E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

VIZIONI I HARRIS DHE TRUMP PËR BALLKANIN PERËNDIMOR: ÇKA I BASHKON E ÇKA I NDAN?

Nëse zgjidhet presidente e SHBA-ve, nënpresidentja dhe kandidatja demokrate Kamala Harris ka deklaruar se do të mbrojë të drejtat e qytetarëve dhe të shteteve për të shprehur lirisht identitetin e tyre kombëtar, ndërsa ish-presidenti dhe kandidati republikan Donald Trump premtoi bashkëpunim ekonomik dhe siguri për Ballkanin Perëndimor nëse ai fiton zgjedhjet të martën, përcjell KDP.

Këtë për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase e kanë deklaruar të dyja shtabet, duke paralajmëruar mbështetje për institucionet demokratike dhe luftë kundër korrupsionit në rajon.

“NATO dhe BE janë të bazuara në vlera të përbashkëta demokratike, duke përfshirë institucione të forta, të pavarura dhe të përgjegjshme. Vlerat tona gjithashtu mbrojnë dhe respektojnë të drejtat e qytetarëve dhe të shteteve për të shprehur lirisht identitetin e tyre kombëtar, përfshirë identitetin maqedonas – dhe për të folur gjuhën e tyre kombëtare, përfshirë gjuhën maqedonase. Nënpresidentja Harris e kupton sa të rëndësishme janë këto vlera për komunitetin jetik maqedonas-amerikan,” tha një zëdhënës i fushatës së Harris për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase.

Fushata e Harris tha se korrupsioni është një interes kyç i sigurisë kombëtare për SHBA-të.

“Zëvendës-Presidentja Harris vazhdimisht ka punuar për avancimin e demokracisë, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit. Korrupsioni është një interes kyç i sigurisë kombëtare për SHBA-të, çka është një nga arsyet pse nënpresidentja Harris është plotësisht e përkushtuar ndaj avancimit të aspiratave euroatlantike të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.”

Administrata e Presidentit Joe Biden, në fillim të mandatit, shpalli luftë kundër korrupsionit, duke deklaruar se kjo përbën një kërcënim për sigurinë kombëtare, jo vetëm në SHBA, por edhe në të gjithë botën.

Presidenti Joe Biden, në vitin 2021, nënshkroi një urdhër ekzekutiv që parashikon bllokimin e pasurisë dhe ndalimin e hyrjes në SHBA për individë të caktuar që kontribuojnë në destabilizimin e Ballkanit Perëndimor, për veprime që, ndër të tjera, përfshijnë korrupsionin.

Ndërkohë, fushata e Trump kritikoi politikën e jashtme të Biden-it për luftën kundër korrupsionit dhe integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, duke e quajtur atë “pasive”.

“Politika e jashtme e administratës së Biden-it në Ballkan karakterizohet nga mosaktiviteti, premtime të zbrazëta dhe mungesë angazhimi për të kuptuar vërtet sfidat unike të rajonit. Në vend që të promovohen nisma ekonomike të rëndësishme dhe për rritjen e vendeve si Greqia, Serbia, Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Rumania dhe Sllovenia për të mbështetur këto vende në luftën e tyre kundër korrupsionit dhe integrimin në BE, administrata e Biden-it ka ndjekur një qasje pasive. Kjo mungesë angazhimi jo vetëm që ka penguar përparimin ekonomik, por ka lënë shumë shtete të Ballkanit të ndihen të lëna pas dore dhe të pavlerësuara, ndërsa tensionet po ziejnë pa ndërhyrje të duhur,” tha Christos Marafatsos, nënkryetar i Koalicionit Kombëtar për Diversitet të presidentit Trump për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase.

Marafatsos tha se politika e jashtme e Trump për Ballkanin Perëndimor do të fokusohet në partneritetet tregtare dhe mundësitë ekonomike.

“Shtëpia e Bardhë e drejtuar nga Trump nuk do të shtyjë thjesht deklarata të përgjithshme për demokracinë. Ajo do të sjellë rezultate reale dhe të përgjegjshme përmes bashkëpunimit të drejtpërdrejtë me liderët lokalë dhe popullin në rajon.”

Serbia dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje për normalizimin ekonomik në vitin 2020 gjatë administratës së presidentit Trump. Marafatsos tha se Trump do të vazhdojë politikën e mbështetjes së marrëveshjeve strategjike ekonomike.

“Për më tepër, administrata e tij do të japë përparësi lirive individuale dhe do të reduktojë burokracinë që frenon përparimin në këto vende, duke ndihmuar në avancimin e vlerave të vërteta demokratike përmes fuqizimit të qytetarëve dhe institucioneve lokale.”

Nga fushata kanë deklaruar gjithashtu se, nëse Trump kthehet në Shtëpinë e Bardhë, do të marrë hapa aktivë për të parandaluar ndikimin e huaj që synon destabilizimin e rajonit të Ballkanit.

“Stili vendimtar dhe përkushtimi i Trump për ndërtimin e aleancave të forta të bazuara në përfitime të ndërsjella dhe respekt do të jenë në kontrast të plotë me politikat pasive të administratës aktuale, duke u dhënë shpresë atyre që besojnë në një të ardhme më të ndritur për Ballkanin.”

Departamenti i Shtetit më 21 nëntor 2023, për Zërin e Amerikës në gjuhën maqedonase, deklaroi se administrata e Biden-it do të punojë me vendet e Ballkanit Perëndimor për të reduktuar mundësinë e “ndikimit të dëmshëm rus”.

“Jemi të përkushtuar për të punuar me vendet e Ballkanit Perëndimor, partnerët tanë evropianë dhe komunitetin ndërkombëtar, për të avancuar reformat në qeverisje, sundimin e ligjit, reformat zgjedhore dhe antikorrupsion, të cilat do të zvogëlojnë mundësinë e ndikimit të dëmshëm rus dhe do të sjellin paqe të qëndrueshme, stabilitet dhe mirëqenie në rajon,” thuhet në deklaratën e Departamentit të Shtetit.

Diaspora e Bashkuar Maqedonase (DBM), e cila kohët e fundit festoi 20 vjetorin e themelimit, muajin e kaluar mori një letër nga nënpresidentja Harris, e cila i drejtohej komunitetit maqedonas në SHBA.

“Përveç kontributit në ekonomi dhe kulturë, maqedonasit amerikanë janë aktivisht të përfshirë në demokracinë tonë. Shumë prej tyre shërbejnë në legjislaturat dhe organizatat qytetare, duke reflektuar parimet e lirisë dhe komunitetit që e bëjnë shtetin tonë më të fortë. Përkushtimi i tyre në sektorin qytetar është frymëzues dhe kyç për shëndetin e demokracisë sonë,” shkruhet në letër.

Në fundjavë, në Michigan, një shtet ku jetojnë rreth 125 mijë amerikanë me prejardhje maqedonase, maqedonasit organizojnë ngjarje për të mbështetur fushatat e Harris dhe Trump.

Trump dhe Harris po përfundojnë mitingjet e fundit zgjedhore para zgjedhjeve presidenciale të martën. Miliona po votojnë paraprakisht.

 

 

Të fundit