E shtunë, 12 Tetor, 2024

DHJETË VJET TË PROCESIT TË BERLINIT: PROBLEMET KYÇE TË BALLKANIT PERËNDIMOR

Procesi i Berlinit, i nisur para dhjetë vjetësh, tubon ministrat e Punëve të Jashtme në prag të samitit që mund të sjellë ndryshime të rëndësishme në bashkëpunimin rajonal të Ballkanit Perëndimor. Megjithëse fokusimi është te marrëveshja e CEFTA-s, mosmarrëveshjet midis Kosovës dhe Serbisë vazhdojnë të shkaktojnë tensione, – përcjell kdp.mk, të përkthyer në shqip, analizën e Deutsche Welles.

Procesi i Berlinit për Ballkanin Perëndimor feston përvjetorin e tij të dhjetë. Para samitit kryesor më 14 tetor, në Berlin u mblodhën ministrat e Punëve të Jashtme të këtij formati dhe u përpoqën që në prag të festës, të zgjidhnin disa nga problemet.

“Kjo është një konferencë me karakter pune dhe ne po punojmë me intensitet të plotë që brenda dy javëve këtu në Berlin, samiti i Procesit të Berlinit të mos jetë vetëm një festë ku kremtojmë dhjetëvjetorin e inicimit të këtij formati, por që ky të jetë një pikë kthese, jo vetëm për integrimin evropian, por edhe kur është fjala për bashkëpunimin ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor,“ – tha ministrja gjermane e Punëve të Jashtme, Analena Baerbock, gjatë hapjes së konferencës së ministrave të Punëve të Jashtme që marrin pjesë në Procesin e Berlinit.

Vendimtare nëse brenda dy javëve do të kremtohet vetëm datëlindja ose kjo do të jetë pike kthese, do të jetë arritja e një ujdie për zbatimin e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë në Evropën Qendrore (CEFTA). „Ka ende punë për të bërë për ta arritur këtë,“- tha me një pasiguri shefja e diplomacisë gjermane.

Pengesa kryesore – për të cilën “nuk është diskutua”?

Pengesat kryesore qëndrojnë në bllokimin e importit të mallrave nga Serbia në Kosovë, për çka Baerbock, para konferencës ministrore, bisedoi me ministrin e Punëve të Jashtme të Serbisë, Marko Gjuriq, dhe me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila gjithashtu ndodhej në Berlin.

Mirëpo, ministrja e Punëve të Jashtme e Kosovës, Donika Gërvala-Shvarc, u tha gazetarëve para konferencës se për çështjen e CEFTA-s “sot (në Berlin) nuk do të diskutohet fare”, por për “zbatimin e shumë hapave më të vegjël që ende nuk janë aktivizuar”.

„Nuk po mendojmë” për përjashtimin e Kosovës

Manuel Sarrazin, i dërguari i posaçëm i qeverisë gjermane dhe koleg partiak i ministres së të gjelbërve Baerbock, javët e fundit, pas disa përpjekjeve të dështuara në Prishtinë për të hequr bllokadën, aludoi se Procesi i Berlinit mund të vazhdojë edhe pa Kosovën. Këtë të martë, më një tetor, për këtë temë as që u fol.

“Për këtë askush nuk po mendon dhe këtë po e dëgjoj për herë të parë,“ – tha ministri austriak i Punëve të Jashtme, Aleksander Schallenberg, para konferencës, në një rreth të vogël gazetarësh, duke iu përgjigjur pyetjes nëse Kosova do të përjashtohet nga Procesi i Berlinit, po qe se nuk heq dorë nga bllokada që pengon zbatimin e CEFTA-s.

Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Gerliq-Radman, është një nga ata që është optimist për marrëveshjen rreth CEFTA-s.

Me sa jam informuar, të gjitha palët janë dakorduar mbi marrëveshjen dhe mendoj se është gjetur një zgjidhje e mirë për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor,“ – tha ministri kroat.

Kolegu i tij nga Bosnja dhe Hercegovina, Elmedin Konakoviq, thotë se është i vetëdijshëm për rëndësinë e marrëveshjes, ndonëse është i kujdesshëm me parashikimet.

“Ballkani Perëndimor ka një problem të madh me largimin e trurit. Njerëzit po largohen nga vendet tona, kështu që duhet të bëjmë diçka serioze dhe shumë shpejt – në fakt për t‘u ofruar mundësi që të qëndrojnë në vendet tona të bukura. Dhe, mendoj se zhblokimi i CEFTA-s është një proces vërtet i rëndësishëm. Shpresoj se liderët e Kosovës dhe Serbisë do të jenë të vetëdijshëm për këtë,“ – tha Konakoviq.

Deklarata e përbashkët për tregun e përbashkët

Mirëpo, në deklaratën e përbashkët të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe vendeve anëtare të BE-së që nga fillimi marrin pjesë në Procesin e Berlinit, (ndërsa vazhdon të jetë i pranishëm flamuri i Britanisë së Madhe, e cila ishte një nga iniciatorët e këtij projekti, por tani nuk është më anëtare e BE-së) – nuk ka asnjë fjalë për CEFTA-n.

Në të flitet për elementet e dakorduara që duhet të thellojnë bashkëpunimin rajonal dhe të çojnë përpara Tregun e Përbashkët Rajonal dhe marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë. Në këto elemente përfshihet mobiliteti i shkencës, që posaçërisht i referohet lehtësimit të qasjes në institucionet akademike në vendet e tjera të rajonit. Pastaj, janë rënë dakord standardet rajonale për të ashtuquajturat procese të skanimit, që janë pjesë e harmonizimit të politikës së investimeve me standardet e Bashkimit Evropian. Përmendet edhe deklarata për hulumtimin dhe qasjen në infrastrukturën inovative.

Në fund, përfaqësuesit e „gjashtëshes së Ballkanit Perëndimor“ theksuan solemnisht angazhimin e tyre për bashkëpunimin rajonal dhe marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe gjithë kjo për nder të dhjetëvjetorit të Procesit të Berlinit. E gjitha kjo do të duhet të përfshihet në dokumentin final të samitit kryesor të Procesit të Berlinit, që do të zhvillohet në kryeqytetin e Gjermanisë për pak më pak se dy javë.

Premtimi nga Selaniku

Pavarësisht nga “natyra ekonomike” e Procesit të Berlinit, sfondi i tij ka rrënjë të thella politike, duke filluar nga premtimi i njohur “nga Selaniku”, prej para më shumë se 20 vjetësh, e deri në ndryshimin e situatës gjeostrategjike pas agresionit rus në Ukrainë.

„Fakti që ndikimi i Rusisë në pjesë të këtij rajoni edhe para 24 shkurtit 2022 ishte i madh, tregon rëndësinë e këtij procesi. Ne çmojmë se është e rëndësishme të zgjedhim anët dhe të mos rrimë në dy karrige, dhe prandaj në dy vitet e fundit jo vetëm që vazhduam, por edhe intensifikuam Procesin e Berlinit,“ – tha shefja e diplomacisë gjermane. Ajo shtoi se Bashkimi Evropian nuk është vetëm një bashkësi ekonomike, por është edhe një bashkësi që ndanë vlera.

Ndonëse gjatë dhjetë viteve të fundit janë bërë shumë kritika në adresë të Procesit të Berlinit, kjo, konsiderojnë ministrat, nuk e zvogëlon qëllimin e ekzistimit të tij.

“Mendoj se gjatë këtyre dhjetë viteve të funksionimit të Procesit të Berlinit është arritur përparim i madh, përkundër krizave që kanë goditur jo vetëm rajonin e Ballkanit Perëndimor, por edhe të gjithë botën,“ – tha ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Gërliq-Radman, para fillimit të konferencës ministrore në Berlin.

Heqja e “zonave gri”

“Procesi i Berlinit në të vërtetë e bën rajonin tonë më të qëndrueshëm, dhe kjo në këtë moment në Ballkanin Perëndimor është një çështje me të vërtetë e rëndësishme. Ende nuk i kemi shfrytëzuar të gjitha potencialet në Procesin e Berlinit,“ – tha edhe shefi i diplomacisë së Bosnjë e Hercegovinës, Konakoviq, në margjinat e konferencës.

Kolegia e tij gjermane theksoi se është qëllim i forcimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, përmes Procesit të Berlinit, krijimi i stabilitetit përmes zvogëlimit të vulnerabilitetit të strukturave.

“Ne duhet të bëjmë të qartë se në Evropë nuk ka zona gri ku mund të intervenohet nga jashtë,“- porositi theksoi Analena Baerbock.

Me këtë rast, nuk mendohet vetëm për Rusinë, siç u kuptua gjatë paraditës nga ministri austriak Schallenberg, por edhe për veprimet, veçanërisht ekonomike, të disa fuqive të tjera.

“Pse lejojmë që atje kinezët të ndërtojnë autostrada?“- pyeti Schallenberg. Në kujtesë  të vijnë kështu jo vetëm, p.sh. autostradat malazeze, por edhe fakti se në tenderin për ndërtimin e urës së Peleshecit në Kroaci (e cila atëherë ishte anëtare e BE-së) fitoi një konsorcium kinez e jo austriaku Strabag, siç shpresonin në Vjenë./DW/

Të fundit