E shtunë, 12 Tetor, 2024

MES MIQËSISË DHE SANKSIONEVE: DIMITRIEVSKI HAP DYERT PËR AMBASADORIN RUS

Pas shkurtit të vitit 2022 gati të gjithë politikanët refuzuan takime me përfaqësues të ambasadës së Federatës Ruse në Shkup. Ky izolim ishte në sinkron me të gjithë botën perëndimore, e cila kishte vënë sanksione ndaj Moskës për shkak të pushtimit burutal të Ukrainës, si shtet i pavarur dhe sovran.

Por, këto sanksione nuk vlejnë për kryetarin e komunës së Kumanovës, njëherësh kryetar i lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski. Nga qershori i këtij viti partia e tij është pjesë e koalicionit qeverisës, të drejtuar nga VMRO-DPMNE e kryeministrit Hristijan Mickoski, ku ka dy ministri të rëndësishme: të Administratës dhe të Drejtësisë.

Dimitrievski në profilin e tij në Facebook njoftoi se ambasadori rus në Maqedoninë e Veriut, Sergej Aleksandroviç Bazdnikin, ka qenë të premten ka qenë për vizitë në komunë. Dimitrievski publikoi në Facebook një fotografi nga takimi me Bazdnikinin ku shkroi: “Sot në një vizitë protokollare në Komunën e Kumanovës ishte ambasadori i Federatës Ruse, Sh.T. Sergej Aleksandroviç Bazdnikin. Gjatë takimit diskutuam mbi disa tema aktuale me theks në mësimin e gjuhës ruse në shkollat fillore dhe të mesme në Kumanovë”.

 

Edhe pse komuna nuk ka kompetenca të vendosë cila gjuhë e huaj mund të mësohet në shkolla, megjithatë, si partner në koalicionin qeverisës, vlerësohet se Dimitrievski mund të ndikojë te Ministria e Arsimit që kjo punë të kryhet. Sipas statistikave zyrtare, aktualisht në Maqedoninë e Veriut vetëm 69 nxënës të shkollave të mesme e mësojnë gjuhën ruse, që paraqet një rënie në krahasim me vitin 2019, kur këtë gjuhë e kanë mësuar 225 nxënës.

Megjithëkëtë, takimi ka ngjallur debate të ashpra në opinion, veçanërisht në sferën publike shqiptare.

“Me VLEN-in në Qeveri dhe me këshilltarët e komunal të VLEN-it në komunën e Kumanovës, nxënësit tanë për dëshirat e çmendura të Dimitrieveskit me gjasë do të mësojnë edhe gjuhën ruse nëpër shkolla”, thuhet në reagimin me shkrim të e BDI-së në opozitë.

Koalicioni qeverisës VLEN në Kumanovë u është përgjigjur akuzave duke sqaruar se “programet mësimore për lëndët mësimore në shkollat fillore dhe të mesme i miraton ministri i arsimit me propozim të Byrosë për Zhvillimin e Arsimit”.

Si duket, ambasadori rus në Shkup Bazdnikin ka qenë mysafir i shpeshtë në komunën e Kumanovës, me ç’rast mësimi i rusishtes dhe promovimi i letërsisë dhe kulturës ruse ka qenë në qendër të bisedave. Një takim në maj të vitit 2019, siç është njoftuar publikisht nga Komuna e Kumanovës, është realizuar në kuadër të Konferencës Ndërkombëtare “Rusi – Maqedonia e Veriut: gjuha, historia, kultura, arsimi”. Me atë rast, komunën e kishin vizituar nxënësit dhe profesorët e gjimnazit të Shën Petersburgut, i cili në kuadër të konferencës ka bashkëpunuar me shkollën e mesme "Goce Dellçev" nga Kumanova.

Takimi tjetër i bërë publik midis Dimitrievskit dhe Bazdnikin është realizuar vetëm disa ditë para fillimit të agresionit rus në Ukrainë – më 2 shkurt të vitit 2022. Në këtë vizitë në Kumanovë, ambasadori rus ka qenë i shoqëruar nga Vladimir Khrisanfov, këshilltar për çështje ekonomike dhe tregtare në ambasadë. Siç u njoftua zyrtarisht, përveç Dimitrievskit në takim kanë qenë të pranishëm edhe mësimdhënësit e gjuhës ruse dhe drejtorët e shkollave fillore dhe të mesme komunale, ku ligjërojnë mësimdhënësit. Si në vitin 2019, edhe në këtë takim është theksuar nevoja e bashkëpunimit sipas shembullit të shkollës së mesme "Goce Dellçev" nga Kumanova dhe gjimnazit nga Shën Petersburg.

“Rusët dhe maqedonasit ndajnë vlera të përbashkëta, duke përfshirë traditat e luftës antifashiste - është shumë bukur që në Kumanovë çdo vit më 11 Nëntor festohet Dita e Çlirimit të qytetit. Është një nder dhe privilegj i madh për ne që të marrim pjesë në ceremoninë solemne – duke vendosur lule i bëjmë nderim heronjve të rënë”, thuhet në deklaratën e ambasadës ruse në Shkup, të publikuar menjëherë pas takimit. “Kemi kënaqësinë të vërejmë mbështetjen e konsiderueshme që Komuna e Kumanovës ofron për mësimin e gjuhës ruse në shkolla - më shumë se kudo tjetër në vend. I jemi mirënjohës menaxhmentit të Komunës dhe personalisht z. Maksim Dimitrievski për vëmendjen ndaj kësaj çështjeje”.

Dimitrievski ka dënuar sulmin terrorist të marsit në Moskë, por nuk e ka bërë të njëjtën gjë rreth agresionit rus në Ukrainë. Si kryetar komune, si në vitin 2017 poashtu edhe në vitin 2021, ai u zgjodh edhe me përkrahjen e votuesve shqiptarë. Shqiptarët etnik përbëjnë rreth një të tretën e popullatës në Kumanovë, ndërkohë që Dimitrievski në mandatin e fundit u zgjodh si i pavarur. Disa muaj para zgjedhjeve të fundit parlamentare të qershorit të këtij viti, Dimitrievski formoi lëvizjen ZNAM, me të cilën fitoi gjashtë deputet. Ai tani është pjesë e pushtetit, ku njihet me qëndrimet kundër partive shqiptare brenda qeverisë, të tubuar në koalicionin parazgjedhor VLEN.  /The Geopost

Të fundit