E shtunë, 12 Tetor, 2024

AUSTRI: E DJATHTA EKSTREME DREJT FITORES NË ZGJEDHJE

Partia e ekstremit të djathtë, Partia e Lirisë (FPO), e udhëhequr nga Herbert Kickl, ka fituar zgjedhjet parlamentare të mbajtura në Austri të dielën, sipas projeksioneve fillestare. Rezultati zgjedhor potencialisht e vendos këtë parti në vendin e parë për të formuar Qeverinë, për herë të parë në historinë e pasluftës. Sipas projeksioneve, FPO-ja ka dalë e para, por nuk ka fituar shumicën absolute. Kjo nënkupton se partisë i duhet të gjejë një partner koalicioni në Parlament për të formuar një Qeveri stabile, nëse presidenti Alexander Van der Bellen e fton këtë parti për të formuar ekzekutivin e ri, -përcjell kdp.mk njoftimet e agjencive të lajmeve.

Rezultatet paraprake tregojnë se Partia e Lirisë e ekstremit të djathtë (FPO) ka epërsi ndaj konservatorëve në pushtet në votimet e së dielës në Austri dhe po shkon drejt fitores së parë në zgjedhje parlamentare.

Parashikimet e televizionit publik ORF, bazuar në numërimin e 82.8 për qind të votave, tregojnë se Partia e Lirisë ka siguruar 28.9% të votave, ndërsa Partia Popullore Austriake e kancelarit Karl Nehammer 26.3%.

Herbert Kickl, një ish-ministër i brendshëm që ka udhëhequr Partinë e Lirisë që nga viti 2021, synon të bëhet kancelari i ri i Austrisë, nëse parashikimet konfirmohen, gjë që do ta bënte partinë e tij të parën forcë politike të ekstremit të djathtë që fiton në zgjedhjet kombëtare në Austrinë e pas Luftës së Dytë Botërore.

Por për t’u bërë udhëheqësi i ri i Austrisë, atij do t’i duhet një partner koalicioni dhe kryetarët a partive të tjera e hodhën poshtë mundësinë që të bashkëpunojnë me të.

Një fitore e Partisë së Lirisë do të shkaktonte mosmarrëveshje brenda Bashkimit Evropian për luftën në Ukrainë.

FPO kishte kryesuar sondazhet për muaj të tërë, por epërsia e saj ndaj Partisë Popullore Austriake (OVP) konservatore të kancelarit Karl Nehammer, pothuajse ishte zhdukur në një fushatë ku kanë mbizotëruar shqetësimet e votuesve mbi ekonominë dhe emigracionin.

“Gjëja më e rëndësishme është nëse do të jetë FPO-ja që do të ketë të drejtën të emërojë kancelarin apo jo. Nëse ndodh një gjë e tillë, atëherë duhet të them se roli i Austrisë në Bashkimin Evropian do të ndryshojë thellësisht. (Kreu i FPO-së Herbert) Kickl ka thënë shpesh se (kryeministri hungarez) Viktor Orban është model për të”, thotë Kathrin Stainer-Haemmerle, profesore e shkencave politike në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Carinthia.

Kancelari Nehammer e kishte paraqitur veten si një burrë shteti dhe e përshkruan rivalin e tij, udhëheqësin e FPO-së, Kickl, si një kërcënim toksik.

Zoti Kickl e ka quajtur veten një mbrojtës të neutralitetit austriak dhe ka thënë se do të pastrojë vendin pas viteve të dështimeve në qeverisje.

Një fitore e FPO-së do ta bënte Austrinë vendin më të fundit të BE-së që shënon mbështetje në rritje të së djathtës ekstreme, pas forcimit të kësaj prirjeje në vende si Holanda, Franca dhe Gjermania.

FPO euroskeptike, e cila është kritike ndaj fesë Islame dhe ka premtuar rregulla më të ashpra për azilkërkuesit, fitoi një votë kombëtare për herë të parë në qershor, kur mundi OVP-në me më pak se një për qind në zgjedhjet evropiane.

OVP, e cila ashtu si FPO mbështet rregulla më të ashpra të imigracionit dhe ulje taksash, është e vetmja parti e hapur për të formuar një koalicion me partinë e ekstremit të djathtë. Megjithatë Kancelari Nehammer thotë se partia e tij nuk do të formojë një qeveri nëse zoti Kickl është pjesë e saj./VOA/

Të fundit