E shtunë, 14 Dhjetor, 2024

SHKUPI E SOFJA MERREN VESH: TUNELI NË “DEVE BAIR“ DO TË HAPET NGA NJË KONTRAKTOR

Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria kanë harmonizuar dallimet lidhur me ndërtimin e hekurudhës që është pçjesë e Korridorit VIII duke rënë dakord që tunelin në Deve Bair ta ndërtojë një zbatues i punimeve dhe që të rishikohjet çmimi i hekurudhës në drejtim të Bullgarisë. Sikurse njofton kdp.mk, ky është përfundimi takimit të djeshëm në Sofje midis delegacionit të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve nga Shkupi, i kryesuar nga Sekretari i Shtetit, Stefan Velkovski, me homologët bullgarë. Të dyja palët janë marrë vesh që marrëveshjet e arritura t’i prezantojnë para institucioneve përkatëse financiare të Bashkimit Europian.

Ministria e Transportit e Bullgarisë ka sqaruar se përfaqësuesit e Komisionit Evropian, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Evropiane të Investimeve, të pranishëm në takim, kanë shprehur mbështetjen e tyre për këtë projekt:

“Pas analizimit të mundësive teknike dhe vlerësimit të rreziqeve, pjesëmarrësit ranë dakord se objekti i tunelit ndërkufitar “Deve Bair” është më i përshtatshëm për t’u ndërtuar nga një kontraktor i vetëm. Përfaqësuesit e Komisionit Evropian, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe Bankës Evropiane të Investimeve shprehën mbështetjen e tyre për këtë zgjidhje teknike dhe gatishmërinë e tyre për të ndihmuar në përgatitjen dhe zhvillimin e procedurës së tenderit. Se cila nga palët do të kryejë prokurimin publik për kontraktorin e objektit të tunelit do të vendoset në bisedime të mëvonshme me institucionet e mundshme financuese,” – njoftoi Radioja shtetëropre e Bullgarisë.

Përfaqësuesit e delegacioneve ranë dakord që të dy vendet të formojnë grupe pune për përgatitjen e  dokumentacionit të nevojshëm për tunelin.

“Gjatë takimit, palët shkëmbyen  informacione, kornizën kohore për ndërtimin, dhe ndanë përvoja në lidhje me çështjet teknike për ndërtimin e Korridorit VIII, veçanërisht në pjesën e procedures për funksionimin e ardhshëm të tunelit ndërkufitar ‘Deve Bair’,”- thuhet në njoftimin e Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve.

Cila nga palët do ta kryejë prokurimin publik për ndërtuesin e tunelit do të vendoset në njërin nga takimet e ardhshme me institucionet financiare, – theksojnë nga Ministria bullgare.

Rrjedhimisht, nga krijimi i qeverisë së re maqedonase e deri vonë, ndërtimi i hekurudhës drejt Bullgarisë ishte vënë në pikëpyetje nga Zëvendëskryeministri dhe ministër i Transportit, Aleksandar Nikoloski, por edhe nga vet kryeministri Hristijan Mickoski, mirëpo si duket ka qenë presioni ndërkombëtar (BE-SHBA) ai që bëri që ata të rishikojnë qëndrimin, si ndaj hekurudhës, ashtu edhe Korridorit VIII në përgjithësi, njofton kdp.mk

Të fundit