Kur flitet për gazetarinë profesioniste, të njëmendtë, emri i Nehat Islamit është diku në krye të listës. Ka shëtitur botën, ka shkelur në vatra lufte, ka bërë mijëra pyetje e kësaj radhe u është përgjigjur 500 pyetjeve të Xheladin Rexhepit dhe nëpërmjet tyre shpaloset një rrëfim jetësor dhe jo vetëm, në librin “Jeta me laps”, – përcjell kdp.mk shkrimin e koha.net.
Përgjigjet në 500 pyetje në 400 faqe, libër ku përfshihet edhe forma strukturore e botimit e në fund edhe një sërë tekstesh dedikuar kryepersonazhit, janë dëshmi e modestisë së tij. Vetë jeta e gazetarit të shquar Nehat Islami qe modeste, por jo edhe karriera e tij e begattë. Është një nga emrat e plejadës së lulëzimit të gazetarisë në Kosovë dhe e përtej. Raportimi nga vatrat e luftës qe dëshmi e posedimit të një nga virtyteve më të vyeshme – guximi. Por kjo është vetëm një fragment në librin “Jeta me laps” me autor Xheladin Rexhepin.
Libri nis me rrugëtimin e tij gazetaresk, por kthehet pas në fëmijërinë e protagonistit. Zgjerohet te studimet e tij në Zagreb, me zhvillimet politike të kohës në vend e në dokumentimin e tij për vendin. Ai trajton etikën gazetareske, duke prekur edhe gazetarinë e sotshme pa gazeta, por me valën e mediave online.
Libri biografik për gazetarin Nehat Islami është promovuar të hënën mbrëma në kafe-galerinë “KultPlus” në Prishtinë. Edhe në këtë manifestim, Islami ka qenë fjalëpak.
“E falënderoj autorin e librit i cili vërtet është munduar me mua dhe unë ia bëj hallall pasi vërtet e ka nxjerrë një libër që edhe mua më pëlqen. Faleminderit edhe redaktores, pronares së shtëpisë botuese ‘Drini’ nga Ferizaji e cila me përkushtim të madh e përgatiti librin për botim. Mua më vjen shumë mirë që ky libër pa dritën pikërisht në qytetin ku edhe unë për herë të parë pashë dritë, kur linda”, ka thënë ai.
“Jeta me laps” paraprakisht është promovuar në qytetin e Islamit, në Ferizaj.
Aty janë rrëfimet e detajshme të situatave në vendet ku ka mbuluar ngjarje si reporter i luftës. Sekuenca narracioni janë si udhëpërshkrime të tmerrit që njeriu ka përjetuar, ndërsa Islami ka parë.
Rrëfimet që sjellin ngjarjet janë të freskëta, rrëqethëse.
Autori i librit, gazetari Xheladin Rexhepi, ka thënë se Nehat Islami është i paarritshëm në fushën e gazetarisë.
“Ai është letërnjoftimi ynë edhe në skenën ndërkombëtare, sepse gazetaria shqiptare e ka Nehatin si penë që prej kohësh kishte kaluar gjeografitë lokale dhe ofronte gazetari me vlera universale. Këtë më së miri e dëshmojnë katër vjetët e tij në Bejrut, saqë ditën e fundit kur kthehet me një veturë Golf 1 të shpuar prej plumbash, mbetet pa asnjë lek në xhep. Është e kundërta e kohës sot kur njerëzit kthehen nga lufta të pasur materialisht”, ka thënë Rexhepi.
Nehat Islami do të intervistonte shumë personalitete të shquara të kohës si humanisten Nëna Terezë, udhëheqësin palestinez Jaser Arafat, poetin Zhak Prever, shkrimtarin kroat, Mirosllav Kërllezha, mbretin jordanez Hussein e të tjerë. Midis tyre edhe shkrimtarin Ismail Kadare. Autori i këtij botimi, Rexhepi, ka thënë se kjo intervistë do të botohej në dy mijë gazeta botërore.
Me Islamin ideja ishte të bëhej dokumentar televiziv, por me gjithë materialin që kishte, ishte e vështirë të përfshihej i gjithi, por edhe të hiqej.
“Secili njeri në profesionin e tij ka nga një idol, mësues, nga i cili do të mësojë. Ideja ime e parë ka qenë të bëj një film dokumentar për të. Ashtu e nisa si ide, si skenar filmi, për çfarë më ka inkurajuar edhe kolegu, regjisori Ilir Kabashi. Kam punuar gjatë, me vite për të, por kur e mblodha gjithë materialin prej 15-orësh xhirime, vendosa që ai material dokumentar të bëhej libër. Duke e parë gjithë këtë brumë dhe se dokumentari e pashë se ka nevojë ende të punohet për të, të pasurohet”, ka thënë Xheladin Rexhepi, autor i librit “Jeta me laps”.
Aty janë evidente sakrificat në rrugëtimin drejt profesionit. Njërin prej tyre e përmend autori.
“Në Zvicër pranë OKB-së detyrohet të shesë unazën e fejesës për të arritur qëllimin që një rezolutë për të drejtat e njeriut të kalojë në OKB”, ka thënë Rexhepi. “Gazetari Nehat Islami për të mbetur në historinë e gazetarisë, mbeti pa shtëpi”, është një tjetër shprehje e tij që e ilustron edhe më mirë këmbënguljen e Islamit drejt profesionit.
Shkrimtari Ibrahim Kadriu, mik e bashkëpunëtor i Islamit, ka thënë se vepra është intervistë e veçantë.
“Çdo gazetar do ta xhelozonte autorin e këtij libri, pasi është kryevepër në fushën e gazetarisë. Vepër që rrallë shkruhet dhe rrallë gjendet. Është mirë që kjo ndodh pikërisht në Prishtinë dhe me emrin e Nehat Islamit. Me Nehatin kemi qenë gjithmonë bashkë, kemi kaluar shumë kohë”, ka thënë ai.
Ka thënë se po aq sa flitet për të në libër, aq ka mbetur pa u thënë.
“Derisa e lexoja këtë libër me 500 pyetje, mendoja se i mungojnë edhe 500 pyetje të tjera. Mendoj se këtu janë dhënë shumëçka por në të vërtetë Nehati ende ka shumëçka. Unë e kam bërë një shkrim për Nehatin ku kam shkruar se ai është njeri që di shumëçka, por nuk flet gjithçka. Këtu besoj se ka parë që ka gjëra që nuk i ka thënë dhe që mund t’i thotë. Në këtë moshë është pak vështirë të mbahen mend ndodhitë, rrugëtimi nëpër kohë”, ka thënë Kadriu.
Ka thënë Islami kudo që shkonte ka vepruar për interesin e vendit.
“Derisa lexoja, mendoja shumëçka për Nehatin, aktivitetet e tij të mëparshme. Si gazetar, dihet se ka qenë numër një, por ai ka pasur edhe misione të tjera. E kemi pasur në misionet e Kombeve të Bashkuara kur ka shkruar për të drejtat e shqiptarëve të Kosovës. Kudo që ka shkuar ka vepruar për interes kombëtar”, ka thënë shkrimtari Kadriu.
Nehat Islami u lind më 1943 në Ferizaj. Punën e filloi më 1966 si bursist i gazetës “Rilindja”. Një vit me vonë kaloi në Redaksinë Televizive të Kosovës, ku punoi deri më 1974, kur gazeta “Rilindja” e emëroi korrespodent të përhershëm të gazetës në Lindjen e Mesme me seli në Bejrut, ku edhe qëndroi deri në vitin 1979. Është njohës i shquar i rrjedhave politike e historike të asaj pjese të botës. Pas Bejrutit u kthye në gazetën “Rilindja” në postin e redaktorit të politikës së jashtme. Pas mbylljes së “Rilindjes” nga pushteti okupues i Millosheviqit, vazhdoi punën në gazetën “Bujku”. Pas vitit 1999 ka qenë drejtor i Institutit për monitorim të Luftës dhe Paqes (IWPR) për tre vjet, kurse në vitin 2005 u zgjodh drejtor i Zyrës së Këshillit të Mediave te Shkruara të Kosovës.
Botuesja Zyrafete Shala ka thënë se momente thelbësore të librit janë pikëpamjet e protagonistit se gazetaria nuk është karrierë, por mision.
“Edhe pse linja biografike nga fillimi deri në fund këto rrëfime tejkalojnë kufijtë e një biografie personale, sepse gërshetohen me historitë e trazuara të popullit tonë, lidhen me përjetimet e vendit, gjurmimet që ka bërë për të hulumtuar kulturën e vendit duke e bërë atë mozaik me shumë elemente ku gjenden gjëra të panjohura. Të gjitha këto janë të rrëfyera nga këndvështrimi i një njeriu që gazetarinë nuk e ka parë si karrierë, por si mision”, ka thënë ajo derisa Islamin e ka konsideruar model identifikimi për të rinjtë se puna që bëhet me përkushtim e dashuri sjell rezultate.
“Libri është strukturuar në formë të një dialogu miqësor midis dy gazetarëve, mirëpo pikërisht kjo trajtë e kompozicionit të librit i ka dhënë mundësi të bëjë një lloj eksplorimi për çështje të ndryshme, duke filluar nga rrëfimet personale, pastaj çështje që lidhen me profesionin, për dashurinë e pasionin ndaj tij e deri te rëndësia e të qenit njeri, si bazamant i domosdoshëm për çdo arritje kulmore e aq më tepër në profesionin e gazetarit”, ka thënë Shala, udhëheqëse e shtëpisë botuese “Drita”.
Nehat Islami është autor i mbi 200 reportazheve dhe filmave dokumentarë televiziv dhe autor i mijëra reportazheve e shkrimeve tjera gazetareske nga Kosova dhe bota.
Në dhjetor të 2013-s “KOHA” botoi librin e tij të parë “Hotel Bejruti”, një përmbledhje e raportimeve, analizave dhe shkrimeve nga Bejruti gjatë kohës kur ishte korrespondent i Rilindjes në Lindjen e Mesme. Libri i tij i dytë “Një adresë në Bukuresht” u botua në vitin 2016 dhe është një përmbledhje impresive e artikujve dhe intervistave të zgjedhura brenda periudhës 40 vjeçare./koha.net/