave të tij të pakuptimta sulmon me racizëm dinjitetin e boshnjakëve për të cilët, i shtyrë nga ideologjia e tij personale serbomadhe e ultranacionaliste, thotë: ‘Boshnjakët janë një komb që ende nuk është formuar. Ata nuk e dinë se kush janë dhe çka janë.’
Esenca qëndron në faktin se serbi boshnjak Dodik, e di mirë  dhe kjo natyrisht i dhemb më së shumti, dhe ashiqare nuk e lë të flejë, se boshnjakët janë një popull autokton boshnjak dhe evropian, me identitetin e vet etnik, shpirtëror, kulturor dhe shtetformues, dhe janë, ky është ankthi thelbësor i Dodikut, subjekt i barabartë dhe i paevitueshëm politik brenda BeH,“ – ka komentuar Zvizdiq duke nënvizuar se identiteti boshnjak që ashiqare është sebep i nervozës kanstante të Dodikut, është çimentuar njëherë e përgjithmonë edhe në aspektin kombëtar, kulturor e politik, kurse veçoria e tij kryesore, për dallim nga politika dhe ideologjia që përfaqëson dhe mbron ortodosksi boshnjak Dodik, është përkushtimi absolut ndaj shtetit të plotë dhe sovran të BeH, si dhe orientimi pro-evropian dhe pro-perëndimor.
“Dodik, në fakt, në deklaratat e tij për BeH dhe boshnjakët, ndjek verbërisht instruksionet e SANU-t (instruksioni: ‘duhet të shmanget përdorimi i termit boshnjak dhe gjithmonë duhet përdorur termi mysliman, për t’i definuar ata, në këtë mënyrë, si grup religjioz dhe jo si popull’), duke ëndrruar  njëkohësisht Serbinë e Madhe në përbërje të së cilës do të ishte BeH pa boshnjakët, Mali i Zi pa malazezët dhe boshnjakët, dhe Kosova pa shqiptarët. Njësoj për Bosnjën dhe boshnjakët, si dhe për gjithë rajonin e Ballkanit, kanë menduar shumë bashkëmendimtarë të Dodikut gjatë dyqind viteve të fundit, nga Garashanini, Protiqi, Srshkiqi, Cvetkoviqi, Mihajloviqi, deri te Karaxhiqi, Mladiqi, Milosheviqii etj., dhe e dimë si kanë mbaruar. Mirëpo, Bosnja gjithmonë ka dalë fituese, si një vend mijëvjeçar dhe një vend ku janë takuar popuj dhe fe, dhe si një shtet që është më i vjetër se të gjitha shtetet fqinje,“ – ka reaguar Zvizdiq duke shprehur bindjen se „edhe këtë herë nuk do të jetë ndryshe,“ – citon kdp.mk politikanin e njohur boshnjak.

Ekspertët: rikthimi i Donald Trump në Shtëpinë e Bardhë mund të ketë pasoja të thella dhe destabilizuese për Ballkanin Perëndimor

Ndërsa të mërkurën është parlajmëruar se presidenti në largim Joe Biden, do ta presë në Shtëpinë e Bardhë, pasardhësin e tij, ekspertët tërheqin vërejtjen se fitorja e Donald Trumpit mund të ketë pasoja të thella dhe destabilizuese për Ballkanin Perëndimor. Paralajmërimi është shkëputur nga një dokument i Këshillit të Evropës për Marrëdhëniet e Jashtme (ECFR), i bërë publik në prag të mbajtjes së Presidencialeve në SHBA:

Në raport, tërhiqet vërejtja se administrata e re e Trump me siguri do të mund të ndryshojë qëndrimin neutral ndaj rajonit në një angazhim të drejtpërdrejtë për promovimin e interesave serbe. Kjo mund të minojë stabilitetin e brishtë në Bosnjë dhe Hercegovinë, të nxisë thirrjet për shkëmbimin e diskutueshëm të territoreve mes Serbisë dhe Kosovës dhe të inkurajojë aktorët me qëllime separatiste.

“Rreziku më i drejtpërdrejtë është se SHBA mund të kalojë nga përpjekja për të balancuar fuqinë në Ballkanin Perëndimor (ndonëse jo të përsosur) gjatë administratës së Biden, në një preferencë aktive për interesat serbe”, thanë autorët e raportit, Adnan Qerimagiq, analist i lartë për Ballkanin Perëndimor në Iniciativën për Stabilitetin Evropian (ESI) dhe Majda Ruge, bashkëpunëtore e lartë për politikën në programin e Evropës së Gjerë pranë ECFR-së.

Autorët e raportit theksojnë se gjatë mandatit të tij të parë, administrata Trump pati një qasje të pazakontë praktike ndaj Ballkanint të udhëhequr nga përfaqësuesi i tij Richard Grenell, i cili kërkoi një marrëveshje mes Serbisë dhe Kosovës, por arriti rezultate të kufizuara. Sipas ECFR-së, rizgjedhja e Trump mund të çojë në rikthimin e Grenellit në këtë rol, duke e „përqendruar potencialisht në rajon, menjëherë në mandatin e tij të dytë“.

„Trump nuk ka tendencë ta shohë rajonin si një interes strategjik për SHBA-së,“ – vë në dukje ECFR, duke e lënë stabilitetin rajonal peng potencial të ndryshimeve të paparashikuara politike.

Kryeministri hungarez Viktor Orbán, i cili tashmë është një figurë e rëndësishme në rajon, po ashtu, mund të fitojë ndikim të rinovuar në politikën e Ballkanit Perëndimor. Orbán, një aleat i rëndësishëm i Trumpit dhe mbështetës i zëshëm i forcave nacionaliste në Ballkan, ka mbështetur vazhdimisht liderët separatistë si Milorad Dodik, president i entitetit të serbëve të Bosnjës, Republika Srpskës. Nën administratën Trump, thotë raporti, ndikimi i Orbánit mund të rritet brenda qarqeve politike të Bashkimit Evropian, duke forcuar aftësinë e tij për të mbrojtur aleatët si Dodik nga sanksionet e BE-së dhe duke shtyrë më tej Bosnjën drejt disfunksionalitetit,- pohohet në dokumentin e ri të Këshillit të Evropës për Marrëdhëniet e Jashtme (ECFR)./KDP/

Të fundit