E shtunë, 12 Tetor, 2024

100 DITË QEVERISJE

Elitat politike qeveritare të paktën që në krye të herës do të duhej të mbanin më shumë llogari për tolerancën e trashëguar ndëretnike, sesa të bënin këtë që edhe e bënë. Kështu siç kanë startuar, ato nuk do të jenë të besueshme në goditjen e pritshme të eksponentëve të „regjimit të kaluar“, për shkak të „veprimtarisë korruptive“ apo edhe „armiqësore“…

Shkruan: Seladin XHEZAIRI

Zëvendëskryeministri i Parë, Izet Mexhiti, të dielën mbrëma, në njëqinditëshin e Qeverisë rrumbullakoi kështu “sukseset e mëdha”:

Rritja e pensioneve për pensionistët,

Mbyllja e 50% të kazinove në vend,

Investimi prej 34.5 milionë euro për kampusin e Universitetit “Nëna Terezë”,

Ndarja e një miliardë eurove për komunat shqiptare,

Lehtësimi i kalimeve kufitare

Të veçuara nga momentumi nëpër të cilin po kalon Maqedonia e Veriut, këto arritje do të ishin, dorën në zemër, suksese të mëdha! Mirëpo, të shikuara në kontekstin e zhvillimeve në tabllonë e plotë, këto pesë prova rezultojnë tepër të zaifta, për të mos thënë jo edhe shumë bindëse për t’i dhënë ndonjë notë të lartë për përmirësimin e mesatares. Kjo për shkak se, në planin e brendshëm, Qeveria Mickoski riktheu mosbesimin ndëretenik ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve, në radhë të parë, ndërsa në atë të jashtëm rindezi hasmërinë me vendet fqinje, në radhë të parë me Bullgarinë e Greqinë, e pse jo pjesërisht edhe me Kosovën e Shqipërinë (incidenti me presidenten Vjosa Osmani, pakënaqësia e shprehur ashiqare me paraqitjen e elementi bullgar në reultatet e censusit në Shqipëri), duke shpërfaqur në plan të parë marrëdhëniet e mira me Serbinë fqinje, duke përçmuar projektin gjeostrategjik të korridorit VIII dhe duke mbiçmuar Korridorin X…

Për më tepër, koalicioni VMRO-DPMNE-ZNAM-VLEN nuk i bëri ndryshimet kushtetuese, nuk i përfshiu bullgarët në të dhe, për pasojë, e shkëputi Maqedoninë nga Shqipëria e cila jo më larg se më 15 tetor mban konferencën e dytë ndërqeveritare me BE-në. Në vend se të shkonte krahë për krahu me Tiranën zyrtare, Shkupit tonë zyrtar i mbetet të menaxhojë Kutinë e Pandorës brendapërbrenda koalicionit qeverisës për shkak se ashiqare do të duhet të ketë mospajtime, qoftë edhe në heshtje, me disa veprime të imponuara nga partia e  komandarit (nëse iu kujtohet: z.Mickoski nuk e fshehu euforinë kur, në fillim të mandatit, foli në fillimin për „kthimin e dy të tretave të institucioneve“) të cilat në sytë e publikut shikohen si „bërje zap“ e shqiptarëve, qoftë në ndarjen e kulaçit të pushtetit, qoftë kur është fjala për përpjekjen për të rrudhur cilësinë e përdorimit zyrtar edhe të gjuhës shqipe.

Dhe, natyrisht, një kurs i këtillë imponon çështjen nëse ka apo jo harmoni apo tolerancë në kabinetin qeverisës. Kjo po të kihet parasysh përplasja në distancë mes deputetit Halil Snopçe dhe kryeministrit Hristijan Mickoski ( lidhjur me Ligjin për gjuhën dhe atë për „branitelët“ – nëse ndodhë që i pari të hiqet e i dyti – të miratohet, HS tha se VLEN-i del nga Qeveria, ndërsa sakaq përgjigja e shefit të ekzekutivit ishte në stilin „ju qoftë udh’e mbarë“!).

Së këndejmi, elitat politike qeveritare që në krye të herës, të paktën do të duhej të mbanin më shumë llogari për tolerancën e trashëguar ndëretnike, sesa të bënin këtë që edhe e bënë. Kështu siç kanë startuar, ato nuk do të jenë të besueshme në goditjen e pritshme të eksponentëve të „regjimit të kaluar“, për shkak të „veprimtarisë korruptive“ apo edhe „armiqësore“…

Gjatë këtij njëqinditëshi, kemi lënë prapa edhe përpjekjet për konsolidimin e bllokut opozitar. Në gjykimin tim, edhe ky, si dhe ai qeverisës, po kalon fazën e konsolidimit për t’u pozicionuar  me seriozitet karshi (mos)veprimeve koalicionit qeverisës. Deri tash veprimet, si të „Frontit Evropian“, ashtu edhe të LSDM-së, kanë qenë kokë më vete. Si të tilla, prandaj, lënë shumë për të dëshiruar. Kjo për shkak se, të mos harrojmë, fërkimet politike dhe ndëretnike në vend janë rrjedhojë e një kombinimi të çështjeve etnike, tensioneve historike, dhe ndërhyrjeve politike, të brendshme dhe të jashtme. Dhe si të tilla, kërkojnë maturi në veprime. Në të kundërtën mund të jenë tepër të kushtueshme…

Të fundit