Fokusi i konferencës së djeshme përgatitore të ministrave të Jashtëm të Procesit të Berlinit, në kryeqytetin e Gjermanisë, ishte bashkëpunimi në fushën e arsimit, ekonomisë dhe politikës. Në një deklaratë përfundimtare, ministrat ranë dakord për katër pika kryesore: njohjen reciproke të diplomave universitare, harmonizimin e politikave të investimeve me standardet e BE-së, inkurajimin e partneritetit në fushën e kërkimit dhe inovacionit, si dhe përmirësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë. Marrëveshjet priten të finalizohen në samitin e Procesit të Berlinit, më 14 tetor të krerëve të shteteve apo qeverive që synon të përshpejtojë, përmes Procesit të Berlinit, afrimin e vendeve të Ballkanit në BE, – njofton kdp.mk.
Përgatiti: KDP
Në këtë rrafsh, ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, ka vlerësuar punën e RCC-së dhe Sekretares së saj të Përgjithshme, Majlinda Bregu, duke theksuar kontributin thelbësor në zbatimin e Tregut të Përbashkët Rajonal. Kjo e fundit ndërkaq, ka tërhequr vërejtjen se bashkëpunimi rajonal nuk duhet të jetë vetëm për nënshkrimin e marrëveshjeve, por për zbatimin e plotë të angazhimeve.
“Duke bërë bilancin e 10 viteve të Procesit të Berlinit, mund të them se ka shumë për të qenë krenar për arritjet konkrete përmes agjendave tona të bashkëpunimit rajonal. Fluksi i pandërprerë i mallrave kritike gjatë pandemisë dhe më tej, korsitë e gjelbra që janë tashmë realitet jo vetëm brenda Ballkanit, por janë zgjeruar edhe me BE-në; dyfishimi i vëllimit të tregtisë brenda rajonit për mallrat në 5 vite; rritja prej 500% e përdorimit të roaming brenda Ballkanit Perëndimor; afro 1,200 kompani të reja kanë marrë pjesë në tregtinë brenda rajonit; lehtësimi i lëvizjes së fuqisë punëtore dhe trajtimi i dinamikave në ndryshim në tregun e punës dhe zhvendosjeve demografike me njohjen reciproke të kualifikimeve të arsimit të lartë dhe të shtatë profesioneve. Të gjitha këto, të njohura dhe të panjohura, kanë bërë që 82% e qytetarëve të Ballkanit Perëndimor të mbështesin bashkëpunimin rajonal,” -tha Bregu në takim, duke shtuar:
“RCC-ja, në krye të së cilës kam pasur nderin të shërbej gjashtë vitet e fundit, ka udhëhequr punën për Tregun e Përbashkët Rajonal si platforma kryesore për bashkëpunimin dhe integrimin rajonal. Ky treg ka demonstruar se si mund të duket një Treg i vërtetë Rajonal, duke ofruar gjithashtu një pasqyrë të potencialeve të Tregut Unik Europian. Megjithatë, pengesat e mbetura, bllokadat politike apo angazhimet e paplotësuara, së bashku me potencialet e mëdha të pashfrytëzuara, janë gjithashtu pjesë e të njëjtit bilanc që rajoni duhet të përpiqet t’i adresojë,” – nënvizoi Bregu, duke theksuar se RCC-ja, së bashku me partnerët, është duke punuar në planin e ri të të Tregut të Përbashkët Rajonal, miratimi i të cilit pritet në Samitin e radhës të Procesit të Berlinit.
“Bashkëpunimi rajonal nuk duhet të jetë vetëm për nënshkrimin e marrëveshjeve, por për zbatimin e plotë të angazhimeve. Nuk mjafton të drejtojmë gishtin ose të presim që të tjerët të udhëheqin. Ka hapësirë që të gjithë të bëjnë më shumë. Të gjithë kemi nevojë për më shumë integrim sesa dezintegrim; të gjithë kemi nevojë për më shumë bashkëpunim sesa izolim; të gjithë kemi nevojë për më shumë bashkim jo vetëm me fjalë, por me veprime; kemi nevojë për planifikim më të mirë dhe instrumente të qëndrueshme financiare si pjesë e anëtarësimit gradual të BP-së në BE, kemi nevojë për një mendësi prej të rrituri, jo vetëm për një Plan Rritjeje. Ky është një udhëtim kolektiv nëse duam të sjellim ndryshime të vërteta dhe të qëndrueshme. Bashkëpunimi nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri! Ia kemi borxh vetes dhe brezave të ardhshëm,”- përfundoi Bregu.
Pas takimit, Ministrat e Jashtëm të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor lëshuan një deklaratë mbi përforcimin e bashkëpunimit, duke vlerësuar arritjet në agjendat e bashkërenduara nga RCC-ja si dhe ranë dakord për katër pika kryesore: njohjen reciproke të diplomave universitare, harmonizimin e politikave të investimeve me standardet e BE-së, inkurajimin e partneritetit në fushën e kërkimit dhe inovacionit, si dhe përmirësimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore. Marrëveshjet priten të finalizohen në samitin e Procesit të Berlinit, më 14 tetor, nën drejtimin e kancelarit gjerman, Olaf Schoz./KDP/