E shtunë, 9 Nëntor, 2024

DYFISHOHET NË GJERMANI NUMRI I PANELEVE DIELLORË NË BALLKONE

Panelet diellorë në ballkonet gjermane po bëhen gjithnjë e më të preferuar. Numri i sistemeve është dyfishuar që nga fillimi i vitit. Arsyet lidhen me çmime më të lira, përmirësim cilësie dhe më pak burokraci.

Numri i paneleve diellorë për ballkonet në Gjermani vazhdon të rritet me shpejtësi. Regjistri kryesor i të dhënave të tregut të Agjencisë Federale të Rrjetit në vend tani numëron mbi 700.000 “sisteme panelesh diellore me prizë” në funksionim. Kjo shifër është dy herë më e lartë se në fillim të vitit. Shifra reale është ndoshta edhe më e lartë, pasi ka një afat prej një muaji për regjistrime të vonuara dhe disa sisteme – pavarësisht detyrimit për regjistrim – thjesht nuk raportohen.

Paketa për solarët u miratua në korrik

Prodhimi maksimal i instaluar është 600 megavat. Madje ai është dyfishuar që nga fillimi i vitit, gjë që ndoshta lidhet me faktin se tani mund të instalohen sisteme pak më të fuqishme. Për tremujorin e tretë që sapo ka përfunduar, regjistri kryesor i të dhënave të tregut tregon pothuajse 140.000 sisteme që janë vënë në punë me një fuqi maksimale prej 141 megavat.

Numri i paneleve diellorë për ballkonet në Gjermani vazhdon të rritet, ballkone me panele diellorë
Numri i paneleve diellorë për ballkonet në Gjermani vazhdon të rritetFotografi: Bernd Diekjobst/dpa tmn/picture alliance

Trendi pozitiv do të rritet

Shoqata Gjermane e Industrisë Solare pret që trendi pozitiv në panelet solarë për ballkone të vazhdojë për momentin. Legjislativi ka reduktuar pengesat burokratike dhe çmimet e sistemeve diellore kanë vazhduar të bien, është shprehur drejtori menaxhues Carsten Körnig. Me paketën e miratuar Solar I, sasia e lejuar e furnizimit u rrit nga 600 në 800 vat. Nëse nga pajisja diellore me prizë futet më shumë energji elektrike sesa përdoret në shtëpinë tuaj, lejohet përkohësisht funksionimi i matësit në drejtim të kundërt – derisa të instalohet një matës modern me dy drejtime. Operatori i rrjetit është përgjegjës për këtë.

Panele diellorë dhe teknika e përftimit të rrymës
Fotografi: Frank Rumpenhorst/dpa/picture alliance

Qiradhënësit nuk mund të refuzojnë më aq thjesht panelet për ballkone

Javën e kaluar, Këshilli Federal gjithashtu ra dakord të përmirësojë të drejtat për qiramarrësit dhe pronarët e apartamenteve. Në mënyrë të veçantë, pronarët nuk do të jenë më në gjendje të refuzojnë miratimin e tyre pa një arsye të vlefshme. Megjithatë, ata ende lejohen të ndërhyjnë në mënyrën si janë instaluar sistemet. Kjo “më në fund hap rrugën për përdorimin e pajisjeve diellore me prizë në ballkonet, tarracat dhe kopshtet e çatisë së miliona familjeve në Gjermani”, ka thënë Körnig, duke shtuar se, në të ardhmen, qiramarrësit do të kenë të drejtën për të marrë miratimin e qiradhënësit ose shoqatës së pronarëve të shtëpive për të instaluar dhe përdorur një pajisje diellore me prizë teknikisht të sigurt.”/DW

Të fundit