E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

SHOK PAS SULMEVE NDAJ TIFOZËVE IZRAELITË TË FUTBOLLIT

Kryeministri holandez, Schoof dënon dhunën ndaj tifozëve izraelitë në Amsterdam dhe u shpreh për “sulme antisemite të papranueshme”.

Pas trazirave në kuadër të një ndeshjeje futbolli në Amsterdam dhe sulmeve ndaj tifozëve izraelitë kryeministri holandez Dick Schoof i dënoi në një mesazh në platformën X “sulmet e papranueshme antisemite ndaj izraelitëve”.

Ai shkruan se i kishte ndjekur “me neveri” lajmet nga Amsterdami”, duke shtuar se të gjithë autorët duhet të ndiqen penalisht. Schoof foli në telefon edhe me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu.

“Antisemitizmi nuk ka absolutisht vend në Evropë, dhe ne jemi të vendosur të luftojmë kundër të gjitha formave të urrejtjes” – shkroi në X presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen.”

Holandë Amsterdam 2024 | Tifozë të Maccabi Tel Aviv para ndeshjes së Europa League, tifozë me duart lart duke festuar para ndeshjes
Tifozë të Maccabi Tel Aviv para ndeshjes së Europa League kundër Ajax Amsterdam. Fotografi: Mouneb Taim/Anadolu/picture alliance

Edhe kancelari Olaf Scholz i dënoi me forcë sulmet: “Dhuna ndaj tifozëve izraelitë në Amsterdam është e patolerueshme. Ne nuk mund ta pranojmë këtë,” shkroi ai në X. “Kushdo që sulmon hebrenjtë na sulmon ne të gjithëve. Hebrenjtë duhet të ndihen të sigurt në Evropë”, shkroi ai.

Parale me pogromin nazist

“Këto janë pamje tmerri,” shkroi në X Presidenti i Këshillit Qendror të Hebrenjve, Josef Schuster. “Gjuetia ndaj hebrenjve ka shpërthyer përsëri – këto nuk ishin trazira mes grupesh tifozësh,” shtoi ai. Sidomos duke mbajtur parasysh përvjetorin e natës së pogromit më 9 nëntor, kjo ngjarje është një “dëshmi që hebrenjtë dhe izraelitët nuk mund të jenë më të sigurt në Evropën Perëndimore”.

Tifozët e klubit Maccabi Tel Aviv duke brohoritur pas arritjes në aeroportin Ben Gurion me një avion special nga Amsterdami.
Pas sulmit në Amsterdam Izraeli dërgoi një avion special për t’i kthyer tifozët e klubit Maccabi në Tel Aviv. Fotografi: Ilia Yefimovich/dpa/picture alliance

Edhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i krahasoi sulmet me krimet kundër hebrenjve gjatë masakrës naziste të 9 nëntorit 1938 në Gjermani. “86 vite më parë hebrenjtë u sulmuan në Evropë, sepse ishin hebrenj”, tha Netanjahu. “Kjo tani u përsërit.”- shkroi ai.

Policia: 62 të arrestuar

Pas ndeshjes të Ajax Amsterdamit kundër Maccabi Tel Aviv për Europa League pati trazira. Sipas njoftimeve të fundit të autoriteteve holandeze të rinj pro-palestinezë ishin vënë në kërkim të tifozëve izraelitë për t’i sulmuar dhe keqtrajtuar ata. Në pamje fimike të shpërndara në platformën X shihen disa tifozë izraelitë që po i tërheqin zvarrë nëpër rrugë duke i goditur me grushta dhe shkelma. Sipas policisë pesë persona u desh të trajtohen në spitale.

Policia njoftoi se ka arrestuar përkohësisht 62 vetë.

Marrë nga: DW

 

Të fundit