Kur VMRO-DPMNE ishte në opozitë, Marrëveshjen me “Bechtel&Enka” për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10, e cilësonin kriminale dhe të fshehtë, duke paralajmëruar rinegociimin e saj. Tani, për ministrin e transportit dhe lidhjeve, Aleksandar Nikolloski, ky është projekti më i madh në historinë e re. Kryeministri Hristijan Mickoski thotë se ajo që ishte iluzion, tani është e vërtetë, sepse po punohet në terren, raporton Radio Evropa e Lirë, përcjell KDP.
Nga Shkupi në Ohër do të udhëtohet një orë e gjysmë, sapo të përfundojë autostrada, e cila pritet të përfundojë për 5 vjet. Këtë e deklaroi Nikolloski pas inspektimit të vendit ku dje (28 tetor) vazhduan punimet ndërtimore në trasen Gostivar-Bukojçani në gjatësi prej 30 km. Kjo trasë është pjesë e Korridorit 8 që po ndërton konsorciumi Bechtel dhe Enka, ndërsa ndërtimi i saj u stagnua për dy vjet për shkak të shpronësimeve.
Përveç Nikolloskit, inspektim në aktivitetet ndërtimore bëri edhe kryeministri Hristijan Mickoski, përfaqësues qeveritarë dhe ambasadorja e SHBA-së, Angela Ageler.
Për Mickoskin, ky është një moment i veçantë, sepse, siç tha ai, pas dy vitesh fjalë dhe premtime të zbrazëta, më në fund mund të shihet diçka që duhet të përfaqësojë një pjesë të ëndrrës që kanë si Qeveri.
“Ajo është si vendi ynë të jetë shtet pritës i tre nyjeve. Kjo është nyje transporti, hekurudhore dhe energjetike. Kjo është ëndrra jonë. Është ëndrra ime personale dhe do të bëj gjithçka si kryetar i Qeverisë që të bëhet edhe realitet,” deklaroi Kryeministri Hristijan Mickoski.
Për zëvendëskryeministrin Izet Mexhiti, me vazhdimin e ndërtimit, mbyllet tema për Korridorin 8 si temë politike.
“Korridori 8 është prioritet mbi prioritetet për zhvillimin e vendit, për zhvillimin ekonomik dhe nuk kam asnjë dyshim se Bechtel dhe Enka javën e ardhshme do të vijnë dhe do të jemi dëshmitarë të realizimit të projektit,” tha Mexhiti.
Nga Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në konferencën për shtyp të sotme shprehën kënaqësinë që ndërtimi i Korridorit 8 dhe 10d vazhdon.
“Kjo vetëm konfirmon qasjen tonë të qëndrueshme vizionare dhe politikat afatgjata për përparimin e vendit dhe për ndërtimin e infrastrukturës moderne rrugore,” u theksua në konferencën për shtyp.
Në tetor të vitit të kaluar, zëvendëskryeministri i parë nga BDI dhe koordinatori për ndërtimin e korridoreve 8 dhe 10d, Artan Grubi, deklaroi se shteti nuk ka paguar asnjë penalizim për konsorciumin “Bechtel dhe Enka” për ndërtimin e pjesëve të Korridoreve 8 dhe 10d.
Ai kërkoi gjithashtu që deputetët e VMRO-DPMNE-së të thërrasin qytetarët të aplikojnë për vendet e punës që kërkon konsorciumi “Bechtel dhe Enka” për ndërtimin e katër seksioneve të autostradave në vend.
Nga opozita LSDM, në deklaratën e sotme theksojnë se Mickoski e ndryshoi qëndrimin pasi u ul në karrigen e kryeministrit.
“Kur ishte në opozitë, Mickoski me të gjitha forcat shpalli marrëveshjen me ‘Bechtel dhe Enka’ si ‘krim historik’ dhe pretendonte se ishte ‘e diskutueshme nga të gjitha aspektet’. Por, sapo u ul në karrigen e kryeministrit, Mickoski e ndryshoi qëndrimin brenda natës. Tani, papritmas, Mickoski e lëvdon të njëjtën marrëveshje me ‘Bechtel dhe Enka’, duke thënë krenarisht se është e mirë për shtetin dhe duke rrëfyer sa të rëndësishme janë projektet për ndërtimin e Korridorit 8,” thuhet në deklaratë.
“Për marrëveshjen me “Bechtel dhe Enka” ka dy opsione – të anulohet ose të rinegociohet. Njëra është të anulohet marrëveshja dhe të shkohet në arbitrazh, të paguajmë qindra miliona euro dhe të mos kemi autostradë, dhe tjetra është të optimizohet marrëveshja, për të cilën tashmë kemi filluar bisedimet, duke përshpejtuar kështu realizimin e projektit”, deklaroi Mickoski, më 16 maj, para se të bëhej mandatar i Qeverisë së re.
Marrëveshja nuk u anulua dhe pas nënshkrimit të saj në mars 2023, gjatë qeverisjes së LSDM dhe tani, gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE, problemi kryesor është shpronësimi i tokës ku duhet të kalojë trasa.
Sipas drejtorit të Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Koce Trajanovski, gjysma e procedurës për shpronësimin e pronës është përfunduar. Ai njoftoi se deri në fund të këtij viti do të përfundojë tërësisht dhe theksoi se sipas marrëveshjes, ajo duhej të përfundonte ende pa u bërë ai drejtor.
“Për 12 muaj janë shpronësuar 1117 parcela kadastrale, ndërsa që kur u bëra drejtor për dy muaj e gjysmë shpronësuam 2432 parcela,” shkroi Trajanovski në rrjetet sociale.
Sipas vlerësimit fillestar të ekzekutuesve, duhej të merreshin rreth 60 hektarë tokë në fshatrat Gorna dhe Dolna Banjica, që është sa 120 fusha futbolli. Banorët për këmbim do të marrin 650 denarë (rreth 10 euro) për metër katror të tokës.