E shtunë, 12 Tetor, 2024

SHKUPI DHE SOFJA NË TENSION PAS VENDIMIT TË BRUKSELIT PËR NEGOCIATAT E SHQIPËRISË ME BE-NË

Reagime në Shkup dhe Sofje pas lajmit se Brukseli i dha dritën jeshile Tiranës në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian (BE). 

 

Lideri i formacionit më të madh në parlament GERB, Bojko Borisov, i cili është edhe kryetar i Komisionit për Politikë të Jashtme, përshëndeti ndarjen e Shqipërisë nga Maqedonia e Veriut në rrugën drejt BE-së.

“Rezultati është se Shqipëria po ecën përpara – ka pranuar pakicën bullgare dhe kolegët tanë në Maqedoninë e Veriut le të merren me atë që kanë krijuar për veten e tyre”, tha Borisov.

“Dua të siguroj popullin bullgar se gjithçka që bëmë në Partinë Popullore Evropiane, në Këshillin Evropian, në Komisionin Evropian, u dëgjua shumë mirë. Kështu funksionojnë institucionet evropiane. Nuk kërcënojnë, nuk shajnë dhe rezultati është që Shqipëria të ecë përpara”, tha Borisov.

Ish-kryeministri bullgar, Kiril Petkov, vlerësoi se “propozimi francez doli të ishte shumë i mirë për Bullgarinë”.

“Në realitet, e gjithë BE-ja ka mbajtur anën e Bullgarisë dhe RMV duhet të vendosë nëse dëshiron të pranojë bullgarët në Kushtetutën e saj ose rruga e saj për në Evropë është e mbyllur,” shtoi ai.

Nga ana tjetër, për kryeministrin Hristijan Mickoski, është një mesazh i keq për popullin maqedonas.

“Me shumicën dërrmuese të qytetarëve maqedonas e ndaj përshtypjen se nuk duhet të pranojmë më kushte mbi bazën e koncesioneve kombëtare, pa garanci. Për mua ky është një diktim. Nëse ky është kushti për Maqedoninë, atëherë jo faleminderit. Ato nuk janë vlera evropiane”, tha Mickoski gjatë vizitës në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, përcjell DW.

Komisioni Evropian, nga ana tjetër, tha se presin me padurim fillimin e negociatave të kapitullit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt që të jetë e mundur, pasi Shkupi të përmbushë kriteret përkatëse të dakorduara me Këshillin. Këto “kritere përkatëse” përfshijnë ndryshimet kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë, tha zëdhënësja e KE për zgjerimin, politikën e fqinjësisë dhe partneritetet ndërkombëtare Ana Pisonero në lidhje me vendimin e Komitetit të Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive të Shteteve Anëtare në Bashkimin Evropian (COREPER) që Shqipëria më 15 tetor të nisë procesin e negociatave për anëtarësimin në BE.

Mickoski, ndërkohë, propozoi një qasje evropiane për zgjidhjen e këtij problemi. “Të flasim si njerëz, mos na kushtëzoni me diktat. Nëse po flasim për respektimin e marrëveshjeve dhe ai parim vlen për Marrëveshjen e Prespës, të cilën e pranuam si qeveri pavarësisht kritikave publike, atëherë BE-ja duhet të pranojë edhe Marrëveshjen e Fqinjësisë së Mirë, ku nuk ka kërkesë për ndryshimin e Kushtetutës. Madje thotë se Bullgaria duhet të na mbështesë dhe të na ndihmojë”, tha Mickoski.

Sipas Mickoskit, propozimi i tij për efekt të vonuar të ndryshimeve kushtetuese nuk dallon nga Marrëveshja e Prespës. “Të gjitha amendamentet që u miratuan atëherë do të hyjnë në fuqi kur Greqia do ta ratifikojë protokollin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO. Pse nuk e shtuan BE-në atëherë? Ne po e kërkojmë. Ne do ta përfundojmë procedurën, nuk ka problem, por ato ndryshimet duhet të jenë efektive kur Bullgaria të ratifikojë protokollin e anëtarësimit për Maqedoninë në Bruksel. Jam gati të flas, ofroj propozime”, tha Mickoski.

Shqipëria do të vazhdojë më vete negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe klasteri i parë negociator do të hapet zyrtarisht më 15 tetor. Rruga e dy vendeve nga Ballkani Perëndimor për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian deri më tani është bashkuar dhe të dyja kanë filluar së bashku negociatat për anëtarësim në korrik 2022.

Sipas vendimit të fundit të BE-së, Shqipëria duhet të hedhë hapin e radhës në konferencën ndërqeveritare në tetor me hapjen e grupit të parë “Vlerat themelore” që përfshin disa kapituj – prokurimet publike, statistikat, gjyqësori dhe të drejtat themelore, drejtësia, liria dhe siguria. dhe kontrollin financiar.

Të fundit